Herjola Spahiu: Drejtuesja që trefishoi portofolin e kredisë së kompanisë që drejton - Business Magazine Albania

Herjola Spahiu: Drejtuesja që trefishoi portofolin e kredisë së kompanisë që drejton

Herjola Spahiu

Ka drejtues biznesi që vërtet ju impresionojnë që në takimin e parë. Përse? Për energjinë e tyre, saktësinë, komunikimin cilësor, kërkesën e lartë dhe për kohën që ju dedikojnë. Herjola Spahiu, ishte për ne një drejtuese e suksesshme, derisa e takuam. Nga takimi, kuptuam se ajo ishte gruaja ambicioze, që ia ka dalë të rrisë kompaninë, drejtimin e të cilës ia besuan aksionerët, të rrisë njëkohësisht 3 fëmijë dhe të mund të zhvillojë një takim pa e parë orën, ndërsa udhëzimet e saj janë duke marrë jetë në mjediset dykatëshe të zyrave qëndrore pranë zonës së Komunës së Parisit, por edhe në dhjetëra degë të shpërndara në vend. Herjola Spahiu, drejtuese e NOA, është plot ide të reja dhe të qarta për zhvillimin e kompanisë. Në këtë intervistë, ajo na tregon për rrugëtimin e saj në sistemin bankar, sfidat dhe objektivat e saj dhe NOA-s në sektorin financiar.

Ju sapo keni bërë 10 vite në NOA dhe mbi 20 vite në sistemin financiar. Sot në krye të kësaj kompanie cila ka qenë sfida më e madhe që keni kaluar dhe cila është arritja që mbani mend?

Sfida më e madhe ka qenë drejtimi i kompanisë gjatë periudhës së pandemisë, sepse nëse në periudha normale ecuria e një kompanie varet nga mënyra se si ne si drejtues aplikojmë strategjitë tona, organizojmë burimet dhe vendosim prioritetet, targetojmë apo jo segmente të caktuara, krijojmë apo rishikojmë produkte apo shërbime; në periudhën e pandemisë siguria që sa më lart të funksionojnë ishte shumë e vogël. Nuk mund ta fsheh dot, gjatë asaj periudhe presioni ka qenë shumë i lartë, por jo i lidhur direkt me rezultatet. Shqetësimi kryesor ishte shëndeti i punonjësve dhe i klientëve, mundësia për të mbajtur burimet e financimit dhe askush nga partnerët të mos tërhiqej. 

  • Më tej si mund të ofroheshin shërbimet në distancë për klientët? 
  • Si mund të vazhdonim të financonim ndërkohë që rreziku i kthimit të kredisë ishte i lartë? 
  • A do mund të vazhdonim të mbanim një situatë të qëndrueshme përgjatë vitit? 

Shumë pyetje, shumë paqartësi dhe mbi të gjitha unë sapo kisha lindur vajzën ato javë dhe duhet të balancoja prioritetet në mënyrën më optimale të mundshme.  

Herjola Spahiu

Arritjet në NOA janë të shumta, por për mua arritja më e madhe është zgjerimi rajonal dhe krijimi i filialit në Kosovë. Kjo sepse NOA është i pari Institucion Financiar Jo-bankë që synon të shkojë përtej kufijve për të ofruar shërbimet dhe produktet financiare me një model të maturuar biznesi tashmë. Ishte e vështirë të bindnim aksionerët tanë, një diskutim i filluar që në 2018, por ia dolëm ta realizonim në vitin 2023 dhe më e rëndësishmja është që ky investim po bëhet i suksesshëm.

Ju vini nga sistemi bankar. Nga intervistat tuaja kemi kuptuar se vendimi juaj për të kaluar në një institucion mikrokredie, lidhej me dinamikën dhe mundësitë e rritjes? A i keni përjetuar aq sa prisnit, dinamikën dhe rritjet dhe çfarë ndodhi ndryshe nga parashikimet?

E çuditshme, por deri sa mora vendimin për të kaluar në NOA, mund t’ju them që nuk e mendoja se ekzistonte një jetë profesionale përtej sistemit bankar, duke qenë se praktikisht jam rritur në atë sistem. Jam ndjerë shumë e vlerësuar, përgjatë 12 viteve eksperiencë kam pasur një ecuri të vazhdueshme në karrierë në pozicione të ndryshme, gjë e cila ka bërë që asnjëherë të mos më kthehej puna në monotoni. 

