Google investon 5 miliardë euro në Belgjikë për zgjerimin e AI dhe cloud - Business Magazine Albania

Google investon 5 miliardë euro në Belgjikë për zgjerimin e AI dhe cloud

Gjiganti teknologjik Google ka njoftuar një investim prej 5 miliardë eurosh në Belgjikë për zgjerimin e qendrave të të dhënave dhe infrastrukturës së inteligjencës artificiale, në atë që konsiderohet si një nga investimet më të mëdha teknologjike në historinë e vendit. Projekti pritet të krijojë rreth 300 vende të reja pune dhe të forcojë kapacitetin e të dhënave në rajonin e Valonisë, duke mbështetur ambicien evropiane për zhvillim digjital pa karbon.

Investimi do të përdoret për zgjerimin e kampusit ekzistues të Google në Saint-Ghislain, ku kompania operon që prej vitit 2009. “Me këtë njoftim, Google po thellon praninë e saj në Belgjikë, duke zgjeruar investimet dhe krijuar rrugë të reja për transformim të udhëhequr nga AI,” deklaroi Bikash Koley, zëvendëspresident global për infrastrukturë në Google. Kryeministri belg Bart De Wever e përshkroi projektin si “një gur themeli për ekonominë digjitale dhe tranzicionin energjetik të vendit.” Sipas tij, investimi “është një shenjë besimi në Belgjikën si qendër të inovacionit digjital dhe rritjes së qëndrueshme, duke forcuar njëkohësisht rolin tonë në të ardhmen digjitale të Europës.”

Lexo: BE-ja sjell Wi-Fi falas në të gjitha bashkitë në Shqipëri

Qendrat e reja do të funksionojnë me energji të pastër, të integruara në rrjetin e energjisë së rinovueshme të Belgjikës, në përputhje me objektivat klimatike të BE-së dhe vendit për vitin 2030.

Zhvillimi është pritur veçanërisht mirë në Valoni, ku autoritetet rajonale e konsiderojnë investimin si një shtysë për sovranitetin digjital dhe zhvillimin ekonomik. “Ky projekt konfirmon rolin qendror të Valonisë si një nyje evropiane për përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave,” tha Pierre-Yves Jeholet, zëvendëskryeministër i qeverisë së Valonisë.

Kryetarja e bashkisë së Saint-Ghislain, Florence Monier, shtoi se “zhvillimi e bën komunitetin tonë pjesë të një ekosistemi inovativ që krijon mundësi për bizneset e tjera, dhe është detyrë e jona si përfaqësues lokalë të sigurojmë integrim sa më të mirë të projektit.”

Ministri belg i Mbrojtjes dhe Tregtisë së Jashtme, Theo Francken, theksoi nevojën për ruajtjen e ekuilibrit mes bashkëpunimit me kompanitë globale dhe mbrojtjes së interesave kombëtare. “Forcimi i kapaciteteve tona kibernetike kërkon dialog të hapur, por edhe garanci të forta për sovranitetin dhe sigurinë tonë,” tha ai.

Google do të vazhdojë gjithashtu bashkëpunimin me kompaninë belge të telekomunikacionit Proximus, me të cilën po zhvillon shërbime cloud sovrane. “Vendimi i Google për të zgjeruar praninë në Belgjikë e konsolidon rolin tonë si motor i inovacionit digjital në Europë,” deklaroi Fabrice De Windt, CEO i Proximus.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0