Jeff Bezos: Një vendim karriere që rrit shanset për sukses në biznes - Business Magazine Albania

Jeff Bezos: Një vendim karriere që rrit shanset për sukses në biznes

Nuk është e nevojshme të nisësh një kompani që në moshën 20-vjeçare për t’u bërë një sipërmarrës i suksesshëm, sipas Jeff Bezos. Përkundrazi, themeluesi miliarder i Amazon-it rekomandon që të rinjtë të punojnë për disa vite në një kompani të suksesshme e të konsoliduar, përpara se të hedhin hapin drejt sipërmarrjes së tyre.

Sipas tij, përvoja praktike që fiton gjatë atyre viteve “rrit ndjeshëm gjasat” që më vonë të ndërtosh një biznes të qëndrueshëm dhe fitimprurës. “Unë gjithmonë u këshilloj të rinjve: punoni në një kompani që është shembull për praktikat më të mira, ku mund të mësoni gjërat bazë e themelore,  si të punësoni mirë, si të intervistoni, e të tjera si këto,” tha Bezos në Italian Tech Week në Torino. “Në kompani të mëdha mësoni shumë gjëra që do t’ju ndihmojnë më vonë. Do të keni mjaftueshëm kohë për të nisur një kompani pasi të keni thithur këto njohuri.” Shumë sipërmarrës kanë themeluar startup-e me vlerë miliardëshe pa përvojë pune apo pa mbaruar universitetin, por Bezos i quan këto “përjashtime nga rregulli”. Studimet tregojnë se shumica e startup-eve të mbështetura nga investitorë dështojnë, ndërsa ato që arrijnë sukses shpesh drejtohen nga themelues më të pjekur me përvojë profesionale. Një analizë e TechCrunch në vitin 2021 mbi më shumë se 150 themelues të programit Y Combinator, startup-et e të cilëve arritën vlerësime mbi 1 miliard dollarë, zbuloi se mosha mesatare e tyre në momentin e themelimit ishte pak mbi 28 vjeç. Ndërkohë, një studim i MIT-it në 2019 tregoi se mosha mesatare e themeluesve të bizneseve me rritje të lartë është 45 vjeç.

Lexo edhe: Rritja e çmimeve të banesave dhe turizmi, si po “fluturojnë” qiratë

Edhe Michael Seibel, bashkëthemelues i Twitch dhe partner në Y Combinator, ndan të njëjtin mendim: “Këshilla ime më e mirë është të zhvendosesh në një qendër teknologjie, të punosh në një kompani teknologjike derisa të kursesh para, të gjesh bashkëpunëtorët e duhur dhe të zbulosh problemin që të pasionon,” ka shkruar ai në një postim më 2017. “Nuk ka asgjë të keqe të vonosh nisjen për t’i dhënë vetes mundësinë më të mirë për sukses.” Bezos ishte 30 vjeç kur nisi Amazon-in. Pas diplomimit në Princeton në inxhinieri elektrike dhe shkencë kompjuterike, ai punoi fillimisht në startup-in Fitel, më pas si menaxher produkti në Banker’s Trust (sot pjesë e Deutsche Bank), dhe më vonë si nënkryetar në fondin e investimeve D.E. Shaw. Pikërisht aty, duke hulumtuar mundësitë e tregut në internetin e sapolindur, ai pa një statistikë që tregonte se përdorimi i rrjetit po rritej me 2 300 % në vit, çka ndezi idenë për të krijuar një platformë shitjeje online. Ai thotë se këto dhjetë vite përvojë para Amazon-it i dhanë një bazë të fortë për suksesin e mëvonshëm. “Besoj se ato 10 vite shtesë përvoje rritën ndjeshëm gjasat që Amazon të kishte sukses,” tha ai, duke shtuar se nuk është penduar që mbaroi universitetin. “E shijova universitetin dhe mendoj se më ka ndihmuar shumë.” Edhe Bill Gates, i cili la Harvard-in për të ndërtuar Microsoft-in, ka shprehur një ndjenjë pendese për ndërprerjen e studimeve. Ai i ka thënë CNBC Make It se “nuk është person që promovon lënien e universitetit”, duke theksuar rëndësinë e njohurive të gjera. “Jam fans i madh i një baze të gjerë dijesh, dhe mendoj se është e rrallë që dikush ta ndërpresë universitetin për shkak të një mundësie urgjente,” ka shtuar ai.

 Bezos dhe shumë liderë të tjerë besojnë se suksesi në biznes nuk varet nga nisja e hershme, por nga përgatitja e thellë. Eksperienca, mësimet dhe rrjeti profesional që ndërton në vitet e para të karrierës janë shpesh themeli i çdo sipërmarrjeje të madhe që vjen më pas.

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0