Kina mbledh të dhëna gjenetike nga miliona gra shtatzëna - Business Magazine Albania

Kina mbledh të dhëna gjenetike nga miliona gra shtatzëna

Kompania kineze e gjeneve që shet teste paralindjeje në të gjithë botën i ka zhvilluar ato në bashkëpunim me ushtrinë dhe po i përdor për të mbledhur të dhëna gjenetike nga miliona gra për kërkime gjithëpërfshirëse mbi tiparet e popullatave. Ky është zbulimi i bërë nga Reuters pas shqyrtimit të dokumenteve shkencore dhe deklaratave nga kompania.

Këshilltarët e qeverisë amerikane paralajmëruan në Mars se një bankë e gjerë e të dhënave gjenomike që kompania BGI Group po grumbullon dhe analizon me inteligjencë artificiale mund t’i hapë Kinës rrugën drejt superioritetit ekonomik dhe ushtarak.

Ndërsa shkenca përcakton lidhje të reja midis gjeneve dhe tipareve njerëzore, aksesi në grupin më të madh e më të larmishëm të gjenomeve njerëzore është një avantazh strategjik. Teknologjia mund të bëjë që Kina të dominojë farmaceutikën globale e madje të krijojë ushtarë superior gjenetikisht, ose patogjenë të dizajnuar për të shënjestruar popullsinë apo bazën ushqimore amerikane, thonë këshilltarët.

Reuters ka zbuluar se testi paralindje i BGI, një nga më të përdorurit në botë, është një burim i të dhënave gjenetike për kompaninë, e cila ka bashkëpunuar me ushtrinë kineze për të përmirësuar ‘cilësinë e popullsisë’ dhe në kërkimet gjenetike për të luftuar humbjen e dëgjimit dhe patologjitë e tjera te ushtarët.

BGI thotë se ruan dhe ri-analizon mostrat e mbetura të gjakut dhe të dhënat gjenetike nga testet para lindjes, të shitura në të paktën 52 vende, për të zbuluar anomali të tilla si sindroma Down në fetus. Testet – të shënuara si NIFTY (Non-Invasive Fetal TrisomY) – ruajnë edhe informacione gjenetike për nënën, si dhe detaje personale si vendi i saj, gjatësia dhe pesha, por jo emrin, tregon kodi kompjuterik BGI i parë nga Reuters.

Deri tani, më shumë se 8 milion gra kanë krye testet paralindje në nivel global. BGI nuk ka dhënë detaje për numrin e grave jashtë Kinës, duke thënë se ruan të dhënat vetëm për gratë në Kinë. Testet janë një procedurë private për gratë, pjesë përbërëse e kujdesit rutinë para lindjes. Por studimet tregojnë se ato japin informacion gjithnjë e më të fuqishëm për kërkime.

Një studim i BGI, për shembull, përdori një superkompjuter ushtarak për të ri-analizuar të dhënat NIFTY dhe për të hartuar prevalencën e viruseve në gratë kineze, për të kërkuar tregues të sëmundjeve mendore në to, dhe për të veçuar pakicat tibetiane dhe ujgure për të gjetur lidhje midis gjeneve të tyre dhe karakteristikat e tyre.

Kompania ka konfirmuar se në databazën e gjeneve të financuar nga qeveria kineze janë ruajtur edhe të dhëna ADN-je të mbledhura nga gra jashtë Kinës. Banka e gjeneve menaxhohet nga BGI, aksione të së cilës u blenë më 2014 nga pushteti lokal i Shenzheni dhe banka më e madhe e investimeve në Pekin.

Reuters nuk ka zbuluar shkelje të marrëveshjeve me klientët mbi privatësinë apo të rregullave. Megjithatë, faqja e politikës së privatësisë mbi testet NIFTY thotë se të dhënat e grumbulluara mund të jenë të disponueshme kur lidhen direkt me çështje të sigurisë kombëtare apo të mbrojtjes. Pekini e ka bërë të qartë në një rregullore të vitit 2019 se të dhënat gjenetike mund të jenë çështje sigurie kombëtare dhe që më 2015 e ka kufizuar aksesin e shkencëtarëve të huaj në të dhënat gjenetike mbi popullin kinez. Në të kundërt, SHBA dhe Britania e Madhe iu lejojnë akses shkencëtarëve të huaj, si pjesë e politikave shkencore të hapura.

BGI tha në një deklaratë se nuk i është kërkuar kurrë dhe nuk u ka dhënë asnjëherë të dhëna nga testet NIFTY autoriteteve kineze për qëllime të sigurisë kombëtare apo të mbrojtjes kombëtare. Edhe kompani të tjera që shesin teste të tillë i ripërdorin të dhënat për arsye shkencore. Por asnjë nuk operon në shkallën e BGI-së, thanë shkencëtarët, as nuk kanë lidhje me ndonjë qeveri apo ushtri.

Lajmet që BGI zhvilloi testet paralindje në bashkëpunim me Ushtrinë Çlirimtare të Popullit dalin teksa është në rritje shqetësimi për përdorimin nga ana e Kinës të teknologjisë civile për modernizim ushtarak.

REUTERS

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0