Florentino Pérez, oligarku i Spanjës - Business Magazine Albania

Florentino Pérez, oligarku i Spanjës

Don Kishoti që sfidon mullinjtë me erë? El Cid Campeador që kalëron kundër saraçenëve? Apo ndoshta José de la Vega që e shpjegonte Bursën e Amsterdam me një përkufizim të hidhur: confusión de confusiones? 

Florentino Pérezqë është një njeri i mirëarsimuar, duhet të ketë kaluar në revistë mitet kulturore e Spanjës si tij, ndërkohë që dilnin në pah lodrat e spektaklit më ikonik botëror dhe binte kështjella më ambicioze prej rëre e tij: Super Liga e futbollit. Ramòn Calderòn, paraardhësi i tij në krye të Real Madridit, e ka goditur dhe me një batutë: “Mendoj se Florentinoka pirë disa gota verë më shumë pasi të thuash e vjen të shpëtojë futbollin më duket shaka. Vetë ai e ka përfshirë Real Madridin në një projekt shumëmilionësh për të cilin nuk dimë as sesa do të kushtojë stadiumi, gjë që nuk ishte e nevojshme ta bënte”.

Është zili e pastër, vetëm grindje të vjetra, kambiale që vijnë me skadencë? Për ta kuptuar le të provojmë të hedhim një sy në perandorinë e oligarkut të Spanjës që, sipas Forbes, posedon një pasuri që i kalon 2 miliard dollarët, drejton grupin ACS me një faturim prej 39 miliard eurosh dhe drejton një skuadër futbolli që është një shtyllë e establishmentit. Pandemia e ka goditur rëndë. Real Madrid është me ujë në fyt. Abertis që menaxhon pjesën më të madhe e autostradave spanjolle humbet kilometra dhe koncesione. ACS është dërrmuar nga Covid-19 dhe borxhet rriten në mënyrë të pandalshme. Marshimi i gjatë, bile gara e madhe, duket se ka arritur në fund, ama rrezik ta nënvlerësosh don Florentino: sigurisht që nuk i mungon as guximi, as fantazia, siç e ka demonstruar gjatë gjithë karrierës së tij midis politikës, sportit dhe, sidomos, biznesit.

Piramida e Pérez ka një majë të butë siç e do zakoni i kapitalizmit të Kontinentit të Vjetër; kushedi pse e quajnë kuti kineze, tashmë janë në të gjitha aspektet bartës që përfshijnë pasuritë e financës europiane. Kështu, në majë ndodhet kasaforta personale e quajtur Rosan Inversiones, që kontrollon në kaskadë 3 kompani të tjera: dy kompani me përmasa relative të quajtura Luyaroll (imobiliare) e Fioma Aviaciones (avionë me qira) dhe më pas ajo më e rëndësishmja, Inversiones Vesan, ku përfshihet 12.5% e ACS i të cilit Perez është President Ekzekutiv, si edhe ortaku i parë. Grupi posedon 30% të kompanisë Abertis, operuese në infrastruktura në nivel botëror, e kontrolluar sot me 50% + 1aksion nga Atlantia (familja Benetton), që nga ana e saj posedon (akoma) 88% e Autostrade per l’Italia. Pjesa tjetër është në duart e Hochthief, grupit të madh gjerman të ndërtimeve, të cilit ACS i kontrollon 2/3 e aksioneve, domethënë një ndërthurje kryqëzimesh aksionare. Por si dhe kur ka filluar ngjitja e pandalshme e don Florentino?

I lindur në Madrid në vitin 1946, i diplomuar në Inxhinieri, kur vdes Francisco Franco më 1975 dhe Spanja i hap derën demokracisë, Pérez futet në politikë me Uniòn de Centro Democratico e drejtuar nga Adolfo Suarèz dhe spikat menjëherë: delegat i shërbimeve mjedisore i Këshillit Komunal të Madridit midis viteve 1976 e 1979 dhe më pas, me një hop jo të parëndësishëm, Zëvendësdrejtor i Promovimit i Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë midis viteve 1979 e 1980, Drejtor i Përgjithshëm i Infrastrukturave i Ministrisë së Transporteve në dyvjeçarin 1980 – 1981, një rol që i mundëson të zhvillojë një rrjet të konsiderueshëm kontaktesh të nivelit më të lartë. Në vitin 1982 emërohet President i Institutit Kombëtar të Reformës dhe të Zhvillimit Bujqësor (IRYDA) të Ministrisë së Bujqësisë. Por një vit më pas, pak pas fitores elektorale të PSOE së Felipe Gonzalez, Pérez e braktis administratën publike. Me socialistët preferon të bëjë traktativa nga jashtë dhe hyn në botën e biznesit atje ku është më afër me politikën, ngjitur, thuajse simbiotik, domethënë ndërtimtarinë, saktësisht infrastrukturat ku qeveria është zot, dorëlirë ndaj miqve të miqve apo, gjithsesi, nda të fuqishmëve. Kështu, bashkë me grupin e inxhinierëve të afërt me të, blen Construcciones Padros, kompani në vështirësi financiare që do të jetë bërthama e e parë e kolosit të ardhshëm ACS. Nga shteti tek biznesi pa zgjidhje vijueshmërie.

Modell oligarku si në të gjitha vendet e kaluara nga diktatura në demokraci ose, në rastin e Lindjes europiane, asaj që quhet demokraturë? Jo saktësisht, por sigurisht edhe në Spanjë rënia e regjimit autoritar ka qenë rasti i drejtpërdrejtë për të krijuar pasuri të reja. ACS, akronim për Actividades de Construcción y Servicios, themelohet më 1997 nëpërmjet shkrirjes së OCP Construcciones (nga ana e saj e lindur më 1993 nga shkrirja e Construcciones Padròs me Ocisa, kompani që përfshinte bizneset e Banco Hispano Americano y Urquijo) dhe Ginés Navarro Construcciones, kompani e familjes March. Në vitin 1999 merr Onyx Scl (sektor mjedisor), në 2000 futet në Xfere dhe Broadnet (telekomunikacione), në 2003 blen Dragados S.A. (hidraulikë dhe inxhinieri civile). Në vitin 2007 ACSblen 25.7% në kompaninë gjermane Hochtief, ndër kompanitë lidere në botë në zhvillimin e infrastrukturave me një prani të fortë në Shtetet e Bashkuara, Europën Qendrore, Australi, Juglindjen aziatike. Në vitin 2011 ngjitet në 50.16% dhe 5 vite më pas shkon në 70% të kapitalit. Projektet e mëdha shoqërojnë flluskën imobiliare spanjolle deri në plasjen e 2008 – 2010. Diga, autostrada, qiellgërvishtëse në atdhe dhe jashtë tij, sidomos në Amerika. Por një shtytje i vjen edhe nga futbolli.

Don Florentino është i aftë, ka nuhatje, inteligjencë të madhe biznesore të pajisur me lidhjet e duhura, si edhe një ambicie të pashtershme që i vlerësohet më 2000 me presidencën e Real Madridit, skuadrës së kurorëzuar dhe asaj që kurorëzon. Është më shumë se një medalje, më shumë se një stemë fisnikërie, është vula e suksesit dhe shenja e pushtetit të vërtetë. Ashtu si Barcelona, Atletico dhe Osasuna, nga viti 1990 Real Madridi është një shoqëri sportive jofitimprurëse, çdo ortak mund të paraqitet si president me ekipin e tij, që do të formojë qeverinë e shoqërisë për 4 vitet e ardhshme. Ka një fushatë elektorale në kuptimin e vërtetë të fjalës, me kandidatin që paraqitet (edhe në televizion) me një program, premtime elektorale në formën e blerjes së lojtarëve, sfida televizive. Diskriminuesi i vetëm është se kandidati duhet të ketë pas shpatullave garanci bankare që mund të mbulojnë pjesërisht huatë eventuale. Pérez ka fituar tri zgjedhje. Me galacticos e tij (Zidane, Figo, Beckham, Ronaldo Fenomeni), Real Madridi bëhet Numri Një, asnjëherë kaq i fortë nga kohët e Di Stefano dhe Ferenc Puskas. Nuk mjafton. Don Florentino është ndërtues dhe jo vetëm ëndrrash. Stadiumi ristrukturohet dhe në vend të qendrës së vjetër stërvitore, Ciudad Deportiva, ngrihet çitadela e re Valdebebas. Është vetëm një prej operacioneve të shumta imobiliare, me të cilat trojet ndryshojnë dorë dhe destinacion përdorimi duke filluar nga viti 2001.

Kur Pérez bëhet për herë parë president, Real Madridi ka një pasiv prej 277 milionësh, por i vjen në ndihmë Komuna që bën të ndërtueshme zonat e fushave të stërvitjes. Në këto troje ngrihen Cuatro Torres, domethënë 4 qiellgërvishtësit e projektuara nga arkiyje, midis të cilëve Norman Foster, që formojnë qendrën e re drejtuese madridase: klubi arkëton një fitim prej 501 milion eurosh, për ACS janë vite pune. I kundërvihet vetëm Partia Socialiste. Kryebashkiaku José María Álvarez del Manzano, anëtar i Partisë Popullore, ishte i njëjti që më 1997 ja kishte mohuar konvertimin e trojeve Lorenzo Sanz, paraardhësi i Pérez në drejtimin e Real Madridit. Në shkurtin e 2006 don Florentino ngec në suksesin e shtatë dhe e lë postin më të lartë e Casa Blanca “për motive personale”. Klubi i ri galattico ishte tashmë Barcelona e Ronaldinho dhe Messi, midis pakënaqësisë dë tifozëve dhe ortakëve të Real Madridit.

Por është vetëm një pauzë, 3 vite më vonë nxjerr nga cilindri 264 milion euro për të blerë me një dorë të vetme Cristiano Ronaldo, Kaká, Benzema e Xabi Alonso. Dhe fiton akoma. Blerje të tjera ekselente, sipas shtypit spanjoll, janë të lidhura me aktivitetin biznesor, si për shembull teserimi i kolumbianit James Rodriguez shoqëron aferat në Kolumbi, kampionët gjermanë Ozil dhe Khedira vijnë më 2011 kur ACS merr kontrollin e Hoechtieff. Operacione ndërtimi, marketingu, të drejta televizive nuk mjaftojnë për të rregulluar llogaritë e Real Madridit. Debitimi rritet, shkon në 905 milion euro, shumë më tepër se arkëtimi i zbritur nga 800 në 600 milion euro në vitin e pandemisë. Në janar është marrë një hua nga hedge fund Providence për t’i shtuar likuiditet të ri klubit. Kështu që sponsorizimet, përjashto atë teknik dhe komercial të fanellës së firmosur me Adidas dhe Emirates, do të shkojnë në arkat e fondit të investimeve. Pastaj është huaja prej 155 milion eurosh me 1.5%, të cilës i shtohet një linjë kreditimi afatshkurtër prej 50 milionësh.

Të dy të garantuar në masën 70% nga Instituti Zyrtar i Kreditit, banka shtetërore e kontrolluar nga Ministria e Ekonomisë, një operacion “sistemi” pasi megjithatë don Florentino është një shtyllë e sistemit edhe për kundërshtarët socialistë. Dhe jo vetëm për futbollin, por prek peshës së kolosit të infrastrukturave, edhe më i rëndësishëm tani me planin europian e rigjallërimit i të cilit Spanja është tani përfituesja më e madhe pas Italisë me 162 miliard euro (69.5 me fond të humbur, duke tejkaluar deri pjesën italiane të tortës). Ndërkaq, edhe këmba e tretë e kolosit nis të çalojë. Po flasim për Abertis, që menaxhon 1500 kilometra autostrada, e lindur më 2003 nga shkrirja e dy kompanive, Ascesa e Aumar, që respektivisht më 1969 dhe më 1974 kishin inauguruar autopistas e para të dhëna me konçension privatëve dhe për të cilat paguhet një tarifë. Në marsin e 2018, pas një beteje në bursë të kryer prej më shumë se 8 muajsh, Atlantia arrin një marrëveshje për kontorllin e Abertis mbi bazën e ofertës më të lartë(atë të Hocthief – ACS e barabartë me 18.76 euro për aksion). Më pas Atlantia futet me 24% në Hochtief. Por gjërat fillojnë të mos ecin edhe aq mirë në truallin e Spanjës.

Abertis ka një borxh prej 23.9 miliard eurosh që i shtohet 10 miliardëve të Atlantia. Peshon humbja e dy konçensioneve, Sevilje – Kadiks dhe Tarragonë – Alikante, dhe një qëndrim armiqësor i qeverisë socialiste që dëshiron të reduktojë tarifat dhe vendosë rregulla më të rrepta lidhur me investimet, ndërsa pandemia ka bërë të bien të ardhurat operative nga 5.4 në 4 miliard. Në këtë skenar, don Florentino zgjedh kundërsulmin. ASPI, Autostrade per l’Italia, është në shitje, ka një tratativë me Cassa Depositi e Prestiti, pse të mos hidhet topi përpara dhe të mos shkrihet ASPI me Abertis për të krijuar një pol autorrugor të përmasës europiane? Në Itali gëlojnë protestat revanshiste, por as qeveria nuk e sheh me sy të mirë operacionin: jo vetëm legisti Giancarlo Giorgetti, ministër i Zhvillimit Ekonomik, por as Enrico Giovannini, ministër i Infrastrukturave. Thesari, aksioner i CDP, deri më tani nuk është shprehur.

Djalli, thuhet, është tek detajet dhe kësaj radhe goditjet e bishtit e tentuesit duhen kërkuar në Madrid, në bilancin e Abertis dhe në pasuritë e Pérez. Nëse ka resurset financiare për investimet e mëdha e parashikuara në vitet e ardhshme, atëherë dyert e Italisë duhet të mbesin të hapura. Por vëmendja, edhe pas retorikës së zhvillimit global, mund të fshihet një rokadë për Super Ligën e futbollit. Siç e dimë, guximi nuk i mungon, por kësaj radhe Florentino Pérez është kapur nga nguti, ndoshta për të fshehur ankthin e paraqitjes apo frikën e një të ardhmjeje ndoshta më të mjegullt se parashikimi. Le ta shikojmë realitetin pa nostalgji, dhe pa demagogji, pa evokime patetike të padronëve të dikurshëm, aq më pak apele tifozëve në shesh midis huliganëve dhe ultra të tatuazhurave. Futbolli i madh i kampionëve të adhuruar nga masat ësht punë profesionistësh me para të madhe nëpër xhepa; nga gladiatorët e këtej kanë ndryshuar format, por jo thelbi. Ka një treg europian të populluar dhe i paketuar. Një treg aziatik në ekspansion dhe ai amerikano verior janë ende akoma për t’u punuar, fitimi bëhet një zgjedhje racionale.

Më e vështirë do të jetë të penetrohet në Amerikën e Jugut, megjithatë nga aty do vijnë shumë super kampionë që mund të destinohen të hyjnë në Super Ligën e ardhshme. Kështu që projekti nuk ka dështuar aspak. Limiti bazë i tij është se kishte aromën e një shpëtimi; e ka pranuar vetë Don Florentino në intervistën për televizionin spanjoll “El Chiringuito”: ose kështu, ose do të vdesim të gjithë. Shpresa për t’i kthyer 3.5 miliard eurot e dhëna nga JP Morganm të ardhurat e televizioneve ishte e dyshimte, pasi qysh sot të drejtat televizive përfaqësojnë pjesën më të të madhe e të ardhurave dhe kanë përfunduar për të ushqyer garën për blerjet: kostoja e “krahut të punës” është mesatarisht 60% e xhiros së parave, një absurditet për çdo sipërmarrje ekonomike. Futbolli është biznes? Jo kështu. Nëse një ditë një klub i qëndrueshëm dhe i mirëmenaxhuar do të marrë në dorë stafetën, atëherë do të mund të lindë vërtet futbolli global. Tani ka fituar José de la Vega: confusión de confusiones.

IL FOGLIO

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0