Google ka lançuar një aplikacion të ri eksperimental të quajtur Doppl, që përdor inteligjencën artificiale për të vizualizuar se si mund të duken veshjet tek ju, njoftoi kompania. Aplikacioni është aktualisht i disponueshëm për pajisjet iOS dhe Android në SHBA.
Doppl është krijuar për të lejuar përdoruesit të provojnë virtualisht veshje në një version digjital të vetes së tyre. Procesi fillon duke ngarkuar një foto të plotë të trupit tuaj. Më pas, mund të përdorni imazhe ose screenshote të veshjeve të ndryshme për t’i provuar virtualisht. Këto imazhe mund të jenë nga një veshje që keni parë në një dyqan ‘second-hand’, tek një mik apo edhe nga rrjetet sociale.
Pasi përzgjidhni një veshje që dëshironi të provoni, Doppl gjeneron një imazh të personalizuar ku shfaqeni ju të veshur me atë veshje. Aplikacioni gjithashtu mund të kthejë këto imazhe statike në video të krijuara me AI, për të dhënë një ide më të qartë se si do të dukej veshja në lëvizje, në jetën reale.
Lexo edhe:Editorial/ Shqipëria, ekonomia që po troket në derën e Bashkimit Europian!
Përdoruesit mund të ruajnë pamjet e preferuara dhe të shfletojnë të gjitha provat e mëparshme virtuale. Gjithashtu, mund të shpërndajnë pamjet e tyre me të tjerët. Sipas Google, aplikacioni ndërtohet mbi funksionalitetet e fundit të Google Shopping, që tashmë ofron mundësi për prova virtuale të veshjeve. Me një aplikacion të dedikuar, kompania synon ta bëjë këtë funksion më të aksesueshëm dhe më argëtues për përdoruesit, ndërsa njëkohësisht mbledh të dhëna për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj teknologjie.
Ndryshe nga përpjekjet e mëparshme të Google në fushën e provave virtuale, të cilat fokusoheshin në paraqitjen e produkteve në modele të ndryshme, Doppl e zhvendos përvojën në një nivel më personal, duke e ndërtuar mbi versionin digjital të vetë përdoruesit.
“Shpresojmë që Doppl t’ju ndihmojë të eksploroni stilin tuaj në mënyra të reja dhe emocionuese,” thuhet në postimin zyrtar të Google. “Si një eksperiment nga Google Labs, Doppl është ende në fazat e para të zhvillimit dhe mund të mos jetë gjithmonë i saktë. Madhësia, pamja apo detajet e veshjeve mund të mos përputhen plotësisht me realitetin.”
Duke qenë se Doppl është një lançim eksperimental, ende nuk dihet nëse apo kur Google do ta bëjë aplikacionin të disponueshëm edhe në vende të tjera jashtë SHBA-së.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto