JA Worldwide është nominuar për Çmimin Nobel të Paqes 2025, një vlerësim që i bëhet kontributit të organizatës në fuqizimin ekonomik, prosperitetin dhe paqen globale.
Nominimet për këtë çmim mund të bëhen nga krerë shtetesh, disa zyrtarë të zgjedhur dhe anëtarë kabineti, profesorë universitarë në fusha të caktuara, laureatë të mëparshëm të Nobelit dhe individë të tjerë të shquar, sipas kritereve të vendosura nga Komiteti i Nominimeve të Nobelit. JA Worldwide është nominuar për herë të parë në vitin 2022 dhe që atëherë ka marrë nominime të vazhdueshme çdo vit.
Si një nga organizatat më të mëdha në botë që u shërben të rinjve, JA Worldwide kombinon një rrjet global të shtrirë në mbi 100 vende me një prani të fortë lokale. Vetëm gjatë vitit të kaluar, organizata realizoi mbi 19 milionë përvoja mësimore për studentët, duke krijuar një brez të ri liderësh të aftë, sipërmarrës dhe etikë, të gatshëm për të nxitur industritë, inovacionin, stabilitetin social dhe ekonominë globale.
Për më shumë se një shekull, organizata ka operuar në qytete të mëdha, zona rurale dhe rajone të prekura nga konflikte, duke përfshirë kampet e refugjatëve. Në këto kushte, të rinjtë jo vetëm që fitojnë aftësi dhe njohuri, por edhe ndërtojnë shpresë për të ardhmen si krijues të vendeve të punës, liderë dhe inovatorë që kontribuojnë në paqen dhe zhvillimin e komuniteteve të tyre.
Në një kohë kur pasiguria ekonomike po rritet në nivel global, Asheesh Advani, CEO i JA Worldwide, thekson nevojën për përgatitjen e brezave të rinj:
“Dekada e ardhshme do të kërkojë një fuqi punëtore jo vetëm të aftë, por edhe të adaptueshme dhe sipërmarrëse. Me transformimin e botës nga inteligjenca artificiale, miliona të rinj rrezikojnë të mbeten prapa, duke u bërë të papunësueshëm dhe të paangazhuar. Përmes një edukimi të bazuar në aftësi, organizata ndihmon të rinjtë të zhvillojnë një mentalitet nga ‘Nuk mundem’ në ‘Mundem’.”
Ndërkohë, Karen Reddington, Kryetare e JA Worldwide, vë theksin tek lidhja mes edukimit dhe stabilitetit global:
“Edukimi dhe fuqizimi ekonomik janë thelbësore për prosperitetin. Pa një zhvillim të barabartë për të gjitha komunitetet, paqja nuk mund të jetë e qëndrueshme.”
Deri më sot, Çmimi Nobel i Paqes është dhënë për 142 laureatë, përfshirë 111 individë dhe 31 organizata. Mes tyre është Médecins Sans Frontières (Doctors Without Borders), që e fitoi çmimin në vitin 1999, si dhe UNICEF, e shpërblyer në vitin 1965 pas disa nominimesh të njëpasnjëshme. Në vitin 2023, Nihon Hidankyo, një organizatë japoneze e mbijetuarve të bombave atomike, u nderua për përpjekjet e saj në ndërgjegjësimin mbi efektet shkatërrimtare të armëve bërthamore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.