Por, në momentin që Grupi francez Credit Agricole vendosi që të linte tregun shqiptar, aktiviteti i bankës u ngadalësua, sidomos në pjesën e të bërit biznes, duke mos qenë më tërheqës për mua në një moshë kaq energjike. Në atë periudhë isha vetëm 35 vjeç dhe mendoja që karriera ime duhet të ishte ende dinamike, isha shumë e etur për ndryshimet e tregut financiar në Europë (si pjesë e Grupit CA) dhe potencialin e shërbimeve të reja që mund t’u ofroheshin klientëve si pjesë e këtij Grupi edhe në Shqipëri. 

Ishte shumë rastësore njohja ime me NOA-n, por më tërhoqi që në momentin e parë takimi me aksionerët dhe anëtarët e Bordit Drejtues, të cilët flisnin me shumë pasion për misionin kryesor të Institucionit, aksesi në financë dhe edukim financiar për biznesin e vogël, fermerët apo familjet shqiptare. Nuk e kisha menduar çfarë dinamike më priste, por e kuptova kur iu bashkova kompanisë. Më pëlqeu që ditën e parë dinamika e shpejtë e vendimmarrjes, ku klienti kishte prioritet dhe një rast nuk duhej lënë për ditën tjetër, ritmi operacional i punës, duke ndërthurur punën në terren me punën në zyrë, takimet e shpeshta me klientët, partnerët, vizitat mujore në degë për të folur me stafin dhe dëgjuar problematikat, etj. Duke ardhur nga eksperienca shumëvjeçare në komunikim me klientin, zyra nuk është ambjenti im i preferuar edhe pse për shkak të punës më duhet të gjendem shpesh atje.

Energjinë e marr në vizitat në degë, takimet me klientët, bashkëpunimet me partnerët dhe udhëtimet për të përfaqësuar kompaninë kudo që të jetë e nevojshme. Gjithashtu, ritmi i rritjes së kompanisë ka qenë shumë i lartë, sidomos 5 vitet e fundit, gjë e cila sigurisht më jep edhe kënaqësi profesionale. 

Më ka bërë përshtypje zhvillimi i pjesës së retail-it në Bankën Emporiki / Credit Agrocole ku ju nga 2 degë e çuat në më shumë se 20 rrjetin e degëve. Cilat janë pikat tuaja më të forta? Dhe njëkohësisht tashmë edhe të kompanisë që drejtoni: zhvillimi, transformimi, apo implementimi i sistemeve?

Jam një person që i shmangem monotonisë dhe gjendem vazhdimisht në kërkim të ideve apo projekteve të reja. Më frymëzon ndryshimi dhe zhvillimi, mundësisht edhe të bërit të gjërave për herë të parë, vendosja e “gjurmës” sime personale. Përpiqem të jap maksimumin tim profesionalisht dhe kërkoj gjithashtu të njëjtën gjë nga njerëzit që më rrethojnë. Jam vazhdimisht duke zgjeruar njohuritë e mia profesionale, duke iu përshtatur zhvillimit të shpejtë të tregjeve, por edhe duke u munduar të aplikoj ide të reja për tregun, nisur nga eksperiencat më të mira diku tjetër. Vëzhgoj me kujdes sjelljen konsumatore dhe analizoj me detaje modelet e suksesshme të biznesit në tregjet ndërkombëtare financiare, duke u munduar të përshtas çfarë mund të jetë me vlerë dhe përqafohet lehtësisht nga konsumatori shqiptar. 

Disa shembuj më poshtë, ku NOA ka vendosur gurë themeli të rëndësishëm për tregun shqiptar:

  • NOA sot njihet si Institucioni i parë që ka ofruar proceset e aplikimit në tablet që në 2015;
  • Institucioni i vetëm Financiar që ofron model biznesi hibrid për shitjen (omnichannel):
  •  a) në degë
  •  b) online  
  •  c) tek partnerët.
  • NOA është i pari Institucion Financiar Jo-bankar që ka shkuar përtej kredidhënies. Ne, që prej 2022 ofrojmë gjithashtu shërbim pagesash, këmbim valuator për klientë dhe jo-klientë,  produkte sigurimi si agjent i licensuar nga AMF. Por, shumë i rëndësishëm është edhe shërbimi i këshillimit për klientët tanë, sidomos në fushën e bujqësisë dhe turizmit.  
  • Gjithashtu, jemi e para dhe ende e vetmja kompani private që ka listuar obligacion me ofertë publike në bursë. 
  • Prej vitit 2023 jemi i vetmi Institucion Financiar Jo-bankar që kemi prezencë jashtë Shqipërisë, në Kosovë. Dhe ky është vetëm fillimi i ambicies tonë ndërkombëtare.

Duam t’ju njohim juve përmes punës dhe kompanisë. Ndaj na thoni pak disa shifra krahasuese të NOA-s mes 2014-2024. Numri i punonjësve, numri i degëve, portofoli i kredisë?

10 vite nuk janë pak, është një dekade që me ritmin e NOA-s është patjetër dyfish kohë. Në këto 10 vite kemi pasur një fokus të caktuar, të bëhemi institucioni financiar i parë në treg për financimin e biznesit të vogël dhe të mesëm, jo vetëm në kuadër madhësie, por për cilësinë e shërbimit ndaj klientit dhe ekspertizën profesionale. Kështu që shifrat kanë ndryshuar shumë prej vitit 2014. Numri i degëve ka qenë 18 me një staf prej 282 punonjës, të cilët manaxhonin rreth 11,500 klientë dhe një portofol kredie 3.5 miliardë Lekë. 

Sikurse më Mars 2024, shifrat kanë arritur të tjera nivele duke shënuar 30 degë dhe mbi 350 punonjës, të cilët shërbejnë më shumë se 17,000 klientë dhe një portofol prej 9.8 mld Lekë. Sigurisht edhe raportet e përformancës janë përmirësuar tej mase, me një ROE stabël tek 20% kundrejt 10% që ishte në 2014; si dhe një raport të kostos mbi të ardhurat që tashmë ka rënë në nivelin 50% nga 76% në vitin 2014.

Ju financoni atë pjesë të sektorit që nuk konsiderohet nga bankat. Sa është niveli i kredive të këqija, apo tregues të tjerë të ngjashëm?

Sigurisht që një rritje e aktivitetit kredidhënës nëse nuk është cilësore është shumë afatshkurtër. Ne krenohemi me nivelin e cilësisë se portofolit, si Institucioni Financiar më i mirë në treg, duke pasur një NPL prej 2.1% (kredi në vonesë më shumë së 90 ditë), e cila është stabël prej shumë vitesh në NOA. Pjesa e sektorit që financojmë vërtet ka rreziqe të shtuara kundrejt një klienti bankar, por është më e përgjegjshme për kthimin e kredisë dhe e shikojnë si një detyrim të rëndësishëm. Por, nga ana tjetër, ne i kemi përshtatur produktet tona individualisht me çdo cikël biznesi, duke u lejuar klientëve hapësirat e nevojshme për të paguar korrektësisht. Gjithashtu, u kemi qëndruar shumë pranë në çdo moment vështirësie si pandemia apo tërmeti, duke ofruar ristrukturime apo riskedulime të shpejta sipas nevojës së tyre. 

Cilat janë fushat dhe llojet e bizneseve që po tregojnë interes për financim?

Biznesi i vogël dhe i mesëm vazhdon të ketë një kërkesë të qëndrueshme për financim ndër vite, sidomos edhe pas rritjes së kostove në këto 4 vitet e fundit. Sektorët e ekonomisë më të financuar, bazuar kjo edhe në karakteristikat e ekonomisë shqiptare janë tregtia me pakicë dhe shërbimet, bujqësia dhe blegtoria, turizmi dhe shërbimet e lidhura, prodhimi gjithashtu.

Kërkesat për financim janë të ekuilibruara për investim dhe kapital qarkullues dhe kryesisht për një afat 4-5 vjeçar. Në NOA, 20% e portofolit të kredisë është e përqëndruar tek bujqësia për vetë qëllimin dhe misionin tonë, si dhe te një ekspertizë të ndërtuar në vite. Shërbimet, të cilat përfshijnë turizmin dhe transportin përbëjnë 30% të portofolit tonë të kredisë. Tregtia zë diku tek 21%, ndërkohë që prodhimi dhe të tjerat mbeten tek 10% e totalit. Ka pasur një kërkesë në rritje nga viti në vit dhe për kredinë nga individët qoftë për investime në efiçencë të energjisë, ashtu edhe për kreditë e vogla konsumatore.

