Qindra gra sipërmarrëse, profesioniste, të cilat synojnë sukses, i janë bashkuar konferencës dy ditore të Global Women në Tiranë.
Kjo është hera e parë që Global Women vjen në Shqipëri me një konferencë dy ditore me rreth 20 folës dhe që do të lançojë Tirana Global Women Club.
Drejtuese e këtij klubi është Sue Ivory, tashmë drejtuese e një prej klubeve në Londër.
Folësit e parë në këtë konferencë vijnë me mesazhin se, gratë duhet të bëhen së bashku, të njohin njëra-tjetrën e të kuptojnë aftësitë e tyre dhe të kuptojnë që janë unike.
Pas fjalës së saj në skenë, ku ftoi gratë të bëhen pjesë e klubit, Sye Ivory tha për Businessmag.al se, “Së bashku krijojmë një kuadër të gjerë. Krijojmë mundësi për takime, jemi një skuadër edhe kur kuptojmë se nuk kemi aftësitë e duhura, nuk përbën problem, pasi një tjetër person i rrjetit i ka këto aftësi e na vjen në ndihmë”.
Lëvizja Global Women e Mirela Sulës është tashmë me 27 klube, në qytete të ndryshme, apo disa klube në një qytet, siç ka ndodhur me Londrën.
Shpejtësia e zgjerimit të këtij rrjeti është impresionues. Sue i është bashkuar Global Women në janar të këtij viti dhe sot ajo drejton dy prej klubeve të organizatës.
Ftesa e Mirela Sulës në stage vjen e thjeshtë për çdo zonjë që i druhet fjalës në publik. Duke u nisur nga vetë përvoja e saj, apo e shumë folësve sot të rëndësishëm, që zbuluan veten tek Global Women, Mirela Sula ftoi sipërmarrëset, zonjat në karrierë, por edhe shumë vajza të reja, ende në auditoret e universiteve (pjesëmarrëse në konferencë) të bëhen pjesë e kësaj aventure që u rrit mundësitë për sukses.
Lexo: Themeluesja e “Global Woman”, Mirela Sula pjesë e listës së 100 njerëzve më frymëzues në botë
Ajo tha për Businessmag.al se, “Qëllimi është të fuqizojmë gratë lokalisht dhe t’i lidhim ato globalisht. Gratë kanë vetëvlerësim të ulët e vetëbesim të ulët. Kjo është një nga arsyet pse ne ndërhyrjmë së pari t’i identifikojmë ato, t’i bëjmë të kuptojnë cili është avantazhi i tyre, të kuptojnë që kanë një potencial të fuqishëm brenda vetes dhe se si t’a kthejnë atë në avantazh”.
Mirela thotë se, shpesh ti nuk ke mundësi t’a shohësh këtë potencial tek vetja. “Global Women, duke qenë një organizatë përfshirëse, që nuk paragjykon, nuk kritikon, që është mikpritëse, krijon një zonë të sigurtë, ku gratë ndihen të sigurta. Pasiguria është problem kyç tek gratë: kanë frikë se çfarë thonë të tjerët, si gjykohen, si shikohen. Prandaj mantra që kam shpërndarë në të gjithë botën është: “Nëse do të fuqizosh një grua, jepi një mikrofon”. Kemi parë çfarë ndryshimi ndodh tek një grua kur e fton në skenë, i jep autoritet dhe i thua “është skena jote, dua të dëgjoj nga ty”. Ajo që ke ti nuk e ka dikush tjetër. Secili është unik. Ka gjithmonë njerëz që kanë nevojë të marrin, të mësojnë të fuqizohen prej teje dhe është koha që në Shqipëri të shpërndahet kjo kulturë”.
Duke mos ardhur nga një traditë, ku gratë mbështesin njëra-tjetrën, edhe në nivel ndërkombëtar, platforma e Global Women cilësohet si ndërtim i një rrugëtimi, modeli për fuqizimin e grave, model në zhvillim e sipër.
Në Global Women, çdo anëtareje i jepet mikrofon 2 minuta, ku ndan historinë, dëshirën, projektin e saj dhe të gjitha e inkurajojnë dhe festojnë për këtë.
Mes 20 folësve këto dy ditë, nuk mungojnë folësit burra, ndërsa do të ketë edhe dy panele me gra ambasadore dhe influencers shqiptarë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.