Ford investon në AI në flotat komerciale për të rritur efikasitetin dhe fitimet - Business Magazine Albania

Ford investon në AI në flotat komerciale për të rritur efikasitetin dhe fitimet

Prodhuesi amerikan i automjeteve Ford Motor ka prezantuar një sistem të ri të bazuar në Inteligjencën Artificiale, i krijuar posaçërisht për biznesin e tij të automjeteve komerciale Ford Pro. Qëllimi i kësaj platforme është të ndihmojë kompanitë që përdorin flotat e automjeteve Ford të rrisin efikasitetin e operacioneve të tyre, të ulin kostot dhe të minimizojnë kohën kur automjetet qëndrojnë jashtë funksioni.

Sistemi i ri, i quajtur Ford Pro AI, është projektuar për të monitoruar dhe analizuar më shumë se 1 miliard pika të dhënash çdo ditë nga automjetet komerciale të lidhura me internetin. Këto të dhëna përfshijnë elementë të ndryshëm të përdorimit të automjetit, si përdorimi i rripit të sigurimit, gjendja teknike e automjetit, optimizimi i itinerareve dhe konsumi i karburantit.

Sipas kompanisë, teknologjia e re synon t’u japë 840 mijë abonentëve komercialë që përdorin shërbimet Ford Pro mjete analitike më të avancuara për të kuptuar më mirë operacionet e tyre të përditshme. Kjo pritet t’i ndihmojë bizneset të rrisin produktivitetin dhe fitimet, ndërsa njëkohësisht të reduktojnë ndërprerjet e punës të shkaktuara nga problemet me automjetet.

Lexo edhe:Nvidia bën një investim të rëndësishëm në startup-in “Thinking Machines” të Mira Muratit

“Ndihma që u japim klientëve për të maksimizuar kohën kur automjetet janë në funksion, për të rritur produktivitetin dhe për të ulur kostot, nuk është vetëm biznes i mirë, është thelbësore për të gjithë,” u shpreh Kevin Dunbar, drejtues i Ford Pro Intelligence, gjatë një prezantimi për mediat. “Ekipi ynë po ndihmon në ndërtimin e së ardhmes së menaxhimit të flotave.”

Divizioni Ford Pro përfshin shitjet e automjeteve për kompani, institucione qeveritare dhe kompani qiraje, si dhe biznesin e kamionëve të mëdhenj Super Duty. CEO i Ford, Jim Farley, ka deklaruar muajin e kaluar se diversifikimi i të ardhurave të Ford Pro, veçanërisht përmes softuerit, është një nga fushat më të rëndësishme të rritjes për kompaninë. Sipas tij, të ardhurat nga shërbimet digjitale dhe fizike, si mirëmbajtja dhe shërbimet mobile për automjetet, po afrohen me objektivin që të përbëjnë rreth 20% të fitimeve të Ford Pro.

Platforma e re me Inteligjencë Artificiale do të ofrohet fillimisht si një sistem me funksion analizues dhe informues (read-only), ndërsa kompania planifikon të zgjerojë më tej funksionalitetet e saj në të ardhmen në bazë të nevojave të klientëve. Teknologjia Ford Pro AI është ndërtuar mbi infrastrukturën Google Cloud, duke përdorur një kombinim të teknologjisë së avancuar të cloud-it dhe të dhënave pronësore që Ford mbledh nga automjetet e saj.

Biznesi Ford Pro ka qenë një nga segmentet më të suksesshme të kompanisë. Vetëm gjatë vitit të kaluar, ai gjeneroi 66 miliardë dollarë të ardhura dhe 6.8 miliardë dollarë fitim, me një marzh fitimi prej 10.3%. Ndërkohë, numri i abonentëve të këtij shërbimi është rritur me 30% gjatë vitit të kaluar, duke treguar kërkesën në rritje për zgjidhje digjitale në menaxhimin e flotave komerciale.

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0