Indeksi i lirisë ekonomike sipas Fraser, Shqipëria përmirësohet me 20 vende - Business Magazine Albania

Indeksi i lirisë ekonomike sipas Fraser, Shqipëria përmirësohet me 20 vende


Shqipëria është përmirësuar me 20 vende në indeksin e lirisë ekonomike, sipas raportit “Liria Ekonomike në Botë 2016” publikuar nga Instituti Fraser pak ditë më parë dhe që analizon të dhënat e vitit 2014 për 159 vende. Shqipëria renditet në vendin e 42, nga pozicioni i 62, që ishte në raportin e mëparshëm, duke marrë 7.4 pikë nga 10 pikë të mundshme.

Në këtë indeks përfshihen pesë kategori në shqyrtim si Madhësia e Qeverisë, Struktura Ligjore ku përfshihet sistemi i drejtësisë dhe mbrojtja e së drejtës mbi pronën, paratë e pastra, lehtësia e tregtisë ndërkombëtare dhe legjislacioni.

Treguesit me përmirësim më të madh ishin lehtësia në tregtinë ndërkombëtare, ku Shqipëria është përmirësuar me 35 vende dhe legjislacioni, ku vendi ynë është ngjitur me 48 vende. Ecurinë më negative e ka pasur në treguesin e madhësisë së qeverisë, ku vendi është përkeqësuar me 20 pozicione.

Për kategorinë e madhësisë së qeverisë përkeqësimi ka ardhur nga nënkategoria mbi diferencat në normat e taksimit, ku ka rënë treguesi mbi diferencën në normën e taksimit mbi të ardhurat dhe tatimi mbi pagat(4 pikë nga 7 pikë që ka qenë një vit më parë), si rrjedhojë e kalimit në vitin 2014 në tatimin progresiv dhe rritjen e tatim fitimit nga 10 në 15%.

Kategoria e legjislacionit, ku përfshihet rregullimi i tregut të punës dhe i biznesit është ndikuar në rritje në renditje nga përmirësimi i legjislacionit mbi punësimin dhe heqjen nga puna të punonjësve, si dhe të marrëveshjeve kolektive.

Kategoria e Lirisë së Tregtisë Ndërkombëtarë është përmirësuar(8.07 nga 7.54 që ka qenë një vit më parë) nga ulja e barrierave të tregtisë ndërkombëtare, ndërsa tarifat doganore kanë mbetur konstante.

Shqipëria treguesit më të dobët i ka në kategorinë e sistemit ligjor dhe të të drejtave mbi pronën (renditet e 107 në botë), ku përmblidhen pavarësia e gjyqësorit, integriteti i sistemit ligjor dhe paanshmëria e gjykatave. Ky tregues është përmirësuar lehtë duke shënuar 4.8 pikë nga 4.6 të një viti më parë.

Treguesi më pozitiv në renditje është ai i parasë së shëndetshme, në vendin e 19 në botë, ndonëse në përkeqësim me 7 vende në raport me vitin e mëparshëm.

Vende të tjera të rajonit që kanë përmirësuar Indeksin e Lirisë Ekonomike janë Rumania dhe Mali i Zi, ku renditen përkatësisht 22a nga 24 që ishte një vit më parë dhe e 59-a nga 70-a. Ndërsa vendet e tjera kanë pasur një renditje më të ulët krahasuar me një vit më parë.

 

 

burimi: gazetadita.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0