Pas hyrjes në fuqi më 1 shkurt të këtij viti të policës së sigurimit “Karton Jeshil” 1-vjeçar me Malin e Zi, një marrëveshje e tillë është arritur edhe me Maqedoninë e Veriut. Duke filluar nga sot , qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me çmim të reduktuar prej 50 Euro për 12 muaj.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare, ka bashkëpunuar ngushtë me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS), për të lehtësuar lëvizjen e autoveturave me targa shqiptare drejt vendeve kufitare.
Bazuar në vendimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve (BSHS), qytetarët shqiptarë mund të pajisen tashmë në të gjitha pikat e shitjes së shoqërive të sigurimit me policën e sigurimit “Karton Jeshil” për autovetura me vlefshmëri 12-mujore, me çmim 50 Euro, e cila mbulon territorin e Maqedonisë së Veriut. “Kartoni Jeshil” është një dokument sigurimi ndërkombëtar, që mbulon përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto