Rritja e çmimeve të banesave dhe turizmi, si po “fluturojnë” qiratë - Business Magazine Albania

Rritja e çmimeve të banesave dhe turizmi, si po “fluturojnë” qiratë

Shqipëria, me disa nga akomodimet më të lira në rajon

Shpenzimet e familjeve për qiratë janë duke u zgjeruar me shpejtësi vitet e fundit. Megjithëse sektori i ndërtimit është në kulm prej vitesh, me shtim të ofertës për banesa, zgjerimi i kërkesës nga turistët dhe mbajtja në stok të pa përdorur e një pjese të objekteve të reja po rrit nivelin e qirave përtej mundësive të qytetarëve me të ardhura mesatare, sidomos në Tiranë.

Në shtator 2025, përbërësi kryesor i inflacionit ishin çmimet e qirave; më parë, rritja mesatare e çmimeve dominohej nga ushqimet.

Në shtator 2025, inflacioni shënoi 2.4%. Në këtë rritje, qiraja kontribuoi me 34.5 pikë përqindje, ushqimet me 26.2 pikë përqindje, ndërsa pjesa tjetër nga grupet e tjera të mallrave të konsumit.

Sipas një raporti të mëparshëm të Deloitte, rritja e kërkesës nga turizmi afatshkurtër çoi në rritje të qirave me 20% në fund të vitit 2024, me apartamente njëdhomëshe (1+1) në Tiranë që jepen me 500–800 euro në muaj (rreth 8–12 euro për metër katror).Të dhënat afatgjata tregojnë se nga viti 2016 deri në pandemi, rritjet vjetore të qirave ishin minimale, duke lëvizur nga 0.0% – 1%.

Nga viti 2023 e në vijim, ritmi i rritjes së çmimeve të qirave nisi të përshpejtohet. Gjatë gjithë vitit 2024, indeksi ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke kaluar nga rreth 0.9% në janar, në mbi 3% në pranverë, për të arritur rreth 5.2% në gusht.

Në të dhënat e vitit 2025, vërehet se rritja është bërë edhe më e fortë. Indeksi i çmimeve për qiratë në janar 2025 është rreth 0.9%, por më pas shënon ngjitje të fortë në mars (2.1%), prill (2.5%), maj (3.6%) dhe veçanërisht në verë, ku në korrik arrin 5.4% dhe në shtator 6.6%.

Lexo: BE-ja sjell Wi-Fi falas në të gjitha bashkitë në Shqipëri

Inflacioni i qirave tregon se presioni mbi tregun e banesave është rritur ndjeshëm gjatë vitit, për shkak të kërkesës së lartë nga turizmi dhe rritjes së çmimeve të banesave.

Çmimet e larta të banesave po frenojnë planet e qytetarëve për të blerë shtëpi dhe, në këtë mënyrë, rrisin kërkesën për qira.

Në vitet 2016–2020, tregu i qirave në Shqipëri ka qenë relativisht i qëndrueshëm, me luhatje të vogla. Kjo periudhë përkoi me një ofertë të bollshme apartamentesh të reja, veçanërisht në Tiranë dhe qytetet bregdetare, ndërsa kërkesa ishte e kufizuar për shkak të emigracionit dhe ngadalësimit të ritmeve të rritjes së të ardhurave.

Kriza pandemike e vitit 2020, e ndjekur nga kufizimet në lëvizje dhe mbyllja e tregut turistik, çoi përkohësisht në ulje të qirave, duke e mbajtur indeksin nën nivelin e inflacionit.

Pas vitit 2022, panorama ndryshoi ndjeshëm. Rritja e kërkesës nga turizmi dhe platformat Airbnb dhe Booking kanë reduktuar ndjeshëm ofertën për qira afatgjata. Një pjesë e madhe pronash të lira, sidomos në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Sarandë, janë kthyer në njësi për qira ditore.

Sipas të dhënave të tjera nga Airbnb rreth 21 mijë apartamente e njësi të tjera banimi ishin të disponueshme për t’u dhënë me qira në fund të vitit 2024. Këto njësi gjeneruan një rekord të ardhurash prej 85 milionë eurosh, pothuajse dy herë më e lartë se në vitin 2023.

Gjithashtu, lëvizja e popullsisë drejt zonave urbane, veçanërisht drejt Tiranës, është një shtysë e përhershme për rritjen e qirave në kryeqytet.

Megjithëse ndërtimi i apartamenteve të reja ka qenë intensiv, për shkak të çmimit të shtrenjtë, me një mesatare prej 2000-2100 euro/m2 shumë prej tyre janë blerë për investim apo nga emigrantë që nuk i përdorin për banim të përhershëm. Kjo ka krijuar një mungesë reale të ofertës së qirave funksionale, duke rritur presionin mbi tregun aktiv./ B.Hoxha

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0