Veprimtaritë që kryejnë sot fëmijët-nxënës janë të shumëllojshme, madje ka të ngjarë që shumë prej tyre të mos jenë shpikur ende dhe të mos mendohet ende për to. Bota e tyre në ditët e sotme po formësohet dhe nga Inteligjenca Artificiale (IA) në mënyra që, me shumë gjasë, akoma nuk mund t’i imagjinojmë.
-A po i përgatisin shkollat nxënësit e tyre lidhur me përdorimin e IA?
Në fakt, ndërkohë që IA përshkon çdo fushë të jetës, një statistikë rrënqethëse vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) që zbulon se deri në 60% të vendeve të punës në ekonomitë e përparuara janë në rrezik. Sa i takon punëve që nuk janë në rrezik, ato ka të ngjarë t’i shohim që do të kenë nevojë për aftësi shtesë duke u bazuar te IA. Shkollat në vendet perëndimore, si institucione të formimit dhe edukimit, kanë filluar të përballen me sfidën e përgatitjes së nxënësve të tyre për një të ardhme të drejtuar nga IA, në të kundërt ato rrezikojnë t’i lënë nxënësit, mjerisht, të papërgatitur.
Veprimtaritë dhe kërkesat për përdorimin e IA sa vijnë dhe bëhen më të larta! Imagjinoni përparësitë në formim që do të ketë fëmija-nxënës nëse ai fuqizohet jo vetëm të kuptojë IA, por ta përdorë atë si një mjet të fuqishëm për punësim dhe zhvillimit të tij. Imagjinoni një brez të pajisur për të trajtuar dilemat etike të kësaj teknologjie.
Në këtë rrethanë është e kuptueshme që shkollat mbajnë çelësin për të zhbllokuar këtë potencial.
Studimet e kryera aktualisht në vendet shumë të zhvilluara rreth IA kanë evidentuar kapacitetin e IA për të rritur rezultatet e një punonjësi të kualifikuar deri në 40%, kurse në një webinar të UNESKO-s në muajin prill 2024 theksohet se prodhimtaria nga përdorimi dhe ndihma që mund të japë IA parashikohet të ketë një rritje deri në 50% deri në 60%.
Pra është koha që arsimi të përqafojë IA dhe të sigurojë që fëmijët tanë të jenë të përgatitur për një botë të IA.
Ndjehet frikë dhe pasiguri në shumë shtete apo sisteme arsimore në zhvillim apo të zhvilluara.
Disa universitete në Australi i janë rikthyer provimit me shkrim dore, duke hequr dorë nga provimet online për shkak të kopjimit. Shumë shkolla nuk e lejojnë IA për t’u përdorur në procesin mësimor, sepse nuk e dinë ta përdorin atë, por dhe se ka shumë hamendësime për pasaktësitë e ndryshme, shkencore që identifikohen nga përdorimi i saj, por ndodh dhe e kundërta që shumë informacione që mund të merren nga IA janë të sakta dhe të dobishme.
Duke shfrytëzuar mençurinë e 10 specialistëve të respektuar të arsimit, si drejtues të shkollave, ekspertë të teknologjisë dhe studiues të IA nga Britania e Madhe, po japim më poshtë me anë të disa pyetjeve që i janë drejtuar mësuesve, nxënësve dhe prindërve lidhur me IA dhe ndërkohë përgjigjet dhe analizat për to janë një përpjekje e mirë për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë apo të përshtasim në kontekstin e shkollës tonë.
–A po e përfshini IA në të nxënët e nxënësve për të siguruar përfitime për ta dhe duke siguruar përdorimin e efektshëm të saj?
Ben Whitaker, një ish-drejtues shkolle dhe konsulent inovacioni në arsim në Britaninë e Madhe, nënvizon nevojën që shkollat të shkojnë përtej pranimit pasiv të IA. Ai dëshiron që prindërit të pyesin shkollat e fëmijës së tyre: “A po inkurajoni në mënyrë aktive fëmijët që të përdorin IA në të gjitha nivelet e rrugëtimit të tyre, mësimor nëpërmjet fazave të të nxënit: Koncept i ri-Përsëritje-Përmirësim, si dhe duke qenë transparent në mënyrën se si e përdorin atë?” Po ky konsulent thekson se mësuesit duhet të integrojnë në mënyrë aktive dhe ndërvepruese IA në të gjithë procesin e mësimdhënsie dhe të të nxënit..
Kevin Oldershaw, një drejtor didaktik në një kolegj të një qyteti të Britanisë, thekson përfitimin e dyfishtë që sjell përdorimi i IA, duke nënkuptuar se nëpërmjet saj nxënësit krijojnë aftësitë e shkrim-leximit, por dhe krijojnë qëndrime dhe intepretime për jetën nga ky ndërveprim. Ky drejtor didaktik pyet: “Si u ofroni fëmijëve mundësi për të nxënë, përdorur dhe vlerësuar rolin e IA për të përmirësuar të nxënët e tyre duke përfituar jo vetëm aftësitë e lexim-shkrimit, por dhe dije për shoqërinë?”.Si përgjigje, po ky drejtor, thekson se duhet nxitur një angazhim kritik dhe krijues në përdorimin e IA, kurse shkollat duhet t’i ndihmojnë nxënësit të përdorin në mënyrë efektive dhe t’i japin formë teknologjisë së IA për më të mirën e mundshme që ndikon tek të nxënët e fëmijëve.Në të vertetë po shihet gjithnjë e më shumë se shkollat kanë filluar të zhvillojnë biseda rreth përdorimit të IA, por ka shumë të tjera po ndalojnë përdorimin e saj.
–Si mund të punojmë me shkollën për t’i ndihmuar fëmijët tanë të mësojnë rreth IA, duke siguruar përdorim të sigurt dhe kuptimplotë të saj?
Michael Fricano, specialist i integrimit të teknologjisë në edukim në Britani, ka një një qasje të ndryshme për IA.Ai thekson nevojën që prindërit duhet të bashkëpunojnë me shkollat në përpjekjet e tyre për të integruar IA në procesin mësimor. Fricano thotë se duhet t’i pyesim shkollat për dy gjëra: E para ka të bëjë me atë se si prindërit mund të marrin përgjegjësi në shtëpi për të ndihmuar fëmijën e tyre të mësojë rreth IA dhe së dyti, prindërit duhet të mbështesin shkollën e fëmijës së tyre për përdorimin e IA.
Efraim Lerner, një konsulent dhe specialist i IA, në mënyrë të ngjashme mbron përfshirjen e prindërve në formësimin e marrëdhënies së një fëmije me IA. Ai propozon pyetjen: “Si i përfshin shkolla prindërit dhe komunitetin e shkollës në kuptimin dhe mbështetjen e përdorimit të sigurt të IA, por dhe teknologjisë për edukimin e fëmijëve të tyre?” Komunikimi i hapur midis prindërve dhe shkollave hedh themelet për përforcimin e vazhdueshëm të praktikave të sigurta dhe etike të IA.Ky ekspert i IA thekson se aftësitë për IA nuk do të jenë jetike vetëm për fëmijët tanë, por dhe për prindërit dhe të rriturit, duke dhënë si shembull qeverinë e Singaporit, e cila po shqyrton dhënien e një pagese prej 3,000 dollarësh në muaj për punëtorët e moshës 40 vjeç e lart që ata t’i nënshtrohen ritrajnimit me kohë të plotë lidhur me IA.Një partneritet i fortë prindër-shkollë mund t’i ndihmojë prindërit të fitojnë aftësi të reja, duke rritur besimin e tyre dhe duke i pajisur ata me aftësi për zhvillimin e tyre nëpërmjet IA.
–Si po i pajisni nxënësit me aftësitë e domosdoshme për të përdorur IA në mënyrë të sigurt, me sjellje etike dhe të përgjegjshme?
Melissa McBride, një përgjegjëse e një zyre lokale të qeverisjes së arsimit, zyrë që mbulon dhe një institucion arsimor që e zhvillon procesin mësimor në formatin online, thekson rëndësinë e drejtimit të nxënësve drejt një angazhimi të përgjegjshëm për përdorimin e IA. Ajo propozon pyetjen, “Si po i përgatisni adoleshentët që të përdorin mjetet e IA në mënyrë të sigurt, etike dhe efektive?” Ajo thekson se duhet një përqendrim më i madh në edukimin e një qytetarie, digjitale tashmë në epokën e IA.
