Hapen zyrtarisht korridoret ajrore Kosovë - Shqipërinë - Business Magazine Albania

Hapen zyrtarisht korridoret ajrore Kosovë – Shqipërinë

Ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, e ka bërë të ditur lajmin se Kosova i ka hapur korridoret ajrore me Shqipërinë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se fluturimet drejt vendeve të Perëndimit do të shkurtohen për gati 15 minuta. Nga 1 janari, bashkëatdhetarët, përveç që do të udhëtojnë pa viza, do të kursejnë edhe më shumë kohë”, ka thënë Aliu. Ai i është referuar liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që hyn në fuqi prej 1 janarit të vitit 2024. Qytetarët e Kosovës kanë qenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor, që nuk kanë mundur të lëvizin pa viza në zonën për lëvizje të lirë, Schengen.

Albion Idrizi, magjistër i aviacionit, ka thënë muaj më parë për Radion Evropa e Lirë, se pas hapjes së korridorit ajror të Kosovës me Shqipërinë, përveç shkurtimit të kohës së fluturimit, do të zvogëlohet edhe çmimi i biletave.

Aktualisht, sipas tij, çmimi mestar i një bilete një drejtimëshe nga Kosova për në të gjitha vendet e BE-së është 140 euro. Me shkurtimin e fluturimit, ky çmim mund të bjerë deri në 6 për qind, apo 8 euro, thotë Idrizi, ndërmarrës në fushën e udhëtimeve dhe turizmit në Kroaci dhe Kosovë.

Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020. Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ndryshe nga hapësira e ulët ajrore e Kosovës që menaxhohet nga AAC-ja, hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014 – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999. Për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” udhëtojnë miliona persona brenda vitit. Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë, deri më tani, destinacionet më të shpeshta.

REL

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0