Parlamenti gjerman ka miratuar me shumicë të madhe votash uljen e përkohshme të tatimit mbi vlerën e shtuar për gazin. Votave të maxhorancës së koalicionit tripartiak të qendrës së majtë iu shtuan edhe votat e grupeve parlamentare CDU/CSU dhe AfD. Vetëm e Majta abstenoi.
“Ne përdorim fuqinë tonë ekonomike për të mbrojtur prosperitetin e vendit tonë”, tha ministri gjerman i Financave, Christian Lindner. Ai akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se dëshiron të shkundë ekonomitë e vendeve perëndimore me një “luftë energjetike” në mënyrë që t’i dobësojë ato nga brenda. “Putini do të dështojë me këtë qëllim”, tha ministri i Financave.
Norma e TVSH-së për furnizimet e gazit përmes rrjetit të gazit natyror do të ulet nga 19 në shtatë për qind për një periudhë të kufizuar nga 1 tetori deri në fund të marsit 2024. E njëjta gjë do të ndodhë edhe për ngrohjet qëndrore, me të cilat furnizohet një pjesë e mirë e apartamenteve në Gjermani.
Lexo edhe: Çmim tavan për gazin? BE ende e paqartë nëse duhet ta zbatojë
“Ulja e taksës së shitjes për gazin është e saktë”, tha eksperti i ekonomisë i CDU-së, Mathias Middelberg në debat. Megjithatë, do të kishte qenë më mirë sikur koalicioni “të kishte arritur më herët në këtë konstatim” shtoi ai. Middelberg kritikoi gjithashtu faktin se paketa prej 200 miliardë eurosh e planifikuar tani nga qeveria deri tani nuk është tjetër vetëm një borxh.
Mbetet plotësisht e paqartë “çfarë doni të financoni me të”, tha politikani konservator. Folësit nga SPD dhe të Gjelbërit hodhën poshtë akuzat. Politikania e të Gjelbërve, Katharina Beck theksoi se ulja e taksave duhet parë “si pjesë e një koncepti më të madh”. Kjo përfshin gjithashtu heqjen e fitimeve të tepërta nga kompanitë energjetike, e cila është duke u negociuar aktualisht në Bruksel.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.