Ja cilët janë eksportuesit më të mëdhenj në Shqipëri - Business Magazine Albania

Ja cilët janë eksportuesit më të mëdhenj në Shqipëri


Si ekonomia shqiptare vijon të mbështetet te krahu i lirë i punës, shitja e burimeve natyrore (të dyja pa vlerë të shtuar) dhe rieksportet, ndërsa rajoni po ecën përpara drejt teknologjisë dhe industrisë mbështetëse të makinave?

Ecuria e eksporteve në vitin 2016 është kronikë e një rënieje të paralajmëruar, që nuk solli asnjë surprizë. Ndodhi ashtu siç pritej, çmimet e ulëta të naftës dhe dalja nga tregu e prodhuesit të çelikut Kurum (që shpalli falimentin për efekt ristrukturimi në shkurt 2016) e dhanë efektin e tyre.
Shitjet jashtë vendit në 2016-n ishin rreth 1.8 miliardë euro, me një rritje të papërfillshme prej 0.1% në raport me vitin e kaluar, sipas të dhënave nga INSTAT. Koniunktura e pafavorshme ndërkombëtare, me çmimet e ulëta të karburanteve e mineraleve, ishte arsyeja kryesore e kësaj tendence, e cila nxjerr në pah brishtësinë e eksporteve shqiptare, për të cilën po flitet në vite, por situata në vend të përmirësohet po përkeqësohet: avantazhet tona kryesore konkurruese janë vetëm dy, krahu i lirë i fuqisë punëtore dhe burimet e pasura natyrore që na i ka dhënë natyra. Këto dy grupe zënë rreth 70% të totalit të produkteve që sigurojnë hyrjen e valutës në vend.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 2016-n, tre kapitujt më të eksportuar ishin produktet e veshjeve, të këpucëve dhe lëndët djegëse minerale. Rënia e fortë e lëndëve djegëse është amortizuar disi nga performanca e mirë e tekstileve e këpucëve, ndërsa grupet e tjera janë aktorë shumë të vegjël në lojën e madhe të eksporteve (shih grafikun 10 produktet më të eksportuara).

1

2016-a ishte viti i dytë radhazi me performancë negative të eksporteve, që ka ardhur kryesisht nga rënia e grupit të lëndëve djegëse e mineraleve. Ishte nafta ajo që i dha lavdinë eksporteve tona deri në vitin 2013, por që ia mori shumë shpejt atë.

2-48

Baza e eksporteve jo vetëm nuk ka arritur të diversifikohet vitet e fundit, por përkundrazi, në vitin 2016 pati hapa prapa. Pesha e grupit “tekstile dhe këpucë” ka arritur në gati gjysmën e totalit, në 44%, nga 37% që ishte një vit më parë. Përveçse eksportet e këtij grupi, pavarësisht zhvillimeve pozitive, janë kryesisht me vlerë të ulët të shtuar, ato e lënë vendin të varur ndaj goditjeve që mund të vijnë nga shteti fqinj, Italia. Industria tekstile e këpucëve punon kryesisht me material porositësi për kompanitë e shtetit fqinjë dhe ka si avantazh kryesor konkurrues krahun e lirë të fuqisë punëtore.

Grupi i dytë më i madh është ai i “lëndë djegëse dhe energji” me 19% të totalit nga 27% një vit më parë. Edhe ky grup ka si bazë shitjen e lëndës së parë të papërpunuar, kryesisht naftë bruto dhe është shumë i varur nga luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Pas këtyre dy grupeve, renditen “materiale ndërtimi e metale”, me 13% të totalit dhe “ushqime e duhan”, me 10% të totalit.

Pse kemi ecurinë më negative në rajon?

Shqipëria ishte e vetmja në rajon që u përball me një performancë negative të eksporteve. Edhe në raport me madhësinë e ekonomisë, Shqipëria paraqitet më dobët. Vendet e tjera janë shumë më të diversifikuara si për sa u përket produkteve që eksportojnë, vlerës së shtuar të tyre, ashtu dhe destinacioneve (kujtojmë se Italia është pritësja e rreth 50% të eksporteve tona, duke e lënë vendin të varur nga zhvillimet në shtetin fqinj). Maqedonia dhe Serbia po ecin mirë sidomos në industrinë e makinave dhe pjesëve të tyre. Industria përpunuese dominon përgjithësisht eksportet e rajonit, teksa fqinjët që nuk kanë “mallkimin” tonë të burimeve të pasura natyrore, janë përpjekur më shumë për të pasur një ekonomi më konkurruese dhe eficiente. Ndryshe nga ne, që i kemi varur shpresat te kërkesa e Italisë së dobët për veshje dhe këpucë, fqinjët janë më të sigurt me ekonominë më të fuqishme të Europës, Gjermaninë.

Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia ka regjistruar rritje pozitive të eksporteve, që është përshpejtuar nga 6% në tremujorin e dytë në 18% në të tretin (për krahasim në Shqipëri, për tremujorin e tretë, ndryshimi vjetor i eksporteve ishte -4.4%). Produktet kryesore të eksportuara janë katalizatorët (rreth 1.2 miliardë dollarë, apo sa gati 60% e gjithë eksporteve shqiptare), centrifugat ($425M), xeherorët ($383M), fije dhe kabllo elektrike ($255M) veshje për femra ($194M), sipas burimeve zyrtare. Në total, eksportet e Maqedonisë (një ekonomi me madhësi më të vogël se e jona), janë rreth 5.2 miliardë euro, apo gati trefishi i atyre shqiptare.

Katalizatorët në Maqedoni prodhohen nga Johnson Controls DOOEL, një ndër më të mëdhatë në botë për prodhimin e pjesëve të automjeteve, e cila ka pasur interes për të hyrë në tregun shqiptar, por është tërhequr për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar dhe kostove më të larta. Në Maqedoni, ajo ka hapur dy fabrika me mbi 3 mijë të punësuar dhe në vitin 2015 realizoi një xhiro vjetore prej 1.2 miliardë eurosh, sipas të dhënave rajonale të publikuara nga See News, duke pasur një xhiro katër herë më të lartë se kompania më e madhe shqiptare.

Mal të Zi, eksportet u rritën përkatësisht me 28.4% dhe 14.6% në tremujorin e dytë dhe të tretë. Sektori i eksporteve të Malit të Zi është i udhëhequr nga baza e industrisë përpunuese, sipas Trading Economics. Eksportet kryesore të Malit të Zi janë metalet, energjia, xeherorët dhe skrapi i metaleve, hekuri dhe çeliku, pijet dhe produktet e naftës. Partnerët kryesorë të Malit të Zi janë Serbia, Hungaria, Kroacia, Greqia, Gjermania, Italia, Bosnjë dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Turqia.

Serbi, eksportet kanë shënuar rritje me bazë vjetore prej rreth 10% për tremujorin e dytë e të tretë, 2016. Destinacionet kryesore të eksporteve serbe janë Gjermania, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi, Rumania, Rusia dhe Maqedonia. 10 produktet më të eksportuar në Serbi për vitin 2015, sipas të dhënave të FMN-së, janë:
-Automjetet, 1.6 miliardë dollarë (11.8% e eksporteve totale)
-Pajisjet elektronike, 1.3 miliardë dollarë (9.8%)
-Makineritë, motorët, pompat 926.9 milionë dollarë (7%)
-Plastika 656.9 milionë dollarë (4.9%)
-Frutat, frutat e thata, 582.3 milionë dollarë (4.4%)
-Hekuri dhe çeliku, 491.4 milionë dollarë (3.7%)
-Gomat e makinave, 489.3 milionë dollarë (3.7%)
-Drithërat, 470.3 milionë dollarë (3.5%)
-Mobilie, ndriçim, sinjalistikë, 379.1 milionë dollarë (2.8%)
-Nafta, 378.9 milionë dollarë (2.8%)

Bosnjë-Hercegovinë, eksportet u rritën me 10% në 2016-n. Industria përpunuese (90% e eksporteve totale) dominon gjerësisht fluksin e eksporteve, sipas Trading Economics. Bosnja dhe Hercegovina kryesisht eksporton pajisje makinerie dhe transporti (17% të eksporteve totale), produkte kimike (8%), materiale të para përveç naftës (8%), produkte të naftës minerale, lubrifikante dhe produkte të ngjashme (7%) produkte ushqimore dhe shtazore (6%). Partnerët kryesorë të Bosnjë dhe Hercegovinës janë Gjermania, Italia, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Austria dhe Turqia.
Edhe në raport me madhësinë e ekonomisë (Prodhimin e Brendshëm Bruto, PBB), Shqipëria ka performancën më negative. Eksporti i mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri është rreth 27% e PBB-së, në Maqedoni është rreth 50% e PBB-së, në Serbi po rreth 50% e PBB-së, në Mal të Zi rreth 42% e PBB-së dhe në Bosnjë 35.1%.

3-36

EKSPORTUESIT MË TË MËDHENJ

Lista e 100 eksportuesve më të mëdhenj në vend është një tjetër dëshmi e bazës së brishtë të këtij segmenti të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Të dhënat e fundit të disponueshme janë ato të vitit 2015. Në listë mbizotërojnë sipërmarrjet e naftës (shitje e burimeve natyrore, ose rieksport) dhe ato të regjimit të përpunimit aktiv (fason), kryesisht nga industria e veshjeve e këpucëve, që shfrytëzon avantazhin e krahut të lirë të fuqisë punëtore, prodhuesit e çimentos (një industri me normë të lartë ndotjeje), apo dhe ricikluesit (një industri thjesht pastruese). Nuk ka ndonjë hyrje të re mbresëlënëse, në industrinë mbështetëse të makinave (siç po ndodh me fqinjët) apo në teknologjinë e informacionit, ku po synon e gjithë bota sot.

Mbizotërojnë në numër sipërmarrjet e prodhimit të veshjeve të këmbëve, që mund të konsiderohet si industria që ka përparuar më shumë vitet e fundit, teksa ka arritur të mbyllë ciklin dhe të rrisë vlerën e shtuar.

Ka dhe shumë kompani në listë, që realisht nuk janë eksportuese të mirëfillta, por thjesht rieksportuese (shiko tabelën e detajuar në vijim).
Po cilët janë eksportuesit më të mëdhenj në vend:

Bankers vijon të qëndrojë i pari

Bankers Petroleum, kompania që shfrytëzon me koncesion burimin e naftës në Patos Marinzë, është jo vetëm sipërmarrja kryesore në vend (e dyta në 2015-n), sipas qarkullimit vjetor, por edhe eksportuesi më i madh. Kurorën e të parit ai nuk po e lëshon, pavarësisht rënies së ndjeshme vitet e fundit, si rrjedhojë e koniukturës së pafavorshme ndërkombëtare. Eksportet e kompanisë për vitin 2015 ranë me 40% me bazë vjetore, ndërsa janë përgjysmuar në krahasim me 2013-n, kur ishte dhe viti kulmor i saj.
Pasha e madhe e Bankers në totalin e eksporteve shqiptare i bën këto të fundit shumë të varura nga ecuria e kompanisë, ku rënia e viteve të fundit ka marrë me vete treguesin total të gjithë këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë.

…Në listën e eksportuesve të mëdhenj ka dhe kompani të tjera të nxjerrjes së naftës, si Transoil, një hyrje e re në listë, ndonëse me shitje minimale prej rreth 330 milionë lekë. Transatlantic Petroleum (ish Stream Oil) ka përgjysmuar eksportet në rreth 880 milionë lekë. Kompania ka pasur probleme me detyrimet ndaj shtetit dhe furnitorëve, çka ka bërë që kompania shtetërore Albpetrol sh.a., në janar të këtij viti të nisë procedurën për marrjen në dorëzim të vendburimit të naftës Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollaj. Veprimi është kryer në zbatim të urdhrit të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Ministria e Energjisë, që prej datës 07.12.2013 ka rolin e përfaqësuesit të aksionerit shtet në shoqërinë e naftës. Arsyeja e marrjes së këtyre dy vendburimeve nga kompania koncesionare është mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale ku ndër më kryesoret është krijimi i një detyrimi të madh financiar kundrejt Albpetrol sh.a. Ky detyrim kap shifrën 20 milionë dollarë, pjesa thelbësore e të cilit është krijuar gjatë viteve 2008-2013.

Fundi pa lavdi i Kurum

Kurum International ishte deri në vitin 2015 eksportuesja e dytë më e madhe në vend, me shitje jashtë vendit prej 11 miliardë lekë, me rënie prej 17% me bazë vjetore. Në shkurt 2016, kompania shpalli falimentin për arsye ristrukturimi, duke u bërë sipërmarrja e parë e këtyre përmasave në vend, që mbyllet. Arsyet që e çuan Kurum drejt falimentit janë të shumta dhe janë zbardhur në bilancin e saj të vitit 2015.

Kompania rezulton me një levë të lartë financiare, me raportin detyrime/kapital i vet që ishte 3.8 në fund të vitit 2014 (çka nënkupton se detyrimet janë gati 4 herë më të larta se mjetet e veta), ndërkohë që një raport maksimal i levës ku një sipërmarrje vlerësohet se ka aktivitet të qëndrueshëm, është 1.5. Blerja e hidrocentraleve tërësisht me kredinë prej 106 milionë eurosh ka shtuar dukshëm barrën e borxheve të Kurum.

Ajo u zhyt në një krizë likuiditeti, teksa nga njëra anë pret të arkëtojë 19 miliardë lekë nga furnitorët dhe në kahun tjetër ka rreth 17 miliardë lekë detyrime ndaj të tretëve. Rënia e çmimeve të hekurit në tregjet ndërkombëtare dhe tkurrja e kërkesës së brendshme si rrjedhojë e krizës së ndërtimit duket se i ka dhënë goditjen përfundimtare kompanisë. Në bilancin e 2015-s, Kurum konstaton se sektori i ndërtimeve, me të cilin Kurum e ka të lidhur ngushtësisht aktivitetin, ka rënë për dy arsye, se pari shteti ka pezulluar lejet e ndërtimit dhe së dyti ka rënë shitja e apartamenteve.

Efektet e krizës globale financiare kanë vijuar të kenë ndikim të rëndësishëm në likuiditetet e kompanisë. “Kohëzgjatja e krizës dhe rritja e vonuar e industrive dhe sektori bankar mund të shkaktojë një reduktim në para të gatshme nga operacionet, disponueshmërinë e kredisë, një rritje të kostove dhe një vonesë në kohën apo zvogëlimin e shpenzimeve kapitale të planifikuara”, thuhet në bilanc.

Janë rreth 230 milionë euro borxhe që kompania Kurum u ka lënë të tretëve, kryesisht banka vendase dhe të huaja. Rreth 18% e kësaj shume, apo 42 milionë euro, është kredi e marrë në bankat shqiptare dhe rreth 600 mijë euro ndaj furnitorëve në Shqipëri. Pjesa tjetër është hua e marrë në bankat ndërkombëtare (IFC dhe Banka e Detit të Zi dhe bankat turke).

Kreditori më i madh është Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) me 55 milionë euro, por kjo kredi është e siguruar. Më pas vjen Banka e Detit të Zi, me 30.5 milionë euro, edhe këto të siguruara. Nga bankat vendase, kreditori më i madh është Raiffeisen, me 21 milionë euro, nga të cilat vetëm 5.2 mln euro janë të siguruara. I dyti është Banka Kombëtare Tregtare, ndaj të cilit Kurum ka një hua të pashlyer prej rreth 10.2 milionë eurosh, gjysma e së cilës është e siguruar. Më pas janë Societe Generale me 5 milionë euro, NBG me 3.6 milionë euro dhe Pro Credit me 500 mijë euro.

Totali i kredisë që Kurum ka në bankat shqiptare është 42 milionë euro (kredi + interesa). Shtimi i huasë së Kurum në listën e kredive me probleme ishte një nga faktorët kryesorë që rriti treguesin e NPL-ve përgjatë 2016-s.

Albchrome kalon në eksportuesin e tretë

Albchrome kaloi në eksportuesit e tretë në 2015-n, nga i gjashti që ishte vitin e mëparshëm. Në këtë zgjerim, sipas burimeve nga kompania, ka ndikuar mirëmenaxhimi, investimet dhe ulja në maksimum e shpenzimeve, ndërkohë që koniunktura ndërkombëtare nuk ka qenë e favorshme. Eksportet e kompanisë u zgjeruan me 60% në 7 miliardë lekë.

2016-a ishte i vështirë për kushtet e tregut. Në 6-mujorin e parë, çmimet ishin më të ulëtat në 7-8 vitet e fundit. Burime nga kompania pohojnë se gjithsesi, Albchrome dhe në 2016-n u mbajt me intensitetin e investimeve dhe shitjet ishin në nivel të kënaqshëm, duke bërë që xhiro të rezultojë me rritje. Shpresat janë se ky vit do të jetë më i mbarë.

“Pas një viti të vështirë që kaluam, 2017-a pritet të jetë një vit më pozitiv, më i mbarë, veçanërisht 6-mujori i parë do të vazhdojë të ketë ngritje si në aspektin e sasisë dhe çmimeve të tregut”, thotë z. Luan Saliaj, drejtori ekzekutiv i kompanisë Albchrome. Ai shton se perspektiva është që tremujori i parë të shënojë rritje, tremujori i dytë mund të ketë një aktivitet të pandryshuar, ndërsa 6-mujori i dytë mund të ketë një rënie të lehtë.

Në vitin 2017, për Albchrome do të shënohet piku i investimeve. “Në njësinë e Bulqizës përfundon pusi i Bulqizës. Një surprizë në këtë industri do të jetë nisja në janar dhe përfundimi brenda 2017-s i furrës së dytë në Burrel, që nuk mendohej se do të arrihej të bëhej brenda një viti”, thotë Saliaj.

Paralelisht me këto dy investime thelbësore do të vazhdojnë dhe përpjekjet në aspektin e mekanizmit dhe modernizimit të njësive aktuale. Në njësinë e Elbasanit, procesi i përpunimit të skorjes do të automatizohet, duke eliminuar rreziqet e faktorit njerëzor.

Në njësinë e Bulqizës vazhdon mekanizimi i përgatitjes dhe shfrytëzimit të minierës. Saliaj përmend fort faktin që në dhjetor, furrës së Burrelit i përfundoi remonti i thellë kapital, i cili nuk i bëhej që nga viti 1994, gjë që ka çuar në një zgjatje të jetës së furrës jo më pak se 20 vjet.

Tregtimi i naftës, kompanitë shqiptare rieksportojnë në Kosovë

Në listën e 10 eksportuesve më të mëdhenj janë katër kompani që merren me tregtimin dhe përpunimin e naftës dhe që e rieksportojnë më pas atë, kryesisht në Kosovë. Në Kosovë vlerësohet se sipërmarrjet nga Shqipëria mbulojnë deri në 60% të nevojave të tregut, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga Maqedonia, Bullgaria dhe më pak nga Serbia. Kompanitë shqiptare janë konkurrente për shkak të afërsisë gjeografike dhe fuqizimit të kompanive përmes depozitave në Portin e Durrësit. Ndërsa aktorët e tregut i shpjegojnë çmimet më të ulëta për litër të naftës në Kosovë në tregun e pakicës me barrën më të ulët të taksave në shtetin fqinjë.

