Historia e Fitim Brahimit, nga azilkërkues në Gjermani në lider komunikimi - Business Magazine Albania

Historia e Fitim Brahimit, nga azilkërkues në Gjermani në lider komunikimi

Historia e Fitim Brahimit është një rrëfim i pazakontë për transformimin personal, identitetin dhe fuqinë e komunikimit të vetëdijshëm. Nga vitet e pasigurisë si azilkërkues në Gjermani, deri te skenat ndërkombëtare si folës motivues dhe trajner lidershipi, rruga e tij nuk ka qenë lineare, por thellësisht formuese. Përmes përvojave të forta jetësore, sfidave të integrimit dhe ndërtimit të vetes në një realitet të huaj, Brahimi ka kthyer krizën në qartësi dhe vështirësinë në metodë. Sot, ai përfaqëson një model suksesi që nuk matet vetëm me arritje profesionale, por me ndikimin që krijon tek të tjerët duke dëshmuar se suksesi nuk është destinacion, por vetëdije e fituar.

Si ka ndikuar përvoja juaj si shqiptar që ka ndërtuar karrierë jashtë Shqipërisë në formimin e qasjes suaj ndaj suksesit, komunikimit dhe zhvillimit personal?

Të rritesh si shqiptar jashtë atdheut do të thotë të jetosh çdo ditë mes dy botëve: botës së rrënjëve dhe botës së performancës. Kjo përvojë më mësoi shumë herët se suksesi nuk është vetëm çështje aftësish, por mbi të gjitha çështje identiteti dhe komunikimi të brendshëm. Kur nuk ke privilegjin të jesh “i kuptuar automatikisht”, mëson të lexosh njerëzit, situatat dhe energjitë përtej fjalëve. Pikërisht aty lindi qasja ime ndaj komunikimit: të dëgjosh atë që nuk thuhet, të kuptosh atë që të tjerët e fshehin dhe të reagosh me qartësi, jo me zhurmë. Suksesi për mua u bë rezultat i vetëdijes, jo i garës. Kush e njeh veten, flet qartë. Kush flet qartë udhëheq botën.

Një moment kyç për mua ishte viti 2021 në Speak UP në Londër. Aty, për herë të parë, e ndjeva qartë se ajo që kisha ndërtuar brenda vetes: qartësia, prania dhe mënyra e të komunikuarit përtej fjalëve kishte një ndikim real tek njerëzit. Nga ai moment, gjithçka filloi të marrë formë dhe drejtim.

Si lindi metoda Unique 2.0 dhe cilat janë elementët kryesorë që e bëjnë këtë qasje të matshme dhe efektive në arritjen e rezultateve personale dhe profesionale?

Unique 2.0 nuk lindi nga teoria, por nga puna reale me njerëz të gjallë: liderë, sipërmarrës, të rinj, njerëz në krizë dhe në rritje. Pas mijëra orësh praktike, u bë e qartë se problemi nuk është mungesa e motivimit por mungesa e qartësisë së brendshme.

Metoda Unique 2.0 bazohet në tre shtylla:

  • Vetëdije emocionale (çfarë po ndodh realisht brenda teje)
  • Komunikim i pastër (si flet, si hesht, si vepron)
  • Vendimmarrje e qëndrueshme (pa frikë, pa maska)

Rezultatet maten totalisht, sepse ndryshimi shfaqet në sjellje konkrete: rritje performance, vendime më të qarta, marrëdhënie më të shëndetshme dhe rezultate financiare të qëndrueshme. Kur njeriu është në përputhje me veten, jeta fillon të përgjigjet.

Duke punuar me liderë, sipërmarrës, të rinj dhe komunitete biznesi dhe jo vetëm, cilat janë modelet e përbashkëta që keni vërejtur te individët që arrijnë sukses të qëndrueshëm?

Të gjithë individët me sukses të qëndrueshëm kanë një gjë të përbashkët: ata nuk reagojnë ata zgjedhin dhe veprojn në prani.

Ata:

  • e njohin veten nën presion,
  • nuk e shesin integritetin për aprovim,
  • dhe nuk kanë frikë nga vetmia e vendimeve të mëdha.

Suksesi i qëndrueshëm nuk vjen nga intensiteti i përkohshëm, por nga prania e përhershme. Këta njerëz nuk kërkojnë vëmendje, ata krijojnë ndikim. Lideri e njeh të pathënën dhe merr vendimin e duhur, para se fjalët të bëhen të nevojshme.

Cili është roli real i diasporës shqiptare në krijimin e mundësive ekonomike dhe personale për shqiptarët, dhe çfarë duhet të ndryshojë për të rritur këtë ndikim?

Diaspora shqiptare ka një potencial të jashtëzakonshëm, por shpesh i mungon bashkimi në vetëdije, jo në krenari boshe. Ajo që duhet të ndryshojë është kalimi nga individualizmi i mbijetesës drejt lidershipit të përgjegjshëm. Kur suksesi individual kthehet në model, jo në krahasim, diaspora bëhet forcë transformuese jo vetëm ekonomike, por edhe kulturore dhe njerëzore. Kur suksesi shoqërohet me vetëdije dhe ndikim, ai bëhet i respektuar. Ky është standardi që unë promovoj.

Si e ktheni komunikimin dhe vetëbesimin në përfitime konkrete, si rritje të të ardhurave, avancim në karrierë apo përmirësim të performancës për pjesëmarrësit në programet tuaja?

Komunikimi është kapitali më i madh që posedon njeriu. E them me plot gojë se komunikimi është po aq i vlefshëm sa oksigjeni, buka dhe uji. Rëndësia qëndron në faktin që ta kuptojmë atë thellësisht. Ndërsa vetëbesimi është valuta. Kur një njeri mëson të flasë nga qartësia dhe jo nga frika, tregu i përgjigjet ndryshe.

Në programet e mia, pjesëmarrësit mësojnë të:

  • vendosin kufij,
  • artikulojnë vlerën e tyre,
  • dhe të marrin vendime pa justifikime.

Kjo përkthehet drejtpërdrejt në rritje të të ardhurave, avancim profesional dhe autoritet personal.

Si e përkufizoni udhëheqësin e shekullit XXI dhe çfarë aftësish duhet të zhvillojnë sot individët për të qenë liderë me ndikim real në jetën personale dhe profesionale?

Lideri i shekullit XXI nuk matet me zërin që ngre, por me qetësinë që ruan kur gjithçka rreth tij tronditet. Në një botë të mbushur me zhurmë, reagime impulsive dhe pasiguri, udhëheqësi i vërtetë është ai që qëndron i palëkundur brenda vetes. Kjo qetësi nuk është strategji, por pasojë e vetëpranisë. Ajo lind nga një ndikim i thellë shpirtëror dhe reflektohet në mënyrën se si një lider hyn në një dhomë, dëgjon, flet dhe vendos. Pa imponim, por me autoritet natyror. Pa frikë, por me përgjegjësi. Një lider i tillë zhvillon vetëkontroll emocional, komunikim autentik dhe guximin për të thënë të vërtetën në momentin e duhur  edhe kur kjo e vërtetë nuk është e rehatshme. Sepse ndikimi real nuk kërkon aprovim, por qartësi.

Sot, udhëheqja nuk është titull dhe as pozitë. Është prani. Dhe prania nuk mund të falsifikohet.

Çfarë është suksesi për ty?

Suksesi është kur nuk ke nevojë të bëhesh dikush tjetër për të qenë i vlefshëm. Kur puna, fjala dhe jeta jote janë në harmoni. Kur ndikimi yt i ndihmon të tjerët të zgjojnë fuqinë e tyre.Unë, në fakt, flas katër gjuhë. Por gjuha më e ëmbël dhe më e fuqishme që flas është gjuha e suksesit. Dhe së fundi: vetëm atëherë nuk je thjesht i suksesshëm por je i plotë si Njeri.

Këshilla ime është kjo:

Askush nuk të ka borxh suksesin.

Por ti ia ke borxh vetes të mos e tradhtosh potencialin tënd.

Sepse potenciali i mohuar është forma më e heshtur e dështimit.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0