Në fshatin Gostivish, reth një orë e pak nga qyteti i Përmetit ndodhet ”Ferma Sali”, një sipërmarrje që prej vitit 2015 ka rikthyer në qendër të vëmendjes traditën shqiptare, natyrën dhe produktet autentike të zonës. Ideja për këtë fermë lindi nga përvoja e themelueses, Flora Sali, frymëzuar nga agroturizmi dhe rëndësia e ruajtjes së trashëgimisë lokale.
“Ne donim të promovonim produktet autentike të zonës,” thotë Flora Sali për BusinessMag. “Ushqim organik, raki dhe verë tradicionale, gliko të ndryshme, mjalti i bedunicës, mishi i kafshëve të egra, mesnik, fasule me pastërma, etj.. të gjitha këto tregojnë vlerat e pasura të natyrës dhe kulturës tonë.”
Një nga thesaret më të çmuara të fermës është mjaltë i bedunicës, një produkt unik që rjedh nga një bimë e rrallë, e pasur me kalcium. “Ky mjaltë është shumë i rrallë dhe ka vlera kurative të larta. Nuk ndikon tek personat me ndjeshmëri ndaj sheqerit dhe është i dobishëm për parandalimin e sëmundjeve të mushkërive,” shpjegon Flora. Për më tepër, është i rekomanduar për gratë para dhe pas menopauzës dhe i fuqishëm për shëndetin e kockave, për shkak të mineraleve që përmban bedunica.
Lulja e Bedunicës, aq e rrallë, gjendet kryesisht në zonën e Frashërit dhe parkut kombëtar të Bredhit të Hotovës, në rreth 1500m mbi nivelin e detit.
Megjithatë, prodhimi i mjaltit të bedunicës nuk është i parashikueshëm. “Sasia e prodhuar varet nga kushtet klimatike dhe shëndeti i bletëve. Nuk mund të garantojmë të njëjtën sasi çdo vit,” tregon Flora. Për fat të mirë, certifikimet si Specialitet Tradicional i Garantuar dhe Tregues Gjeografik kanë rritur besimin e klientëve dhe kërkesën për produktin, duke lejuar një rritje çmimi prej 10-15 përqind, çlka është kthyer edhe në mekanizëm mbështetës financiar për ata që merrem me rritjen e bletëve, edhe pse nuk është kurrësesi i mjaftueshëm.

Pse nuk eksportohet?
Edhe pse ka vlera të jashtëzakonshme mjekësore dhe është një produkt unik, sfidat për eksportin e mjaltit të bedunicës janë të shumëfishta. Procedurat burokratike për të dalë jashtë Shqipërisë, veçanërisht për vendet e Bashkimit Evropian, janë të gjata dhe të ndërlikuara, duke kërkuar certifikime shtesë dhe standarde strikte higjieno-sanitare, gati të pabërballueshme nga sipërmarrje kaq të vogla dhe individuale.
Lexo edhe: “Hani i Taulant Shahinit”, hani që ringjalli një histori mbi 100-vjeçare në Kodovjat!
Për më tepër, mungesa e fuqisë punëtore të të rinjve në zonën e Gostivishtit kufizon mundësinë për të rritur prodhimin dhe për të përballuar kërkesat e tregut ndërkombëtar. Këto faktorë bëjnë që, edhe pse produkti ka kërkesë të madhe dhe certifikime që garantojnë cilësinë, hapi drejt tregjeve jashtë vendit të mbetet një sfidë strategjike dhe e vazhdueshme
Ferma ofron jo vetëm produkte, por edhe përvoja unike për vizitorët, duke përfshirë ture të bletëve për fëmijë, ecje në natyrë (hiking), rafting, alpinizëm. Pamjet spektakolare të lartësisë dhe oksigjeni i pastër i zonës e bëjnë vizitën një përvojë të veçantë që të ngelet në mendje.
Festat lokale janë gjithashtu një pjesë integrale e përvojës. Panairet dhe aktivitetet kulturore, si Dita e Verës, Dita e Tokës Nënë dhe hapja e sezonit turistik në Përmet, promovojnë gatime tradicionale, produkte organike dhe vlerat historike të rajonit. Këto evente ofrojnë një mundësi për turistët të përjetojnë kulturën dhe traditën shqiptare në mënyrë autentike.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto