Studim britanik: Dielli, burimi më ekonomik i energjisë në botë - Business Magazine Albania

Studim britanik: Dielli, burimi më ekonomik i energjisë në botë

Një studim i ri nga Universiteti i Surrey ka shpallur energjinë diellore si burimin më të lirë të energjisë në botë, duke tejkaluar burimet e tjera të rinovueshme si era, si dhe karburantet fosile si qymyri dhe gazi. Sipas hulumtimit, në vendet me diell të bollshëm, prodhimi i një njësie energjie kushton vetëm 0.023 euro, një nivel rekord që e bën këtë burim “shtytësin kryesor” të tranzicionit global drejt energjisë së pastër.

Edhe në Britaninë e Madhe, e njohur për motin e saj me re, energjia diellore është vlerësuar si opsioni më ekonomik për prodhim në shkallë të gjerë.

Një burim i qëndrueshëm energjie

Rënia me 89 për qind e çmimeve të baterive litium-jon që nga viti 2010 ka bërë që sistemet hibride, që kombinojnë panelet diellore me magazinimin e energjisë, të jenë po aq efikase sa termocentralet me gaz. Këto struktura lejojnë ruajtjen dhe përdorimin e energjisë diellore kur është e nevojshme, duke e bërë atë një burim më të besueshëm dhe të menaxhueshëm për rrjetin energjetik.

Sfidat e integrimit në rrjet

Megjithëse kostoja e ulët e bën energjinë diellore tepër tërheqëse, Dr. Ehsan Rezaee, bashkautor i studimit, paralajmëron se lidhja e sasisë në rritje të energjisë diellore me rrjetet ekzistuese të energjisë mbetet një nga “sfidat më të mëdha” për industrinë.
Sipas tij, rrjetet inteligjente, parashikimet me inteligjencë artificiale dhe lidhjet më të forta ndër-rajonale do të jenë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit të sistemit.

Lexo edhe: Fund tarifave të larta, prej sot Shqipëria nis zyrtarisht transfertat në SEPA

Inovacionet që rrisin efiçencën

Zhvillimet në materialet e reja, si qelizat diellore perovskite, mund të rrisin prodhimin e energjisë deri në 50 për qind pa zënë më shumë hapësirë. Këto qeliza janë më të holla, më fleksibël dhe mund të instalohen në sipërfaqe të ndryshme  nga ndërtesat deri te automjetet, duke reduktuar nevojën për parqe të mëdha diellore.
Megjithatë, profesori Ravi Silva, drejtor i ATI në Universitetin e Surrey, thekson se ky progres varet nga “mbështetja e qëndrueshme dhe afatgjatë e politikave publike”.

Europa po rrit prodhimin diellor

Sipas të dhënave të Eurostat, burimet e rinovueshme përbënin 54 për qind të energjisë së prodhuar në BE gjatë tremujorit të dytë të 2025, me një rritje prej 1.3 për qind krahasuar me një vit më parë.
Kjo rritje u nxit kryesisht nga energjia diellore, e cila prodhoi 122,317 gigavat-orë (GWh) në tremujorin e dytë – mjaftueshëm për të furnizuar rreth 3 milionë shtëpi.

Muaji qershor 2025 u shënua si moment historik, pasi për herë të parë energjia diellore u bë burimi kryesor i elektricitetit në Bashkimin Europian, duke përfaqësuar 22 për qind të totalit.

Sipas Rob Stait, nga kompania europiane e zhvillimit diellor Alight, ky sukses lidhet me faktin që energjia diellore është “e lirë, e shpejtë për t’u instaluar dhe e lehtë për t’u zgjeruar”.
“Në vetëm një vit mund të ndërtohet një fermë diellore – krahasuar me pesë vite për erën dhe të paktën dhjetë për energjinë bërthamore,” shton ai.

Sipas Stait, energjia diellore përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të “ulur ndjeshëm varësinë e Europës nga nafta dhe gazi”, burime që mbeten të paqëndrueshme për shkak të luftës në Ukrainë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0