Gazifikimi, hallka që forcon sigurinë energjetike të Shqipërisë! - Business Magazine Albania

Gazifikimi, hallka që forcon sigurinë energjetike të Shqipërisë!

Nga Dr. Lorenc Gordani*. Tranzicioni energjetik po shndërrohet gjithnjë e më shumë në boshtin kryesor të politikave ekonomike e mjedisore të vendeve të Evropës Juglindore. Për Shqipërinë, e cila prodhon mbi 95% të energjisë elektrike nga burime hidrike, kjo nënkupton jo vetëm vazhdimin e investimeve në energji të pastër, por edhe ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm e të diversifikuar.

Në këtë kontekst, gazifikimi i vendit përfaqëson hallkën që garanton sigurinë e furnizimit dhe stabilitetin afatgjatë të sektorit energjetik. Gazi natyror, si “fuel of transition”, nuk është alternativë ndaj energjive të rinovueshme, por plotësues i tyre. Ai krijon kushtet teknike dhe tregtare që energjia diellore, ajo e erës dhe hidroenergjetika të funksionojnë në harmoni, pa rrezikuar sigurinë e sistemit.

Nga varësia hidrike drejt një sistemi të balancuar

Modeli aktual energjetik i Shqipërisë mbështetet thuajse tërësisht mbi prodhimin hidro, çka e ka bërë vendin një ndër më të pastërtit në Europë për sa i përket emetimeve. Por në të njëjtën kohë, kjo varësi e lartë nga kushtet atmosferike e ka bërë sektorin të ekspozuar ndaj thatësirave dhe luhatjeve sezonale, duke krijuar shpesh nevojë për importe energjie me kosto të lartë.Në këtë kuadër, gazi natyror shfaqet si elementi që mund të ofrojë fleksibilitetin e munguar. Përmes kapaciteteve termike me bazë gazi, sistemi mund të kompensojë mungesat e përkohshme të energjisë së rinovueshme, të ulë presionin mbi importet dhe të ruajë stabilitetin ekonomik të tregut. Një qasje e tillë siguron jo vetëm energji të qëndrueshme, por edhe një çmim më të parashikueshëm për konsumatorët dhe industrinë.

Projekte që po ndryshojnë hartën energjetike të vendit

Hapat konkretë drejt gazifikimit janë tashmë në zhvillim. Trans Adriatic Pipeline (TAP) e ka bërë Shqipërinë pjesë të Korridorit Jugor të Gazit, një nga projektet më strategjike për sigurinë energjetike europiane. TAP-i krijon një bazë reale për shtrirjen e mëtejshme të rrjetit përmes Ionian–Adriatic Pipeline (IAP), që do të lidhë vendin me Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kroacinë, duke mundësuar qarkullim rajonal dhe treg të integruar.

Një tjetër projekt me rëndësi strategjike është ALKO-GAP, tubacioni që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, duke forcuar sigurinë e furnizimit dhe duke rritur bashkëpunimin energjetik ndërkufitar. Paralelisht, projekti i gazifikimit të qytetit të Korçës, i realizuar në bashkëpunim me SOCAR dhe Albgaz, do të jetë shembulli i parë i aplikimit të gazit në nivel urban në Shqipëri, duke krijuar një model që mund të përsëritet në qytetet e tjera.

Lexo edhe: Si mund të harmonizohen raportimet e qëndrueshmërisë në BE

Në bregdet, projekti Fier–Vlorë, së bashku me TEC-in e Vlorës dhe terminalin LNG në Vlorë, po e pozicionon Shqipërinë si një nyje të re energjetike të Adriatikut, ku gazi shihet jo vetëm si burim furnizimi, por edhe si infrastrukturë zhvillimi ekonomik dhe industrial.

Gazifikimi si mjet sigurie dhe diplomacie energjetike

Gazifikimi nuk është vetëm një projekt teknik, por një strategji gjeoekonomike që rrit peshën e Shqipërisë në hartën energjetike të rajonit. Përmes përfshirjes në Korridorin Jugor dhe lidhjeve me rrjetet europiane, vendi merr një rol aktiv në arkitekturën e re të sigurisë energjetike të kontinentit.

Kjo dimension i jep Shqipërisë mundësinë të kthehet në një urë mes Kaspikut dhe Europës, duke kontribuar në diversifikimin e furnizimeve dhe në uljen e varësisë nga burime të kufizuara. Bashkëpunimi me Azerbajxhanin dhe partnerët e tjerë të rajonit krijon një bazë solide për zhvillime të reja në infrastrukturë, tregti dhe investime energjetike.

Dimensioni rregullator dhe tregtar

Rruga drejt gazifikimit kërkon një kuadër të qartë rregullator dhe një treg funksional, që garanton konkurrencë të ndershme, transparencë dhe tërheqje investitorësh. Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim me krijimin e Operatorit të Tregut të Energjisë Elektrike (ALPEX), liberalizimin gradual të tregut dhe ndarjen funksionale të sektorit të shpërndarjes.

Në fushën e gazit, sfida mbetet zhvillimi i një rrjeti të brendshëm shpërndarës, që mundëson akses për konsumatorët fundorë dhe krijon bazën për rritjen e konsumit industrial. Kjo kërkon politika të qëndrueshme, plane investimi afatgjata dhe mbështetje nga instrumente ndërkombëtare financiare si BB, BERZH, BE, AFD, etj.

Një tranzicion i zgjuar dhe i sigurt

Nëse energjia e rinovueshme përfaqëson të ardhmen, atëherë gazi përfaqëson urën drejt asaj të ardhmeje. Duke kombinuar fleksibilitetin teknik të gazit me potencialin e madh të energjive të pastra, Shqipëria mund të arrijë një model të balancuar energjetik, që i garanton pavarësi, siguri dhe zhvillim ekonomik.

Në fund të ditës, tranzicioni i gjelbër nuk është vetëm çështje teknologjie, por një projekt kombëtar për qëndrueshmëri. Gazifikimi i Shqipërisë, i mbështetur nga bashkëpunimi rajonal dhe integrimi me infrastrukturën europiane, është pikërisht ajo hallkë që mund ta bëjë këtë tranzicion të qëndrueshëm, të sigurt dhe përfshirës për të gjithë.

*Lorenc Gordani është ekspert rregullator në sektorin e energjisë  dhe pedagog në Tirana Business University (TBU).

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0