Organizata European Best Destinations (EBD) ka zbuluar raportin e shumëpritur mbi vendet më të preferuara për t’u vizituar këtë vit në Europë , bazuar në një numër rekord votash nga më shumë se 1.2 milionë njerëz në 158 vende. E krijuar duke analizuar mbi 500 destinacione, lista e re përfshin destinacione jo shumë të njohura, qytete bregdetare, vende me natyrë të mbrojtur, romantike, pushime në qytet, pushime familjare dhe ishuj ekskluzivë.
20 destinacionet më të mira europiane u zgjodhën për cilësinë e jetës, zhvillimin e qëndrueshëm, ofertën kulturore gjatë gjithë vitit, rritjen e popullaritetit në rrjetet sociale dhe njohjen e tyre ndërkombëtare. Monako kryeson listën me 115,891 vota – 98% e tyre nga turistët ndërkombëtarë, duke e bërë atë destinacionin më të miratuar globalisht në historinë e konkursit.
Monako
“Ky destinacion me pesë yje me diell mishëron gjithçka, që udhëtarët kërkojnë në vitin 2025: luks, natyrë, mirëqenie, gastronomi, konservim, aktivitete sportive dhe shopping,” shpjegoi EBD. Riga, kryeqyteti i Letonisë, zuri vendin e dytë dhe u zgjodh gjithashtu si destinacioni më i mirë baltik, i ndjekur nga Dubrovniku dhe Cavtat në Kroaci, Madridi dhe Namur në Belgjikë në pesë vendet e para.
Riga, Letoni
Me Amsterdamin, Olhão në Portugali, Ascona në Itali, Bath në Angli, ishullin e qëndrueshëm luksoz grek Antipaxos dhe Seviljen në Spanjë ndër të tjera, përzgjedhja e vitit 2025, sipas EBD, “reflekton në mënyrë të përkryer dëshirat në zhvillim të udhëtarëve modernë – një përzierje e pushimeve ekskluzive, thesareve kulturore, vendeve romantike dhe me diell”.
Lexo edhe:Plazhet më të mira në Shqipëri sipas CN Traveller
Dubrovnik & Cavtat
Dubrovniku, Kroaci, është një nga perlat më të çmuara të Europës. I njohur si “Perla e Adriatikut”, ky qytet i mrekullueshëm të magjeps me muret e tij të lashta, ujërat kristal të kthjellët dhe trashëgiminë e pasur kulturore, duke e bërë një destinacion të domosdoshëm për ata që kërkojnë histori, bukuri dhe relaks. Qyteti i Vjetër, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është një labirint rrugicash me kalldrëm, ndërtesash barok dhe shesheve plot gjallëri. Shëtisni përgjatë mureve të famshme të qytetit për të shijuar pamje mahnitëse të Adriatikut, eksploroni Kalanë e Lovrijenacit dhe Pallatin e Rektorit, ose bëni një udhëtim të shkurtër me varkë drejt ishullit të Lokrumit, një parajsë e qetë me kopshte të gjelbra dhe gjire të fshehta që presin të zbulohen.
Madrid, Spanjë
Nga rrugët madhështore të Madridit te ujërat kristal të Antipaxos, nga pasuria kulturore e Rigës te eleganca e Monakos, përzgjedhja e këtij viti dëshmon se Europa mbetet kontinenti më i larmishëm dhe magjepsës në botë për udhëtime. Në vendin e njëmbëdhjetë është renditur Dhërmiu, i cilësuar nga EBD si “Parajsa e fshehur e Rivierës me diell, det dhe qetësi të Shqipërisë”.
Dhërmi, Shqipëri
Çfarë thotë EBD për Dhërmiun: “Vizitoni bukurinë e paprekur të Dhërmiut, në Shqipëri, një thesar i fshehur në Rivierën Shqiptare ku ju presin ujërat kristal, plazhet befasuese dhe hijeshia mesdhetare.” “Relaksohuni në brigjet idilike si Dhërmiu dhe Drymades, vende perfekte për not, snorkeling ose shëtitje me varkë. Shëtisni në fshatin në kodë, me shtëpitë e tij tradicionale prej guri, pamjet mahnitëse të detit dhe kishat historike.” Gjithashtu, rekomandon “të shijoni ushqime të freskëta deti, vaj ulliri vendas dhe shije shqiptare në tavernat buzë detit, si dhe të pushoni në baret elegante në plazh ose të shijoni festivalet verore me DJ ndërkombëtarë. EBD e mbyll duke thënë se “Dhërmi është destinacioni perfekt mesdhetar”.
20 destinacionet më të mira europiane për vitin 2025 janë:
1. Monako
2. Riga, Letoni
3. Dubrovnik dhe Cavtat, Kroaci
4. Madrid, Spanjë
5. Namur, Belgjikë
6. Amsterdam, Holandë
7. Olhao, Portugali
8. Ishulli Mljet, Kroaci
9. Lisbonë, Portugali
10. Antipaxos, Greqi
11. Dhermi, Shqipëri
12. Bath, MB
13. Folegandros, Greqi
14. Stamboll, Turqi
15. Eze, Francë
16. Ascona, Zvicër
17. Alesund, Norvegji
18. Cassis, Francë
19. Sevilje, Spanjë
20. Porto-Montenegro, Mali i Zi
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.