INSIG pranë shitjes, ofrohen 15.9 milionë euro për pronësinë - Business Magazine Albania

INSIG pranë shitjes, ofrohen 15.9 milionë euro për pronësinë


Ish-gjigandi shtetëror i sigurimeve është pranë shitjes. Katër kompani shqiptare morën pjesë në garë, ku oferta më e lartë qe nga Eurosig me 2.2 miliardë lekë. Por INSIG disponon 29 milionë euro para të thata dhe në tituj borxhi të qeverisë.

Qeveria shqiptare është pranë kryerjes së privatizimit të fundit të madh në Shqipëri, pasi pranoi sot (10 mars), katër oferta nga kompani shqiptare për shitjen e kompanisë së sigurimeve, INSIG. Ministria e Financave njoftoi se oferta më e madhe financiare e ofruar është ajo e kompanisë Eurosig, e cila sakaq është e pranushme në tregun e sigurimeve, me vlerë 2.2 miliardë lekë (rreth 15.9 milionë euro ose 17.6 milionë dollarë). Gjithsesi, oferta tjetër më e lartë, e hedhur në emër të konsorciumit, Recovered Earth Technologies & Duraku shpk, qe në masën 2.15 miliardë lekë.

Grupi i vlerësimit të ofertave ka për detyrë që të shqyrtojë pjesën tjetër të ofertës, cilësinë e investitorit dhe planin e biznesit, të cilat kanë 20 për qind të pikëve të vlerësimit final para se të shpallë fituesin. (Kliko këtu për të parë njoftimin e Ministrisë së Financave).

INSIG është kompania e parë e tregut të sigurimeve në Shqipëri e cila u themelua pas rënies së komunizmit. Gjithsesi, në vitin 2000, disa kompani ilegale u shfaqën në tregun e sigurimeve ndërsa qeveria socialiste e kohës nuk ndërhyri për t’i ndaluar. Më pas, qeveria vendosi t’i legalizojë kompanitë private, të cilat, që nga ajo kohë, kanë hyrë në mënyrë të vazhdueshme në marrëveshje oligopoliste me njëra-tjetrën, kanë ndarë tregun me segmente, janë akuzuar për mosrespektim të kontratave të sigurimit duke mos shlyer dëmet etj.

Ndërkohë, shtetërorja INSIG arriti të zgjerojë aktivitetin e saj në Kosovë dhe Maqedoni pas vitit 2001 ndërsa akumulimet e viteve të mëparshme të investuara në bono thesari të qeverisë bënë që ajo të kishte pozicion financiar solid pavarësisht keqmenaxhimit të vazhdueshëm të kompanisë nga administratorët shtetërorë.

Aktualisht pjesa e tregut e kontrolluar nga INSIG ka rënë në më pak se 6 për qind, por sërish, vlera e aseteve të saj është së paku dy herë më e lartë se sa çmimi aktual i shitjes i ofruar nga kompania Eurosig.

Qeveria e kaluar u përpoq disa herë të shesë këtë kompani, por shitjet dështuan pasi investitorët seriozë ndërkombëtarë nuk u afruan për shkak të pasigurisë ligjore të Shqipërisë për një segment delikat si sigurimet.

Qeveria aktuale vendosi ta privatizojë INSIG vitin e kaluar dhe si fillim, e hoqi kompaninë nga lista e kompanive shtetërore të klasifikuara si sektor strategjik. Qenia si sektor strategjik kërkon tender të hapur ndërkombëtar. Për rrjedhojë, ankandi për shitje u bë nga Agjencia e Prokurimit Publik.

 

/Reporter.al/

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0