Këshilla për kujdesin ndaj vetes për ata që nuk kanë kohë................ - Business Magazine Albania

Këshilla për kujdesin ndaj vetes për ata që nuk kanë kohë

Nëse je nga ata njerëz që çdo mëngjes hap sytë me një alarm që të kujton se ke tre mbledhje, një raport për të dorëzuar dhe inbox-in që po shpërthen nga email-et, ky shkrim është për ty.

Në një botë ku “i zënë” është bërë status social, kujdesi ndaj vetes shpesh perceptohet si luks. Por pikërisht kur nuk ke kohë, është momenti kur ke më shumë nevojë të kujdesesh për veten. Jo për të humbur kohë, por për të fituar qartësi, energji dhe balancë në një ritëm jete që nuk ndalet.

Lexo gjithashtu: Mirësia ju bën më të lumtur se një pagë më e lartë, Raporti i Lumturisë 2025 ju tregon pse

Burnout-i nuk të troket në derë, ai hyn pa trokitur

Stresi i vazhdueshëm në punë, orët e zgjatura dhe pritshmëritë e larta shpesh çojnë drejt një pike ku mendja lodhet, trupi sfilitet dhe kreativiteti thahet. Burnout-i nuk është vetëm një ndjenjë lodhjeje, është një gjendje që ndikon në aftësinë për të menduar qartë, për të marrë vendime dhe për të qenë prezent në jetën tënde.

Por ka lajme të mira, nuk ke nevojë për një pushim dyjavor në Bali që të ndihesh më mirë. Kujdesi për veten mund të fillojë me disa minuta në ditë.

Si të kujdesesh për veten, pa pasur nevojë për një orar të ri?

Në vend që të fillosh ditën me email-in apo rrjetet sociale, provo të krijosh një ritual më të ngrohtë për veten. Një kafe e pirë në qetësi, disa minuta frymëmarrje e thellë, një shëtitje e shkurtër apo një ushtrim mund të bëjnë diferencën midis një dite që të rrëmben dhe një dite që e ke nën kontroll.

Gjatë ditës, vendos një reminder për një pushim të shkurtër, edhe 5 minuta janë mjaftueshëm për të mbyllur sytë, për të bërë një ushtrim të lehtë ose thjesht për të mos bërë asgjë. Dhe në darkë, ndalo së scroll-uari në krevat. Lexo një faqe libri, dëgjo pak muzikë të qetë, ose thjesht hesht, truri yt do të të falënderojë.

Lexo gjithashtu: “​Raporti Botëror i Lumturisë 2025” – Shqiptarët e Kosovës më të lumtur se shqiptarët e Shqipërisë!

Po për periudhë afatgjatë?

Mëso të thuash “jo” pa ndjerë faj. Respekto kohën tënde të lirë si një takim i rëndësishëm. Mos u ndiej i detyruar të japësh llogari për çdo minutë që vendos t’ia dedikosh vetes.

Mbaj mend se një ushqim i shëndetshëm nuk kërkon domosdoshmërisht një orë në kuzhinë, ndonjëherë mjafton të përzgjedhësh diçka më pak të përpunuar. Hidratohu. Lëvize trupin, edhe nëse është thjesht një ecje rreth pallatit. Dhe nëse je tip teknologjik, përdor aplikacione për meditim, monitorim të zakoneve ose thjesht për t’u kujtuar të marrësh frymë thellë.

Kujdesi për veten nuk është egoizëm. Është strategji jetese.

Kur kujdesesh për veten, nuk bëhesh më pak i përkushtuar ndaj punës, përkundrazi, bëhesh më i aftë të përballosh sfidat, të marrësh vendime të mençura dhe të japësh më shumë nga vetja. E gjitha nis me pranimin se ti, me gjithë axhendën tënde të mbushur, ke të drejtën (dhe nevojën) për pak qetësi.

Mos e shty më për nesër. Fillon sot. Fillon me ty.

SUCCESS

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0