 

Pandemia dhe rritja e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë solli shumë ndryshime në tregjet në Europë dhe sigurisht edhe tek ne. Si ka ndikuar kjo tek mikrofinanca dhe mbi të gjitha tek ajo pjesë e tregut që asistoni? Çfarë po ndryshon në treg?

Vështirësia e rritjes së çmimeve u ndje më shumë tek biznesi i vogël dhe individët, duke i ndikuar në rritjet e kostove të punës dhe të jetesës. Nga ana tjetër, ritmi i rritjes së pagave nuk kishte të njëjtën ecuri me ritmin e rritjes së kostove, duke i vënë në vështirësi familjet dhe bizneset e vogla familjare. Për këtë arsye, edhe kërkesa për kredi ka ardhur në rritje nga kjo kategori klientësh, duke qenë se e kanë pasur të pamundur të përballojnë ndryshe mbajtjen e aktivitetit apo nivelit të shpenzimeve familjare. Nga ana tjetër, ripagimi i kredive, ndryshe nga sa pritej, nuk është ndikuar nga ndonjë pamundësi pagese. Kjo reflektohet në nivelin e ulët të kredive të pakthyera (NPL). Ndërkohë, institucionet e mikrofinancës u ndikuan negativisht nga rritja e normave të interesit të fondeve, qoftë në tregun lokal, edhe atë ndërkombëtar. Kjo për faktin sepse nuk transferuan tek klientët këtë rritje, duke mos rritur normat e interesit të kredive aktive. Por, të gjitha këto situata të vështira mund të them që tejkalohen lehtësisht tashmë nga institucionet e mikrofinancës, duke qenë se është një sektor i konsoliduar dhe i mirë stukturuar, qoftë në model biznesi, ashtu edhe në qeverisje korporative.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për zhvillimet në 3 vitet e ardhshme dhe si keni menduar t’i qaseni tregut? 

Digjitalizimi i shërbimeve dhe produkteve financiare po drejton tashmë planet strategjike të sektorit financiar për të ofruar shërbime sa më të shpejta, të thjeshta dhe me kosto të ulët. Në NOA, ne do të vazhdojmë të kemi një qasje gjithëpërfshirëse për të zgjeruar shërbimet tona tek çdo klient, në çdo vendodhje biznesi apo banimi, në çdo mënyrë të preferuar nga klienti, fizikisht në degë, online apo për blerje produkti tek një partner. Shqipëria mbetet një treg me potencial të lartë për zgjerimin më tej të institucioneve financiare jo banka, të cilat janë rritur në mënyrë të ndjeshme këto 5 vitet e fundit dhe do të vazhdojnë të kenë trend rritës edhe në 3-5 vjeçarin e ardhshëm. Ne në NOA do të synojmë që të jemi zgjedhja e parë për çdo klient edhe në të ardhmen. 

A kemi ndonjë risi që presim nga NOA, apo nga mikrofinanca në tërësi?

Për NOA, zgjerimi rajonal në Kosovë është vetëm fillimi dhe do të vazhdojmë të konsiderojmë tregje të reja ku vlerësojmë potencial për modelin tonë të biznesit si një qasje e shpejtë dhe e përshtatshme financiare dhe këshilluese për klientët tanë në fokus. Ndërkohë që mikrofinanca në tërësi është vazhdimisht në përmirësim të produkteve dhe shërbimeve të veta, risitë lidhen kryesisht me mënyrën e ofrimit të shërbimeve dhe shtimin e produkteve të reja në funksion të kërkesës konsumatore. E kemi provuar që jemi fleksibël dhe me një aftësi të shpejtë përshatatje ndaj kërkesës së klientit, duke shfrytëzuar çdo mundësi që na ofron tregu. 

Ky artikull u publika më parë në numrin 35 të revistës businessmag.al.

Ju mund të abonoheni këtu dhe të shkarkoni revistën online 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0