Portofoli i identitetit digjital, një portofol i sigurt elektronik që mban kredencialet individuale premton të revolucionarizojë mënyrën se si provojmë kush jemi duke siguruar më shumë shpejtësi, efikasitet dhe komoditet. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka publikuar që prej korrikut të këtij për konsultim publik një projektligj për Identifikimin Elektronik, Shërbimet e Besuara dhe Portofolin e Identitetit Digjital, i cili parashikon ndërtimin e portofolit të identitetit digjital, një mekanizëm i cili do t’i japë çdo qytetari një mjet të sigurt dhe të centralizuar për përdorimin e identitetit të tij digjital, me qëllim lehtësimin e aksesit në shërbime publike dhe private.
Si pjesë e përpjekjeve të saj për transformim digjital (duke përfshirë 1200 shërbimet online përmes eAlbania) Shqipëria është duke hartuar një ligj të përafruar me standardet e Bashkimit Evropian. Iniciativa synon të thjeshtojë ndërveprimet me shërbimet publike e private, duke u mundësuar qytetarëve të ruajnë në mënyrë të sigurt versione digjitale të kartës së identitetit, pasaportës, patentës apo diplomave. Ky hap shihet si thelbësor për modernizimin e administratës publike dhe mbështetjen e procesit të integrimit në BE, megjithëse plani ambicioz përballet me sfida që lidhen me ndërgjegjësimin publik, nivelin e kulturës dhe aksesit digjital dhe infrastrukturën teknike në disa rajone.
Lexo edhe: Fjalimi i Diellës në Forumin e Investimeve: Nuk jam këtu për të zëvendësuar njerëzit, por…
Vendet që po udhëheqin me identitetin digjital në Europë dhe jo vetëm
Bashkimi Evropian: Me kuadrin e ri të Identitetit Digjital Evropian (EUDI), të gjitha shtetet anëtare janë të detyruara t’u ofrojnë qytetarëve dhe rezidentëve një portofol digjital deri në vitin 2026. Ky model i decentralizuar është i kontrolluar nga përdoruesi dhe i ndërveprueshëm përtej kufijve, me projekte pilot në mbarë Evropën që testojnë raste përdorimi si patentat mobile apo nënshkrimet elektronike.
India: Aadhaar i Indisë është sistemi më i madh në botë i identitetit biometrik, që i jep çdo rezidenti një numër unik 12-shifror. Ai shërben si provë identiteti dhe adrese dhe përdoret gjerësisht për të aksesuar subvencione, llogari bankare dhe shërbime të tjera. Ndryshe nga modeli i BE-së, Aadhaar është një sistem i centralizuar, i menaxhuar nga qeveria.
Estonia: Një pionier global i qeverisjes digjitale, Estonia ka një kartë identiteti kombëtare të detyrueshme që përdoret nga mbi 99% e qytetarëve për gjithçka, nga votimi elektronik dhe bankat deri te taksat dhe shëndetësia. Programi i saj e-Residency gjithashtu u ofron të huajve përfitime të identitetit digjital.
Singapori: Përmes sistemit SingPass, Singapori u ofron qytetarëve një identitet të vetëm digjital për të aksesuar mbi 700 shërbime publike dhe private. Sistemi përdor biometrinë dhe kuadro të sigurta të ndarjes së të dhënave për të thjeshtuar ndërveprimet online.
Avantazhet e portofolit të identitetit digjital
Portofolët digjitalë thjeshtojnë aksesin në shërbime duke zëvendësuar dokumentet fizike dhe duke reduktuar burokracinë. Me kredencialet e ruajtura në mënyrë të sigurt në një smartphone, përdoruesit provojnë identitetin me pak klikime. Metodat e avancuara të autentifikimit, si biometria dhe vërtetimi me disa faktorë, reduktojnë rrezikun e mashtrimit krahasuar me dokumentet fizike. Standardet kriptografike të forta mbrojnë të dhënat gjatë shkëmbimeve. Po ashtu modelet moderne, si portofoli EUDI, lejojnë “zbulimin selektiv” të të dhënave, p.sh., vërtetimin e moshës pa zbuluar datëlindjen.
Portofoli i identitetit digjital ka edhe një serë përfitimesh ekonomike, ku sipas Bankës Botërore, zbatimi i sistemeve të identitetit digjital mund të rrisë PBB-në duke zgjeruar përfshirjen financiare dhe efikasitetin, si dhe duke nxitur tregtinë digjitale.
Dilemat (jo vetëm) etike
Rreziqet e sigurisë së të dhënave: Ruajtja e të dhënave personale e bën portofolin një objektiv tërheqës për hakerat. Një thyerje e vetme mund të ketë pasoja katastrofike.
Përjashtimi dhe pabarazia: Zbatimi universal i një ID-je të vetme digjitale mund të lërë jashtë grupe të cenueshme, siç ka ndodhur në Indi me Aadhaar.
Privatësia dhe mbikëqyrja: Sistemet e centralizuara rrezikojnë të kthehen në mjete të mbikëqyrjes masive nga qeveritë apo korporatat.
Varësia teknologjike: Shkëputjet e energjisë, dështimet teknike apo sulmet kibernetike mund të bllokojnë aksesin te shërbime jetike.
Pengesa rregullatore: Harmonizimi ligjor dhe teknik mes vendeve është sfidë e madhe, siç tregohet nga përpjekjet e BE-së.
Kalimi drejt portofolëve të identitetit digjital duket i pashmangshëm, por mënyra se si shtetet do të përballojnë këto dilema do të përcaktojë të ardhmen e privatësisë, sigurisë dhe aksesit në shërbime. Suksesi do të varet nga balancimi i komoditetit me kontrollin, nga protokollet e hekurta të sigurisë dhe sidomos nga gjithëpërfshirja.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto