Tregu europian i punës po kalon një transformim të shpejtë. Inovacioni teknologjik dhe nevojat e reja të shoqërisë po ndryshojnë rrënjësisht mënyrën si funksionojnë sektorë të ndryshëm. Në këtë sfond, qeveritë në të gjithë kontinentin po bëjnë thirrje për masa urgjente për të adresuar mungesat e fuqisë punëtore dhe të aftësive profesionale.
Por cilat janë vendet e punës më të kërkuara aktualisht në Europë? Platforma globale e punësimit Indeed ofron një pasqyrë të qartë përmes të dhënave mbi shpalljet për punësim, të mbledhura në katër shtete kyçe: Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Holanda, gjatë periudhës mars–maj 2025.
Menaxhimi, shitjet, instalimi & mirëmbajtja në krye të listës
Tre sektorët që dominojnë listën në të gjitha vendet janë: menaxhimi, shitjet, instalimi dhe mirëmbajtja. Këto fusha paraqiten ndër pesë të parat për çdo shtet, duke i bërë ato më të kërkuarat në kontinent.
Në Gjermani, punët në instalim dhe mirëmbajtje zënë 14.5% të shpalljeve për punë,përqindja më e lartë për këtë sektor. Në Holandë, ato përbëjnë 9%, në Francë 6.9% dhe në MB 5.7%. Këto role përfshijnë riparime dhe inspektime të pajisjeve dhe infrastrukturës, të domosdoshme për funksionimin e çdo industrie.
Po ashtu, teknicienët e instalimeve, të cilët kujdesen për konfigurimin korrekt dhe në kohë të sistemeve teknologjike në biznese apo në shtëpi, janë gjithashtu shumë të kërkuar.
Në rolet menaxheriale, Mbretëria e Bashkuar kryeson me 10.2% të shpalljeve, ndjekur nga Holanda (10.1%), Franca (7.6%) dhe Gjermania (6.4%).
Lexo edhe: 10 destinacionet më të mira në Evropë për nomadët digjital, mes tyre edhe Tirana
Shitjet janë gjithashtu thelbësore: 9.9% e vendeve të shpallura për punë në Gjermani janë në këtë sektor, 9.2% në Francë, 8.5% në Holandë dhe 6.7% në Mbretërinë e Bashkuar. Indeed thekson se çdo kompani varet nga ekipe të afta shitjeje për të gjeneruar të ardhura dhe për të pasur sukses.
Ushqimi, administrata dhe zhvillimi softuerik gjithashtu në rritje
Sektori i përgatitjes dhe shërbimit të ushqimit rezulton të jetë më i kërkuari në Mbretërinë e Bashkuar (10.4%), në vendin e dytë në Francë (7.8%) dhe të tretin në Holandë (5.9%).
Ndihma administrative përbën një pjesë të konsiderueshme të shpalljeve në Gjermani (7.2%), MB (4.7%), Holandë (4.4%) dhe Francë (3.6%).
Ndërkohë, zhvillimi i softuerit renditet i gjashti në mesatare për të katër shtetet, me 3.9%. Gjermania prin me 5%, ndjekur nga Holanda (3.8%), Franca (3.5%) dhe Mbretëria e Bashkuar (3.1%).
Katër sektorë të tjerë me mesatare mbi 3.5% janë: pastrimi dhe higjiena, shitja me pakicë, arsimi dhe mësimdhënia, si dhe infermieria.
Ndërtimi, prodhimi dhe kontabiliteti gjithashtu renditen me mesatare mes 3 dhe 3.5% në të katër vendet.

Tregje të ndryshme, kërkesa të ndryshme
Në Mbretërinë e Bashkuar, kujdesi personal dhe shëndetësia në shtëpi përbëjnë 6.3% të shpalljeve, duke u renditur në vendin e katërt. Arsimi dhe mësimdhënia janë gjithashtu të rëndësishme (5.3%).
Në Gjermani, përveç roleve teknike dhe administrative, ndihma teknike dhe operacionet IT përbëjnë 4.3% të shpalljeve.
Në Francë, pastrimi përfaqëson 5.4% të shpalljeve, ndërsa kërkesa për personel mjekësor është gjithashtu e lartë: infermierët (4.2%), kujdesi në shtëpi (4%) dhe mjekët/kirurgët (3.6%).
Në Holandë, infermieria përbën 8.3% të shpalljeve, sektori i katërt më i kërkuar. Po ashtu, ka një kërkesë të lartë për personel në kujdesin për fëmijët (1.9%).
Profesionet e së ardhmes: AI, teknologji dhe energji e gjelbër
Ndërsa shumë nga rolet tradicionale vijojnë të jenë në kërkesë të lartë, profesione të reja po shfaqen me shpejtësi. Pawel Adrjan, drejtor i kërkimeve ekonomike në Indeed, tha për Euronews Business: “Presim që profesione si inxhinierë të AI/GenAI, analistë të të dhënave klimatike, specialistë etike të të inteligjencës artificiale dhe role në qëndrueshmëri mjedisore të kalojnë në kategorinë e më të paguarve në 5–10 vitet e ardhshme.”
Për më tepër, rritja e pagave në 25 profesionet më të mëdha në të katër vendet ofron një dritare të rëndësishme mbi tendencat e tregut të punës dhe orientimet e karrierës për të ardhmen.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto