Gjykata godet Musk, i ndalon aksesin në thesarin amerikan - Business Magazine Albania

Gjykata godet Musk, i ndalon aksesin në thesarin amerikan

Një gjykatës federal ka ndaluar përkohësisht ekipin e Elon Musk nga qasja në sistemet e pagesave dhe të dhënave të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, duke paralajmëruar se kjo mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme”.

Lexo gjithashtu: Elon Musk dhe përplasja me qeverinë amerikane, çfarë po ndodh?

Ky vendim vjen si përgjigje ndaj një padie të ngritur nga 19 prokurorë të përgjithshëm demokratë, të cilët e akuzojnë Presidentin Trump për shkelje të Kushtetutës duke i dhënë Musk dhe ekipit të tij qasje të pakufizuar në sistemet kompjuterike të qeverisë federale.

Në padi theksohet se administrata e Trump ka lejuar jo vetëm të emëruarit politikë, por edhe punonjës të jashtëm të qeverisë, si anëtarët e programit të Musk, të quajtur “Departamenti i Efiçencës Qeveritare” (DOGE), të kenë akses në të dhënat më të ndjeshme të vendit. Kritikët pretendojnë se ky ekip nuk është fokusuar në kursimin e parave, por në bllokimin e fondeve federale për përfitues të caktuar, bazuar në axhendën e tyre politike.

Një gjykatës ka urdhëruar që çdo material i shkarkuar nga sistemet e Thesarit nga anëtarët e DOGE që nga 20 janari të shkatërrohet menjëherë. Ndërkohë, më 14 shkurt, administrata e Trump duhet të shpjegojë para gjykatës pse ka lejuar një gjë të tillë.

Musk nuk e ka fshehur qëllimin e tij për të ndërprerë fondet federale për programe si klinikat shëndetësore, arsimin e hershëm dhe nismat për klimën. Në rrjetet sociale, ai ka deklaruar hapur synimin e tij për të “pezulluar rrjedhën e fondeve federale pa asnjë paralajmërim”.

Përpara ardhjes së Trump në pushtet muajin e kaluar, vetëm një numër i kufizuar zyrtarësh të kualifikuar kishin akses në sistemin e pagesave të Thesarit, sistem që shpërndan miliarda dollarë për përfitues të ndryshëm, përfshirë pensionet, pagat e punonjësve federalë dhe ndihmën për veteranët. Me ndryshimet e fundit, Musk dhe ekipi i tij janë futur në “qendrën nervore” të financave të SHBA-së, duke alarmuar ligjvënësit demokratë dhe punonjësit federalë.

Kjo nuk është beteja e vetme ligjore kundër politikave të reja të Trump. Në javët e fundit, ai është përballur me sfida të shumta, përfshirë padinë e sindikatave federale kundër përpjekjeve të administratës për të larguar nga puna mbi dy milionë punonjës qeveritarë. Një tjetër padi është ngritur nga agjentë të FBI-së, të cilët kërkojnë të mbrojnë identitetet e hetuesve që punuan në çështjen e trazirave të Kapitolit më 6 janar 2021.

Ndërkohë, Trump ka sinjalizuar se misioni i Musk nuk përfundon këtu. Pas financave, ai pritet të marrë në shënjestër Pentagonin, i cili ka kontrata miliardëshe me kompanitë e tij.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, ka paralajmëruar se administrata e Trump nuk ka asnjë të drejtë t’ua japë informacionet private të qytetarëve amerikanë kujtdo që dëshiron. “Ne nuk do të lejojmë që të dhënat më të ndjeshme të amerikanëve të bien në duart e njerëzve pa autorizim,” ka deklaruar ajo.

Në mes të kaosit, një gjë është e qartë, lufta ligjore sapo ka filluar, dhe Musk ,njeriu që dikur synonte yjet,  tani po kërkon të kontrollojë rrjedhën e miliardave në tokë.

New York Times

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0