Në fillim të këtij muaji, administrata e presidentit amerikan Donald Trump u përball me një valë kritikash pas vendimit për të shfuqizuar “endangerment finding” të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), një vlerësim zyrtar dhe i bazuar në prova shkencore, që pranon se emetimet e gazeve serrë përbëjnë rrezik për shëndetin publik. Edhe pse në pamje të parë mund të duket një ndryshim teknik, në thelb ai është shumë më i rëndësishëm. Që nga viti 2009, ky vlerësim ka qenë baza mbi të cilën janë ndërtuar politikat klimatike të EPA-s dhe agjencive të tjera federale.
Për botën financiare, pasojat janë më të mëdha sesa duken fillimisht. Është e vërtetë që ky vendim nuk e prek drejtpërdrejt politikën monetare të Rezervës Federale të SHBA-së (Fed). Por, siç sugjeron vetë Trump, ai mund të ulë presionet afatshkurtra të kostove për industritë me ndotje të lartë, gjë që potencialisht mund të ndikojë, sado pak, në uljen e inflacionit.
Më tej, ky ndryshim mund ta bëjë Fed-in edhe më të kujdesshëm në mënyrën se si e vlerëson ndikimin e ndryshimeve klimatike mbi ekonominë dhe sektorin financiar. Edhe pse kryetari i Fed-it, Jerome Powell, shpesh konsiderohet si më pak ambicioz në çështjet klimatike krahasuar me homologët e tij ndërkombëtarë, mbikëqyrësit e Fed-it kanë përfshirë faktorët klimatikë në testet e stresit për bankat. Kjo qasje mund të ndryshojë, jo vetëm për shkak të shfuqizimit të vendimit të EPA-s, por edhe sepse Kevin Warsh, kandidati i Trump për ta pasuar Powell-in në maj, e ka kundërshtuar prej kohësh atë që e konsideron “zgjerim të misionit” të Fed-it.
Warsh, për shembull, e ka cilësuar përfshirjen e klimës në vlerësimet e stabilitetit financiar si një formë “kontrabande”, duke argumentuar se bankierët qendrorë nuk duhet të ndjekin moda apo trende politike. Aktualisht, Fed renditet në vendin e 17-të nga 20 institucione të vlerësuara nga “Green Central Banking” – tre vende më poshtë se banka qendrore e Rusisë. Nën drejtimin e Warsh-it, ky pozicion mund të përkeqësohet edhe më tej.
Situata është krejt ndryshe në anën tjetër të Atlantikut. Më 13 shkurt, Banka Qendrore Evropiane (BQE) gjobiti Crédit Agricole në Francë për mosrespektim të një rregulli të lidhur me klimën, pasi banka nuk kishte kryer në kohë një vlerësim të rëndësisë së rreziqeve klimatike. Për këtë shkelje, Crédit Agricole duhet t’i paguajë BQE-së 7.5 milionë euro. Me asete totale rreth 2.37 trilionë euro, kjo shumë nuk e vë në rrezik bankën, por mesazhi për sektorin bankar europian është i qartë.
Për bankat evropiane, shpesh duket sikur në “anijen” e presidentes së BQE-së, Christine Lagarde, ka gjithçka përveç tolerancës ndaj mosrespektimit të rregullave klimatike. Në janar, BQE konfirmoi se ka integruar plotësisht rreziqet klimatike si në objektivat e politikës monetare, ashtu edhe në ato të stabilitetit financiar, duke riafirmuar angazhimin për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Parisit për klimën. BQE renditet e katërta në “ligën e gjelbër” të bankave qendrore – vetëm sepse tre komponentë të Eurosistemit, Franca, Gjermania dhe Italia, mbajnë tre vendet e para.
Lexo edhe: Europa, superfuqia që po nënvlerësohet!
Në këtë fushë, ashtu si në shumë të tjera, hendeku transatlantik duket se po zgjerohet çdo ditë. Çfarë do të thotë kjo për sistemin bankar në secilën anë? Në afat të shkurtër, kjo diferencë mund t’u japë bankave amerikane një avantazh konkurrues, pasi bankat evropiane përballen me kosto më të larta për respektimin e rregullave. Testet e stresit klimatik janë të kushtueshme dhe kërkojnë shumë kohë. Bankat duhet të mbledhin të dhëna jo vetëm për emetimet e tyre (zakonisht të vogla), por edhe për ato të projekteve dhe institucioneve që financojnë përmes kredive. Për bankat e mesme, kjo barrë nuk është e parëndësishme. (Edhe për bankat më të mëdha, kostoja mund të arrijë rreth 100 milionë euro – jo shkatërruese, por aspak e këndshme.)
Ndërkohë, bankat amerikane do të kenë një barrë shumë më të vogël, pasi u duhet të zbatojnë kërkesat e BQE-së vetëm për aktivitetet e tyre në Bashkimin Evropian. Për më tepër, ato do të kenë një avantazh afatshkurtër në financimin e industrisë së karburanteve fosile.
Madje, rreziku klimatik ka filluar të reflektohet edhe në vlerësimin e kërkesave për kapital nga ana e BQE-së, me diskutime për shtesa kapitale për kreditë ndaj kompanive që nuk kanë angazhim për neutralitet klimatik (net-zero). Një qasje e tillë nuk pritet të ndodhë në SHBA në të ardhmen e parashikueshme. Megjithatë, bankat e BE-së mund të fitojnë avantazh në financimin e sektorit të energjive të rinovueshme. Të nxitura të largohen nga nafta, gazi dhe qymyri, ato po ndërtojnë ekspertizë në industri që përfaqësojnë të ardhmen.
Pasojat afatgjata janë më të paqarta. Ata që besojnë fort se ndryshimet klimatike do të transformojnë ekonomitë tona argumentojnë se BE-ja do të ketë një sektor financiar më të qëndrueshëm dhe më rezistent, nëse bankat dhe siguruesit parapërgatisin veten për efektet e ngrohjes globale. Ndërkohë, bankat amerikane mund të përballen me rrezikun që kolateralet e tyre në sektorët e karburanteve fosile të humbasin vlerën, nëse në të ardhmen këto industri kufizohen seriozisht në përdorimin e aseteve që zotërojnë.
Mbështetësit e kësaj qasjeje theksojnë gjithashtu se Banka Popullore e Kinës (PBOC) i afrohet më shumë modelit evropian sesa atij amerikan. Edhe pse PBOC është më e integruar në strukturat e politikave shtetërore dhe nuk ka lejuar hapur që faktorët klimatikë të ndikojnë normat e interesit apo kërkesat për kapital për kreditë “ndotëse”, ajo ka futur subvencione në normat e interesit për bankat që financojnë sektorë “të gjelbër”. Kjo i ka siguruar asaj vendin e gjashtë në renditjen klimatike, një pozicion më lart se Banka e Anglisë.
Për ata që besojnë në konkurrencë të ndershme dhe kushte të barabarta loje, kjo divergjencë në kuadret e politikave të bankave qendrore nuk është lajm i mirë. Ka gjasa që, nëse do të liheshin më shumë të pavarura nga presionet politike, bankat qendrore kryesore do të gjenin një mënyrë për t’u rikthyer në të njëjtën linjë. Por realitetet politike në të cilat ato veprojnë e bëjnë këtë shumë të vështirë, duke na lënë të jetojmë në një “botë me shpejtësi të ndryshme”, ndërsa planeti bëhet gjithnjë e më i ngrohtë dhe më i lagësht.
Howard Davies është ish-zëvendësguvernator i Bankës së Anglisë dhe profesor në Sciences Po.
Copyright: Project Syndicate, 2026.
www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto