Plazhe me rërë të butë, gjethe palmash që lëkunden në erë, ujëra kristal dhe një koktej në dorë, kush mund të ankohet për një udhëtim në ishull? Sigurisht, jo të gjithë ishujt i përmbushin këto përshkrime, por këto copa të izoluara toke shpesh përfaqësojnë një arratisje të vërtetë nga realiteti. Çdo ishull në planet ka veçantinë dhe historinë e tij, por cili është ai që i përshtatet më shumë stilit tuaj të udhëtimit?
Në krye të listës renditet Republika Dominikane, ishulli i dytë më i madh në Karaibe. Ky destinacion ofron një sërë aktivitetesh që rrisin adrenalinën, si ziplining, canyoning, kalërim dhe udhëtime në natyrë të egër. Një eksperiencë që nuk duhet humbur është ecja përmes pyllit deri te 27 Charcos de Damajagua, një seri prej 27 ujëvarash ku mund të hidheni dhe të notoni për një përvojë të paharrueshme. Në anën tjetër të spektrit ndodhet Bali, i shpallur si ishulli më i mirë për relaksim. Ky destinacion tropikal ofron klube plazhi miqësore me mjedisin, lagje të rrethuara me fusha orizi, kafene të vendosura në kodra si Akasa Coffee me pamje spektakolare, si dhe vende për të bërë joga. Për një relaksim të vërtetë, rezervoni një masazh tradicional. Për një përvojë edhe më luksoze, vizitoni Senses Spa në Jimbaran, ku masazhi zhvillohet pranë detit nën zhurmën e valëve.
Lexo edhe: Nga Athina në Londër, ja sa e shtrenjtë është jetesa me qira në metropolet europiane
Kur bëhet fjalë për argëtim dhe jetë nate, rekomandohet Páros në Greqi, që është shpallur si “Ishulli më i mirë në botë për vitin 2025” nga revista Travel + Leisure. Në qytetin kryesor të ishullit, Parikia, gjeni një vijë bregdetare të mbushur me bare, ndërsa në Naoussa ndodhen restorante panoramike, klube dhe bare koktejsh.
Ishujt më të mirë në botë për të vizituar në vitin 2025, sipas Expedia:
- Aruba (Më i miri për diell gjatë gjithë vitit)
- Bali, Indonezi (Më i miri për relaksim)
- Republika Dominikane (Më i miri për aventurë)
- Fixhi (Më i miri për komunitet)
- Xhamajka (Më i miri për kulturë)
- Koh Samui, Tajlandë (Më i miri për luks të përballueshëm)
- Maldivet (Më i miri për romancë)
- Oahu, Havai (Më i miri për sërf)
- Paros, Greqi (Më i miri për jetën e natës)
- Sardenia, Itali (Më i miri për dashamirësit e ushqimit)
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto