Inteligjenca Artificiale tani mund të lexojë emocionet e nxënësve ndërsa mësojnë - Business Magazine Albania

Inteligjenca Artificiale tani mund të lexojë emocionet e nxënësve ndërsa mësojnë

Para pandemisë, Ka Tim Chu, mësues dhe nëndrejtor i kolegjit “True Light” të Hong Kongut, përpiqej të lexonte fytyrat e nxënësve në klasë, teksa ata përgjigjeshin. Tani, teknologjia po e ndihmon Chu-në “ta lexojë vërtet” klasën: Një platformë mësimore e mbështetur në inteligjencën artificiale monitoron emocionet e studentëve të tij, ndërsa ata studiojnë në shtëpi.

Softueri, “4 Little Trees” (4 Pemë të Vogla), u krijua nga startup-i me bazë në Hong Kong, “Find Solution AI”. Ndërsa përdorimi i inteligjencës artificiale për njohjen e emocioneve në shkolla dhe ambiente të tjera ka shkaktuar shqetësim dhe debat, themeluesja Viola Lam thotë se kjo mund ta bëjë klasën virtuale po aq të mirë – ndoshta dhe më të mirë – se klasat reale.

Studentët punojnë në teste dhe detyra shtëpie në platformë si pjesë e kurrikulës shkollore. Ndërsa studiojnë, inteligjenca artificiale mat pikat e muskujve në fytyrat e tyre përmes kamerës në kompjuterin ose tabletin e secilit dhe identifikon emocionet, përfshirë lumturinë, trishtimin, zemërimin, befasinë dhe frikën.

Sistemi gjithashtu monitoron se sa kohë u duhet studentëve për t’iu përgjigjur pyetjeve, regjistron notat dhe historinë e performancës së tyre, gjeneron raporte mbi pikat e forta, të dobëta dhe nivelet e motivimit të tyre, si dhe parashikon notat e tyre. Programi mund të përshtatet me secilin student, duke synuar boshllëqet e njohurive dhe duke ofruar teste në formën e lojërave, të dizenjuara për ta bërë mësimin argëtues.

Sipas Lam, nxënësit dalin 10% më mirë në provime nëse përdorin “4 Little Trees”. Ajo e finalizoi programin në vitin 2017, me një financim prej 5 milionë dollarësh. Numri i shkollave që përdorin “4 Little Trees” në Hong Kong është rritur nga 34 në 83, gjatë vitit të kaluar. Çmimet variojnë nga 10 deri në 49 dollarë për student për lëndë. Lam thotë se teknologjia ka qenë veçanërisht e dobishme për mësuesit gjatë pandemisë sepse i lejon ata të monitorojnë nga larg emocionet e studentëve të tyre ndërsa mësojnë.

Rreth një inteligjence artificiale që identifikon emocionet e fytyrës, sigurisht që do të ketë polemika lidhur me çështjet e privatësisë. Megjithatë, Lam thotë se programi regjistron vetëm të dhënat e muskujve dhe nuk ruan fytyrat e studentëve.

Ekspertët e fushës në Hong Kong, thonë se “transparenca” është thelbësore për ruajtjen e privatësisë së studentëve dhe se “përpara përdorimit të çdo lloj programi të tillë duhet të merret pëlqimi i prindërve”.

Një tjetër çështje problematike është edhe paragjykimi me bazë racën. Hulumtimet tregojnë se disa teknologji të analizës emocionale kanë probleme në identifikimin e emocioneve të fytyrave me lëkurë të errët. Për këtë, Lam thotë se ajo e ka trajnuar inteligjencën artificiale me të dhënat e fytyrës që përputhen me demografinë e studentëve.

Ndërsa AI përmirësohet, Lam shpreson të zhvillojë aplikacione për bizneset, si dhe shkollat, për të kuptuar më mirë nevojat e pjesëmarrësve dhe për të rritur angazhimin në takime online dhe uebinar.

Kur bëhet fjalë për komunikimin njerëzor, AI “mund të ndihmojë për të lehtësuar një ndërveprim më të mirë”, thotë ai.

CNN

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0