Gati 60% e punonjësve aktivë punojnë në distancë. Anketa e zhvilluar në Mars - Business Magazine Albania

Gati 60% e punonjësve aktivë punojnë në distancë. Anketa e zhvilluar në Mars


 Silvana Xheka, Eksperte e Studimeve të Tregut dhe Konsumatorit  

Ndonëse puna në distancë nga shtëpia është një praktikë mjaft e përhapur në botë, Shqipëria ka filluar ta praktikojë vetëm në vijim të masave shtrënguese të aktiviteteve, në kushtet e pandemisë nga COVID-19. Në kushte normale jo pandemike, sipas studimit “10 trendet kryesore globale, 2020” nga Euromonitor International, 70% e punonjësve globalisht punojnë nga shtëpia të paktën njëherë në javë, Për fat të keq, në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta rreth numrin të punonjësve që punojnë në distancë nga shtëpia për shkak të mungesës së hulumtimeve paraprake, gjithsesi kjo shifër është padyshim e ulët pasi kjo metodë pune akoma nuk është përqafuar gjerësisht mes kompanive në Shqipëri, qofshin keto të huaja apo shqiptare.

Prej 12 Marsit 2020 shumë biznese të vogla familjare kanë ulur qepenat ndërkohë shumë kompani kanë filluar të testojnë punën në distancë nga shtëpia si pasojë e masave shtrënguese të qarkullimit prej pandemisë nga COVID-19.

Për të kuptuar këtë përvojë të re, Silvana Xheka, experte e studimeve të konsumatorit dhe tregut ndërmori një iniciative studimore që synon të hedhë dritë mbi metodat e punës në situatën e pandemisë COVID-19 dhe vështirësitë që po hasin punonjësit gjatë punës në distancë nga shtëpia. Anketimi u plotësua vullnetarisht nga 470 të punësuar të moshës 18-65 vjeç, përgjatë 18 deri në 22 Mars 2020, të përqëndruar në Tiranë si qëndra ekonomike e biznesit në Shqipëri. Marzhi i gabimit për këtë anketim është ±4% me një interval besueshmërie 95%.

Sipas këtij, studimi 85% e punonjësve janë duke punuar përgjatë javës së dytë të masave shtrënguese (16-21 Mars, 2020) por vetëm 10% janë duke punuar në vendin e punës të kompanisë ose në terren sipas profilit të punës. 59% po punojnë në distancë nga shtëpia dhe 16% punojnë pjesërisht në distancë nga shtëpia dhe pjesërisht në vendin e punës me orar të kufizuar ose me vizita të herëpashershme sipas nevojës.

Vetëm 15% nuk po punojnë, pjesërisht me leje të paguar nga punëdhenësi dhe pjesërisht me leje të papaguar, veçanërisht në biznese të vogla familjare që kanë mbyllur totalisht aktivitetin e tyre. Ndërkohë 2% kanë vendosur të shkëpusin marrëdhënien me punën në mënyrë të njëanshme pasi kompania ka refuzuar t’ju japë leje të qëndrojnë ose punojnë nga shtëpia në kushtet e pandemisë.

Posta elektronike është metoda kryesore e lidhjes me vendin e punës gjatë punës në distancë e përdorur nga 68% e punonjësve ndjekur nga tekstet në telefon në sms, WhatsApp, Viber etj që janë duke u përdorur nga 60% e tyre. Telefonat në celular kanë dalë në plan të dytë përkundrejt tekstit duke qëne se përdoren nga më pak se gjysma e punonjësve, konkretisht 48%, ndërsa telefonatat në linjë fikse janë metoda më pak e përdorur me vetëm 4% të rasteve. Videokonferenca ka lulëzuar përgjatë punës në distancë pasi është duke u përdorur nga 42% e punonjësve nëpërmjet zgjidhjeve të ndryshme si; Skype for Business, Google Hangout, TeamViewer dhe Microsoft office 365.

Tërheqja e vëmendjes prej fëmijëve, familjarëve, punëve të shtëpisë etj është vështirësia kryesore që po hasin punonjësit gjatë punës në distancë nga shtëpia, ndjekur nga mungesa e përqëndrimit si pasojë e përjetimit të pasigurisë dhe ankthit nga situata e pandemise COVID-19. Të pyetur rreth lehtësirave që do t’i ndihmonin të ndiheshin më produktivë gjatë punës në distancë, shumë prej punonjësve e vënë fokusin tek kushtet e kufizuara shtëpiake dhe do donin të kishin ambjent të posaçëm zyrë-studio në shtëpi, një karrige më të rehatshme, një verandë. 19% përjetojnë vështirësi në koordinim ose ndarjen e përgjegjësive me kolegët dhe eprorët dhe kërkojnë fleksibilitet në orare dhe  lehtësira shtesë për ata që kanë fëmijë.

Sipas anketës, 17% hasin vështirësi prej mungesës së qasjes në sisteme, aplikacione ose dokumenta pune dhe po aq në proçeset e punës të lidhura me palë të treta si shteti, furnitor, bashkëpunëtor etj. Përqasja në formë digjitale në më shumë institucione shtetërore, është ndër lehtësirat e kërkuara nga punonjësit së bashku me një shërbim postar të shpejtë dhe korrekt për dërgesa të ndryshme dokumentacioni nga shtëpia në palë të treta ose në vendin e punës. Mungesa e qasjes në internet të sigurt, të shpejt dhe të qëndrueshëm krijon vështirësi për 11% të punonjësve që punojnë në distancë dhe përjetojnë shkëputje të shpeshta në linjën e ofruar nga disa prej kompanive që ofrojnë internet fiks në Tiranë.  17% e punonjësve ndërkohë deklarojnë se nuk ndjejnë asnjë vështirësi, përkundrazi po ndjehen mirë me punën në distancë dhe se kanë të gjitha kushtet për ta realizuar punën më së miri. Ky segment po shijon qëndrimin në shtëpi dhe sygjeron lehtësimin e politikave të punës në distancë përtej situatës së jashtëzakonshme si pasojë e pandemisë COVID-19.

Studimin e plotë me grafikët përkatës mund ta shkarkoni Këtu.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0