Kastrati është eksportuesi i katërt më i madh në vend (në fakt rieksportues), me 6.3 miliardë lekë shitje jashtë vendit në 2015-n, duke rënë me gati 20% në raport me një vit më parë.

Dy sipërmarrje përpunuese dhe tregtuese të naftës Deveron Oil Albania dhe TPD Trading Petrol & Drilling kanë qenë aktive në eksportet e naftës edhe në 2015-n, duke realizuar shitje jashtë vendit përkatësisht në 5.8 dhe 3 miliardë lekë. Të dy këto kompani kanë shfrytëzuar me qira rafinerinë e ARMO. Në tetor të vitit 2016, Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC) mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Kompania nënshkroi dhe një marrëveshje me prodhuesin e naftës Bankers Petroleum, që do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto tek IRTC. Europetrol Durrës Albania është një tjetër eksportues i madh i naftës, me shitje 5.3 miliardë lekë në 2015-n, duke u renditur e gjashta.

Prodhuesit e çimentos, nuk gjejnë treg as për eksport

Prodhuesit e çimentos janë munduar të neutralizojnë frenimin e kërkesës në tregun e brendshëm të ndërtimit përmes zgjerimit në tregjet rajonale, por 2015-a ka rezultuar i dobët për ta.
Fushë-Krujë Cement Factory është eksportuesi më i madh i çimentos dhe i shtati në total, me shitje jashtë vendit prej 3.1 miliardë lekësh, me një rënie prej 11% në raport me vitin e mëparshëm.
Antea Cement ka zbritur në vendin e 13, nga e teta që ishte në 2014-n, teksa ka parë një rënie të eksporteve me 37% në 1.6 miliardë lekë.
Elbasan Cement Factory ka pasur një vit tepër pozitiv, duke rritur eksportet me 75% në 1.1 miliardë lekë, ndonëse duke u nisur nga një bazë më e ulët se konkurrentët.

Biznesi i mirë i skrapit

Të shumta janë kompanitë në listën e eksportuesve më të mëdhenj që merren me riciklim. Zodiac është operatori më i madh në këtë fushë (i 10-i në listën totale), me eksporte prej 1.7 miliardë lekësh, me rënie 5% me bazë vjetore. Kompania është e fokusuar në riciklimin e bakrit, aluminit, bronzit, baterive.
AMA Recycling (përpunimi i aluminit) është një tjetër operator me eksporte prej 1.7 miliardë lekësh, me një rritje të ndjeshme prej 75% me bazë vjetore.

Industria e riciklimit, sipas aktorëve të tregut, vlerësohet se qarkullon rreth 70-80 milionë euro në vit (pa përfshirë Kurum), me volumin më të madh (rreth 50%) që i takon segmentit të metaleve dhe produkteve të tij.

Prodhuesit e këpucëve, Donianna ngjitet në vendin e 11

Prodhuesit e këpucëve mbizotërojnë nga numri dhe qarkullimi vjetor në listën e eksportuesve më të mëdhenj në vend. Industria e këpucëve në Shqipëri mbetet më e zhvilluar se ajo e tekstileve, me mbi 80% të prodhuesve të veshjeve të këmbëve që e mbyllin vetë ciklin, duke rritur në këtë mënyrë vlerën e shtuar dhe xhiron e realizuar, në një shembull që duhet të ndiqet nga eksportuesit e tjerë, sidomos ata të tekstileve.

Donianna, ka kaluar në 2015-n në eksportuesen më të madhe të këpucëve në Shqipëri, me shitje jashtë vendit prej rreth 1.7 miliardë lekë, duke u renditur për herë të parë si eksportuesja e 11-të më e madhe në vend. Donika Mici, administratore e kompanisë është pozitive edhe për 2017-n. “Ne presim që këtë vit të kemi rritje të eksporteve të industrisë së këpucëve. Arsyeja kryesore ka të bëjë me punën e këtij sektori në vite. Shqipëria është njohur si një vend prodhues dhe që ka një fuqi punëtore të kualifikuar në këtë sektor. Jemi shumë afër me Europën sa i përket prodhimit të produkteve me cilësi. Unë njoh këpucën dhe mund të them që kërkesa këtë vit për këtë produkt është në rritje” – thotë Mici. Ajo shton se është duke eksploruar tregje në Turqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shtimi i numrit të punëtorëve mund të vijë në varësi të sezonit. Ajo parashikon një goditje të portofolit të investimeve si pasojë e rënies së monedhës euro në tregun valutor.

Dalja si prodhues direkt pak vite më parë rezultoi e suksesshme dhe për më tepër ishte një hap i detyrueshëm për qëndrueshmërinë afatgjatë të Donianna. Kompania shënoi rënie të aktivitetit në 2013-n, pasi u shkëput nga partnerët italianë dhe doli në treg me markën e saj. Por, znj. Mici nuk u dorëzua dhe kishte besim të patundur se do t’ia dilte.
Eksportues të tjerë të këpucëve në listën e më të mëdhenjve janë dhe Fital (rritje 40% e eksporteve në 1.5 miliardë lekë); Alba Shoes Group; Ital Mec; Remal; FG-SHOES, ENDI shpk, Albanian Shoes Coorporation 2, etj.

Tekstilet, rënie në 2015, rekuperim në 2016

Nga kompanitë që veprojnë në fushën e prodhimit të veshjeve, eksportuesi më i madh është Shqipëria Tricot, me shitje jashtë vendit 605 milionë lekë në 2015-n, me rritje prej gati 25% me bazë vjetore.
Blue Sky ka parë një rënie të xhiros me 23%, në 530 milionë lekë. Në rënie ka qenë dheIndustria Ballkanike e Veshjeve, me 10% në 473 milionë lekë.

Performancë të mirë ka shënuar Arisa Konfeksion, që ka rritur shitjet jashtë vendit me 54% në rreth 460 milionë lekë. Edhe për Kler ka qenë një vit pozitiv, me zgjerim të shitjeve prej gati 30%.
Të dhënat paraprake tregojnë se 2016-a ka qenë shumë më i mbarë për industrinë e veshjeve. Të dhënat e INSTAT flasin për një rritje prej 18% të produkteve të veshjeve. Pritshmëritë janë pozitive edhe për 2017.

“Mendoj që do të ketë rritje të eksporteve dhe një ardhje për tregun shqiptar të një klientele pak më të diversifikuar përveç fasonit tradicional, që janë veshje të llojit këmisha, pantallona, etj. Me radhë, do të kemi edhe një zgjerim me produkte të tjera. Italia po kërkon zgjerim në Shqipëri. Po kërkojnë produkte që i mungojnë tregut italian për shkak të ndryshimit të çmimeve të kësaj kategorie, të cilat po ndodhin në Rumani dhe Bullgari. Tregu italian po spostohet drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë. Shqipëria ngelet gjithmonë një treg i preferuar i italianëve”, – thotë, Flamur Hoxha, administrator i Kler.

Dilemat e industrisë së përpunimit të peshkut

Kompanitë e fokusuara në industrinë e përpunimit të peshkut kanë pasur një ecuri pozitive vitet e fundit. Coral, më e madhja në këtë sektor ka shënuar një rritje prej 48% të eksporteve në 912 milionë lekë. Edhe Mare Adriatik ka zgjeruar eksportet me 80% në 436 milionë lekë për vitin 2015.
Por dhe kjo industri, që po njeh zgjerim të ndjeshëm rrezikohet në të ardhmen. Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 ton peshk të përpunuar, açuge të konservuar. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, në vitin 2015, kuotat e eksportit u përmbushën që në tetor, ndërsa në 2016-n që në gusht.
Pas plotësimit të kuotave produktet taksohen me 25% të vlerës. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptar do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore. Momentalisht ato kanë operuar duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane çdo kategori produkti do të taksohet.

Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur në vend. Nën këto kushte, në rast se nuk arrihet një marrëveshje e re me BE-në, industrialistët shikojë dy rrugë; shpërnguljen ose mbylljen.
Në total e gjithë industria e përpunimit të peshkut numëron më shumë se 4 mijë të punësuar. Eksportet e këtij grupi janë zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit, teksa investimet u shtuan dhe numri i kompanive ka arritur në rreth 12.

Bimët mjekësore në rritje

Bimët medicinale janë një tjetër produkt që ka rezultuar fitimprurës për kompanitë që e eksportojnë atë. Elba-Shehu ka parë një rritje të eksporteve me 9% në 460 milionë lekë.
Pozitiv ka qenë 2015-a edhe për Filipi Co, që është rritur me 13% në 450 milionë lekë.
Herba Fructus Natyrore është zgjeruar me 30% në 435 milionë lekë. Albanian Herb,një kompani relativisht e re, është zgjerur me 57%. Edhe Agroherbal u rrit me 34%.AlbaKalustyan është një kompani e re në fushën e bimëve mjekësore, që në 2015-n ka realizuar eksporte prej 412 milionë lekësh.
Sherebela është produkti kryesor që eksportohet nga kompanitë. Sidomos sherebela e egër është mjaft e preferuar dhe ka si destinacion fundor Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria është një nga furnizuesit kryesorë të SHBA-ve me këtë bimë medicinale, që amerikanët e përdorin masivisht në gatimet e tyre.

Për herë të parë, në listë edhe eksportuesit bujqësorë

Dy eksportues të produkteve bujqësore kanë hyrë për herë të parë në listën e 100 eksportuesve më të mëdhenj. Pula Comerc ka realizuar eksporte preh rreth 382 milionë lekësh në 2015-n.
Ardian Kuka është një tjetër eksportues i fruta perimeve, me 338 milionë lekë produkte të shitura jashtë vendit.
Edhe në 2016-n ky grup ka njohur rritje të ndjeshme dy shiifrore, duke u bërë një potencial për eksportet, ndonëse i nisur nga një bazë e ulët.

Pritet ecuri më pozitive në 2017-n

Në vitin 2017, tendenca e eksporteve shqiptare pritet të jetë më pozitive. Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, ka deklaruar rifillimin e shpimit të puseve, ndërsa dhe rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është në favorin e tyre.

Industria e tekstileve e këpucëve (kryesisht fason), që udhëhoqi rritjen në 2016-n mbetet pozitive edhe këtë vit, pavarësisht se aftësitë e saj konkurruese po dëmtohen nga rritja e kostove. Në një zhvillim negativ, eksportuesit e fasonit nuk presin që të hapin vende të reja pune në 2017-n, por do përqendrohen në përmirësimin e teknologjisë dhe rritjen e vlerës së shtuar.

Edhe Kurum, që është në proces ristrukturimi, ka rifilluar pjesërisht punën, përmes Albametal. Eksportet e metaleve kanë shënuar rritje që në muajt e fundit të 2016-s. Edhe prodhuesit e materialeve të ndërtimit (çimenton) kanë shpresa se aktiviteti i tyre do gjallërohet këtë vit, si rrjedhojë e investimeve më të larta kapitale në prag të zgjedhjeve.

Produktet e ushqimeve, pijeve e duhanit, me një rritje dyshifrore në 2016-n, pritet që të vijojnë zgjerimin edhe këtë vit, nëse moti nuk do të bëjë shumë kapriço.
Më pesimistë janë bizneset e agroindustrisë, që nuk presin një rritje të eksporteve më shumë se 10%, ndryshe nga viti i kaluar, kur u zgjeruan mbi 20%.

burimi: Monitor.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0