Sfida klimatike, duhen 2.3 miliardë USD për të mbrojtur infrastrukturën - Business Magazine Albania

Sfida klimatike, duhen 2.3 miliardë USD për të mbrojtur infrastrukturën

bujqesi

Qeveria shqiptare e ka konsideruar sektorin e transportit ndër më të ekspozuarit ndaj rreziqeve klimatike, sipas Planit Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike (NAP) për periudhën 2026–2036, një dokument strategjik që synon të mbrojë ekonominë dhe infrastrukturën nga rreziqet në rritje të klimës, në të cilin ndryshimet klimatike tashmë po rrisin presionin mbi infrastrukturën ekzistuese.

Përmbytjet, rrëshqitjet e tokës dhe erozioni kërcënojnë rrugët dhe hekurudhat, ndërsa rritja e nivelit të detit paraqet rrezik për portet dhe objektet bregdetare. Valët e të nxehtit po shtojnë gjithashtu presionin mbi infrastrukturën e vjetruar.

Transporti rrugor mbetet forma dominuese e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në vendin tonë aktualisht, pasi rrjeti hekurudhor ka pësuar rënie drastike dhe aktualisht përfaqëson më pak se 1% të trafikut të pasagjerëve.

Plani parashikon shtatë masa prioritare për transportin, me një kosto të vlerësuar rreth 2,3 miliardë dollarë, ose 21% të buxhetit total që nevojitet për të zbutur pasojat e klimës. Këto masa fokusohen në vlerësime të rregullta të rrezikut për rrugët, përdorimin e zgjidhjeve bio-inxhinierike për të parandaluar përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave, si dhe zhvillimin e mobilitetit urban të qëndrueshëm.

Lexo edhe: Taksë e re mbi karbonin, BE rregullon çmimet për familjet dhe bizneset

Plani synon jo vetëm mbrojtjen nga rreziqet klimatike, por edhe krijimin e një sistemi modern transporti dhe zhvillimi ekonomik më të qëndrueshëm. Kërkohen investime në infrastrukturë rezistente ndaj klimës, të cilat pritet të rrisin sigurinë, të përmirësojnë lidhshmërinë dhe të mbështesin rritjen ekonomike në afat të gjatë.

Në vitin 2021 ishin funksionale vetëm 224 kilometra hekurudhë, me shërbime të kufizuara dhe shpejtësi të ulëta. Megjithatë, projekte të reja si linja Tiranë–Durrës me lidhje me aeroportin dhe projektet e propozuara drejt Kosovës dhe Greqisë synojnë rigjallërimin e këtij rrjeti dhe zhvillimin e transportit me emetime të ulëta.

Transporti detar mbetet jetik për tregtinë, pasi realizon rreth 70% të eksporteve dhe mbi gjysmën e importeve. Porti i Durrësit përpunon 92% të mallrave të vendit, ndërsa portet e Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës mbeten pika strategjike për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit.

Por, teksa Shqipëria ka tashmë një plan për mbrojtjen nga rreziqet klimatike, institucionet ndërkombëtare kanë vënë në dukje se vendi ynë ka probleme të mëdha në zbatimin e strategjive dhe planeve në praktikë.

Me këtë plan, Shqipëria synon të harmonizojë prioritetet kombëtare me objektivat globale të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, në një kohë kur presioni i klimës mbi ekonominë dhe infrastrukturën po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0