InsectIntel - Pajisja inteligjente që po ndihmon fermerët të mbrojnë të ardhmen e tyre - Business Magazine Albania

InsectIntel – Pajisja inteligjente që po ndihmon fermerët të mbrojnë të ardhmen e tyre

~5 minuta lexim

Kur dëgjojmë për startup-e teknologjike, shpesh mendja na shkon te aplikacionet apo pajisjet e zakonshme. Por, InsectIntel është një rast ndryshe. Me një vizion të qartë dhe një ekip që nuk ndalet përpara sfidave, ky startup po ofron një qasje unike ndaj një problemi global që preokupon fermerët në çdo cep të botës – menaxhimin e insekteve dëmtuese. Endri Dhaskali – themeluesi i InsectIntel, na tregon sesi teknologjia dhe pasioni mund të krijojnë një ndikim të prekshëm në fushat bujqësore dhe përtej tyre. Në këtë intervistë, zbuloni rrugëtimin e tyre nga prototipi i parë deri te ambicia për të ndryshuar bujqësinë.

1. Na tregoni pak për historikun e startup-it tuaj. Si lindi ideja dhe cilat ishin hapat fillestarë që ndërmorët për të krijuar këtë biznes?

Ideja për startup-in tonë, InsectIntel, lindi nga nevoja për t’i ndihmuar fermerët të luftojnë pushtimet e insekteve te dëmshme përpara se të bëhen problem serioz. Duke kombinuar teknologjinë e avancuar të AI me monitorimin në kohë reale, synuam të krijojmë një sistem që do të ndihmojë në mbrojtjen e të korrave. Hapat fillestarë përfshinë zhvillimin e një prototipi të thjeshtë dhe testimin e tij në ferma lokale, për të parë impaktin e teknologjisë tonë. Më pas, ngritëm një ekip të vogël, por të pasionuar, për të zhvilluar më tej idenë.

2. Cilat janë arritjet më të mëdha të deritanishme të startup-it tuaj?

Startup-i ynë ka arritur disa suksese të rëndësishme deri tani. Një nga arritjet më të mëdha ka qenë krijimi i prototipeve funksionale, të cilat përdorin kamera dhe algoritme të avancuara për të identifikuar insektet në mënyrë efektive. Gjithashtu, jemi përzgjedhur për një grant nga qeveria, një mbështetje që na ka ndihmuar të përshpejtojmë fazën e zhvillimit të teknologjisë sonë. Po ashtu, kemi bashkëpunuar me fermerë dhe organizata bujqësore për të testuar dhe përmirësuar pajisjet, duke marrë një feedback të vlefshëm që ka ndikuar në zhvillimin e produktit. Për më tepër, kemi prezantuar vizionin tonë në panaire ndërkombëtare të teknologjisë në bujqësi, duke e vendosur startup-in tonë në hartën globale të inovacionit në këtë sektor.

Lexo edhe:Afati i ri dhe ndryshimet e reja për deklarimin individual të të ardhurave në 2025

3. Si e shihni zhvillimin e startup-it tuaj në 3-5 vitet e ardhshme?

Në 3-5 vitet e ardhshme, ne synojmë të zgjerojmë teknologjinë tonë në tregje ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet evropiane. Planifikojmë të përmirësojmë më tej pajisjet tona, duke shtuar funksione të reja të bazuara në analizën e të dhënave të mbledhura dhe nevojat e fermerëve. Një prioritet tjetër është krijimi i partneriteteve me kompani të mëdha bujqësore dhe institucione kërkimore, për të integruar më mirë teknologjinë tonë në proceset ekzistuese bujqësore. Në fund, shohim veten si një faktor kyç në krijimin e një sistemi bujqësor më të qëndrueshëm dhe më efikas, që do të ndihmojë fermerët të përballojnë sfidat e së ardhmes.

4. Si e vlerësoni mbështetjen e qeverisë dhe institucioneve të tjera për startup-et në vendin tonë?
Mbështetja nga qeveria ka qenë e dobishme, sidomos përmes granteve dhe programeve për nxitjen e inovacionit. Megjithatë, ka ende hapësirë për përmirësim në drejtim të thjeshtimit të procedurave burokratike dhe ofrimit të mbështetjes për startup-et inovative.

5. A keni ndonjë partneritet apo bashkëpunim që ka qenë kyç për zhvillimin e startup-it tuaj?
Po, bashkëpunimi me fermerët lokalë ka qenë kyç për të testuar dhe përmirësuar prototipin tonë.

6. Së fundmi, ju keni qenë edhe një ndër startup-et e përzgjedhura për grantin e dhënë nga qeveria, cilat janë projektet që keni në plan të realizoni me ndihmën e këtij granti?

Granti që kemi marrë nga qeveria do të na ndihmojë të realizojmë disa projekte të rëndësishme. Fillimisht, planifikojmë të përfundojmë zhvillimin e një modeli të avancuar të pajisjes sonë, që do të jetë i përshtatshëm për të funksionuar edhe në kushte të vështira mjedisore. Një tjetër projekt është implementimi i një sistemi raportimi në kohë reale për fermerët, të cilin ata mund ta përdorin lehtësisht nëpërmjet një platforme të dedikuar. Gjithashtu, kemi në plan të zgjerojmë kapacitetin e pajisjes për të identifikuar një gamë më të gjerë insektesh dhe për të krijuar një bazë të dhënash të pasur që do të shërbejë si burim i vlefshëm informacioni për fermerët dhe studiuesit.

7. Cila është vizioni juaj për të ardhmen e startup-it tuaj dhe si dëshironi që të kujtohet startup-i juaj në industrinë ku operoni?
Vizioni ynë është të krijojmë një sistem global që jo vetëm ndihmon fermerët të mbrojnë të korrat, por gjithashtu kontribuon në një bujqësi më të qëndrueshme. Dëshirojmë që InsectIntel të kujtohet si kompania që transformoi mënyrën se si fermerët menaxhojnë insektet invasive duke përdorur teknologji inteligjente dhe miqësore me mjedisin.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0