Daren White, drejtuese e teknologjisë së informacionit dhe e IA në një kompani teknologjie në Britani, e zgjeron këtë temë duke pyetur: “Si po i përgatisni nxënësit të përdorin IA për sa i përket njohjes dhe shmangies së paragjykimeve, të qenit i hapur për përdorimin, marrjes së pronësisë për përmbajtjen e gjeneruar nga IA që nxënësit zgjedhin të ndajnë, por ndërkohë si duhet të kujdesen ata për të dhënat personale?” Pyetjet e White theksojnë rëndësinë e të kuptuarit të kufizimeve dhe kurtheve të mundshme që ka IA, ndaj duhen nxitur praktika të përgjegjshme të përdorimit dhe ruajtjes së të dhënave.
-Si po e mbështet shkolla krijimin e aftësive thelbësore që u nevojiten nxënësve për përdorim pozitiv, të sigurt dhe të risive që mësohen nëpërmjet AI? Caroline Allams, studiuese e IA, thekson vlerën e jashtëzakonshme të “soft skills”/aftësive të buta” për të qenë i suksesshëm në epokën e IA. Ajo pyet: “Si shkollat janë duke zhvilluar aftësitë e buta për të mbështetur qëndrime pozitive, ambicioze, të sigurta, krijuese nëpërmjet përdorimit të IA?” Ndërkohë ajo nënvizon nevojën për të kultivuar elasticitet, ndjeshmëri, të menduar kritik, krijimtari dhe komunikim. Këto janë aftësi të përjetshme që do t’u shërbejnë mirë nxënësve në një botë të drejtuar nga teknologjia dhe tashmë aq më shumë nga IA.
Lundrimi në një botë të informacionit të shpejtë. Si përmbledhje të pyetjeve dhe përgjigjeve të mësuesve, drejtuesve dhe konsulentëve britanikë rezulton se:
Inteligjenca artificiale (IA) tashmë e ka demonstruar që ka potencialin për të riformuar berzat e rinj, madje dhe strukturën e shoqërisë. Kjo do të thotë që duhen pyetur shkollat tona se si po i edukojnë dhe formojnë nxënësit të përdorin IA për të adresuar çështje komplekse të shoqërisë globale, si varfëria, shëndeti, ndryshimet klimatike dhe pabarazia.
Shkollat tona mbajnë përgjegjësinë e përgatitjes së nxënësve për të lundruar në një botë ku tregjet e punës dhe strukturat shoqërore do të jenë vazhdimisht në ndryshim. Është thelbësore që shkollat të përfshijnë në procesin mësimor zhvillimin e mendësive që përshtaten, që nxënë gjatë gjithë jetës, por dhe një aftësi themelore që lidhet me gatishmërinë për të përqafuar ndryshimin. Shkollat kanë nevojë që të kultivojnë elasticitet nëpërmjet krijimit të mundësive për nxënësit që të shqyrtojnë fusha të shoqërisë që janë në zhvillim, të eksperimentojnë me teknologji të reja dhe të bashkëpunojnë në projekte që pasqyrojnë dinamikën e ndryshimeve që po sjell dhe rrezikun e qartë të eleminimit të shumë zanateve dhe llojeve të punës në botën reale.
Çfarë pyetjesh do t’i bëni shkollës së fëmijës suaj në lidhje me IA?
Për mësuesit është thelbësore që ata të përqafojnë potencialin transformues të IA në arsim.
Duke përdorur teknologji dhe sidomos IA me përgjegjësi dhe në mënyrë strategjike, të gjithë ne mund të krijojmë një sistem arsimor më të efektshëm, të barabartë dhe më të gatshëm për të ardhmen, që i formon nxënësit të përballojnë dhe të jenë të suksesshëm në një botë që ndryshon vazhdimisht, ndaj le të punojmë së bashku për të lundruar në mundësitë dhe sfidat emocionuese të IA në edukim.
Po në sistemin arsimor, shqiptar çfarë duhet bërë? A ka strategji, politika përkatëse, qëndrime pozitive apo dyshime për përdorimin e IA? A ka pajisje teknike të domosdoshme për fëmijët-nxënës? A duhet përfshirrë IA në procesin mësimor? A kemi kapacitete të afta, njerëzore dhe profesionale? A duhet ndërhyrë si në përmbajtjet kurrikulare, por dhe në metodologjitë e të të nxënit? A ka ndonje ide për edukimin qytetar, digjital? Po për rolin dhe kontributin e prindërve për IA a po mendohet? Asgjë nuk po ndodh dhe jemi shumë vonë!
Robert Gjedia
Profesor i Shkencave të Edukimit
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.