Instagram shton një mekanizëm të ri mbrojtjeje për adoleshentët - Business Magazine Albania

Instagram shton një mekanizëm të ri mbrojtjeje për adoleshentët

Instagram shton një mekanizëm të ri mbrojtjeje për adoleshentët

Instagram ka njoftuar se së shpejti do të nisë të dërgojë njoftime për prindërit në rastet kur fëmijët e tyre adoleshentë kërkojnë vazhdimisht terma që lidhen me vetëdëmtimin apo vetëvrasjen, brenda një periudhe të shkurtër kohe. Ky funksion i ri do të aktivizohet në javët në vijim për prindërit që kanë të aktivizuar mbikëqyrjen prindërore (parental supervision) në Instagram.

Platforma, në pronësi të Meta-s, shprehet se edhe më herët i ka bllokuar kërkimet për përmbajtje që lidhen me vetëvrasjen dhe vetëdëmtimin, por këto njoftime të reja synojnë t’i bëjnë prindërit më të vetëdijshëm në rastet kur një adoleshent tenton vazhdimisht të kërkojë këtë lloj përmbajtjeje. Qëllimi është që prindërit të ndërhyjnë në kohë dhe të ofrojnë mbështetje.

Kërkimet që mund të aktivizojnë një njoftim përfshijnë fraza që nxisin vetëvrasjen ose vetëdëmtimin, shprehje që tregojnë se një adoleshent mund të jetë në rrezik për t’i bërë keq vetes, si edhe terma të drejtpërdrejtë si “vetëvrasje” apo “vetëdëmtim”.

Sipas Instagramit, prindërit do të marrin njoftim përmes email-it, mesazhit SMS ose WhatsApp-it, në varësi të të dhënave të kontaktit që kanë dhënë, si edhe një njoftim brenda aplikacionit. Ky njoftim do të shoqërohet me materiale dhe udhëzime që i ndihmojnë prindërit të hapin biseda më të ndjeshme dhe më të kujdesshme me fëmijët e tyre.

Ky vendim vjen në një moment kur Meta dhe kompani të tjera të mëdha teknologjike po përballen me disa padi ligjore, ku akuzohen se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të mbrojtur shëndetin mendor të adoleshentëve në platformat e tyre.

Gjatë një seance gjyqësore që po zhvillohet në SHBA, drejtuesi i Instagram, Adam Mosseri, është përballur me pyetje të forta nga prokurorët lidhur me vonesat në zbatimin e disa masave bazë të sigurisë për të miturit, përfshirë filtrin për bllokimin e përmbajtjeve të papërshtatshme në mesazhet private.

Lexo edhe: Nga Spanja tek Gjermania, Evropa vendos rregulla për mbrojtjen e fëmijëve nga rrjetet sociale

Në një proces tjetër gjyqësor, u bë e ditur se një studim i brendshëm i Meta-s kishte treguar se kontrolli prindëror kishte pasur ndikim të kufizuar në uljen e përdorimit kompulsiv të rrjeteve sociale nga fëmijët. Studimi theksonte gjithashtu se fëmijët që kalojnë ngjarje stresuese në jetën e tyre personale janë më të prirur të kenë vështirësi në kontrollimin e përdorimit të rrjeteve sociale.

Duke pasur parasysh këto padi dhe kritika ndaj kompanisë për mbrojtjen e të miturve, koha kur po prezantohen këto njoftime të reja nuk shihet si rastësi.

Instagram thekson se do të mundohet të mos i dërgojë këto njoftime pa arsye të forta, pasi dërgimi i shpeshtë i tyre mund t’ua ulë efektivitetin. Sipas kompanisë, janë analizuar sjelljet e kërkimit në Instagram dhe janë konsultuar ekspertë për çështjet e vetëvrasjes dhe vetëdëmtimit për të vendosur pragun e njoftimeve.

“Ne kemi zgjedhur një prag që kërkon disa kërkime brenda një kohe të shkurtër, duke u përpjekur të ruajmë një ekuilibër mes kujdesit dhe shmangies së alarmimeve të panevojshme. Edhe pse ndonjëherë mund të njoftojmë prindërit edhe kur nuk ka rrezik real, ekspertët pajtohen se ky është një hap i arsyeshëm për të nisur,” shprehet Instagram.

Funksioni i ri do të nisë fillimisht në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Australi dhe Kanada, dhe pritet të shtrihet edhe në vende të tjera gjatë këtij viti. Në të ardhmen, Instagram planifikon që këto njoftime t’i aktivizojë edhe kur një adoleshent tenton të flasë me inteligjencën artificiale të aplikacionit për tema që lidhen me vetëvrasjen apo vetëdëmtimin.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0