Gerion Treska prezanton Medapp: aplikacionin që organizon jetën shëndetësore me një klik! - Business Magazine Albania

Gerion Treska prezanton Medapp: aplikacionin që organizon jetën shëndetësore me një klik!

Gerion Treska prezanton Medapp: aplikacionin që organizon jetën shëndetësore me një klik!

Nga Eni Muça– Shëndetësia në Shqipëri nuk ka mungesë mjekësh apo klinikash. Ka mungesë organizimi. Dhe është pikërisht ky kaos i vogël, por i përditshëm, që Medapp ka vendosur ta rregullojë. Nëse je prind, kujdestar apo thjesht një pacient që endet nga një klinikë në tjetrën me një pako dokumentesh nën sqetull  ka shumë mundësi që të jesh lodhur nga mënyra sesi “ruajmë” kujtesën tonë shëndetësore. Për Gerion Treskën, themeluesin e Medapp, ky nuk ishte vetëm një shqetësim i përditshëm. Ishte shkaku pse vendosi të ndërtojë një zgjidhje.

Ja se si shprehet ai në këtë intervistë për Businessmag mbi krijmin e këtij aplikacioni inovativ.

Gjatë shtatzënisë së bashkëshortes sime, çdo kontroll vinte me letra të reja. U gjendëm duke menaxhuar dhjetëra dokumente në çanta, WhatsApp dhe galeri telefoni – një çrregullim që nuk ndihmonte as kujtesën, as sigurinë,” tregon Gerioni, bashkëthemelues i Medapp, aplikacioni që synon të kthehet në ‘portofolin mjekësor’ të çdo individi në Shqipëri. Por kjo nuk është një tjetër histori idilike e një startup-i që nisi në një kafene me ëndrra të mëdha. Medapp vjen si një reagim ndaj një boshllëku real në sistemin shëndetësor shqiptar  ku të dhënat nuk ndjekin pacientin, por mbeten të shpërndara midis klinikave, analizave dhe kujtesës personale.

Ne nuk po i kërkojmë askujt të ndryshojë zakonet,” thotë Gerioni. “Thjesht po përpiqemi të lehtësojmë dhimbjen e kokës që vjen me organizimin e të dhënave mjekësore.” Dhe në këtë pikë, Medapp merr një drejtim tjetër: nuk është ndërtuar për spitale apo qendra shëndetësore — është ndërtuar për pacientin, për nënën, për gjyshin, për kujdestarin që ka nevojë të mbajë gjithçka në rregull.

Përdoruesit mund të ngarkojnë dokumentet e tyre, të krijojnë profile për anëtarët e familjes, të ndajnë të dhënat me mjekët përmes një linku të thjeshtë dhe të shikojnë në hartë mjekët dhe klinikat përreth. Në thelb: një organizim inteligjent i të kaluarës mjekësore që zakonisht ngatërrohet në letra të zverdhura dhe screenshot-e të humbura.

Lexo edhe: Nga Shqipëria në zemër të Venecias – Si Shkëlqim Baku krijoi Regina Corner, një oaz shqiptar në mes të qytetit të artit!

Në një treg që është ende skeptik, risia nuk është teknologjia – është qasja
Është sfidë të punosh në Shqipëri kur vjen puna tek teknologjia mjekësore,” pranon ai. “Njerëzit janë skeptikë, por jo sepse nuk duan ndryshim – thjesht nuk kanë parë ende një zgjidhje që funksionon për ta.” Dhe pikërisht këtu qëndron forca e Medapp. Jo në teknologjinë e avancuar, por në mënyrën si i është përgjigjur një problemi real, në një mënyrë njerëzore.

Ekipi? I vogël, por i duhuri!
“Na u desh kohë për të ndërtuar ekipin. Nuk kërkonim vetëm zhvillues — kërkonim njerëz që e kuptonin ndjeshmërinë e të dhënave mjekësore dhe boshllëqet ligjore që vijnë me to,” shpjegon Gerioni. Sot, Medapp funksionon me një bërthamë solide profesionistësh, të mbështetur nga këshilltarë në inxhinieri softuerike, ligj dhe shëndetësi.

Reagimi i parë i përdoruesve?
“Në testimet e para, shumë nëna dhe pacientë kronikë thoshin: më në fund dikush ka menduar për ne,” rrëfen themeluesi. Për ta, aplikacioni nuk është vetëm një vegël digjitale , është lehtësim, kontroll dhe në disa raste, siguri.

Po planet e së ardhmes cilat janë?

Plani është i qartë:

  • Rritje e bazës së përdoruesve realë

  • Partneritete me klinika dhe farmaci

  • Versioni 2.0 me përmirësime UX

  • Hapja ndaj tregjeve të tjera ballkanike me probleme të ngjashme

Dhe më pas? Pse jo, integrime me siguracionet shëndetësore dhe sisteme të tjera që mund ta bëjnë Medapp një nyje të rëndësishme në ekosistemin shëndetësor.

Sot është një app. Nesër, mund të jetë standardi i kujdesit shëndetësor në rajon. Me Medapp, Gerion Treska nuk po ndërton vetëm një startup, po ndërton një themel që i shërben individit. Dhe ndoshta pikërisht këtu nis transformimi.

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0