Anisa Tahiri, psikologe
Çfarë do të mendonit po të mësonit se për arsye të kota nëna juaj nuk mori vemendjen e duhur mjekësore sepse mjekët nuk arritën ta diagnostikonin me atak kardiak?
Çfarë do të mendonit po të mësonit se për arsye të kota motra juaj u aksidentua rëndë me makinë, dhe se nëse të dyja do të kishin qenë meshkuj, këto fatkeqësi nuk do të kishin ndodhur?
Kjo është historia sesi ndër shekuj, femra në shkencë ka qënë e padukshme.
Libri ‘Invisible Women” nga Caroline Criado Perez, sjell në vemendje, ndër të tjera, edhe sesi femra është harruar nga mjekësia, nga urbanistika apo edhe nga teknologjia.
Gjatë historisë së njerëzimit, trupi i mashkullit, mënyra si mashkulli arsyeton vepron e mendon, ka qenë standarti, ndërkohë që trupi i femrës dhe mënyra si ajo mendon ka qenë e pasakta, emocionalja. Ka qenë devijimi nga e duhura, nga racionalja, nga standarti (mashkulli). Edhe shkenca është ndikuar thellë nga ky gjykim. Si pasojë studimet që janë bërë e të dhënat që janë mbledhur ndër vite kanë qenë të pjesshme. E kur këto studime nuk janë bërë të sakta, pra kur femrat kanë qenë të padukshme në shkencë, sigurisht produktet përfundimtare nuk janë dizenjuar për t’iu përshtatur të dyja gjinive. Fatkeqësisht pasojat për femrat kanë qenë serioze deri në fatale.
Ja dy nga shembujt sa të dhimbshëm, njëkohësisht aq të pabesueshëm.
Në shekuj shkenca e mjekësisë është bazuar tek studimi i trupi të mashkullit. Është menduar se duke studiuar e duke kuptuar trupin e mashkullit, mund edhe të kuptohet trupi njerëzor. Ndaj mënyra sesi janë kryer studimet shkencore ka qenë e paragjykuar kundër femrës, duke e lënë atë ‘jashtë loje’. Realiteti po tregon që ky supozim se mjafton të studjosh njërën gjini për të kuptuar tjetrën, ka qenë i gabuar. Një shembull është ataku kardiak. Sot, femrat kanë një rrezik më të lartë që të diagnostikohen gabim sepse simptomat e femrave që kalojnë atak kardiak, nuk janë të njëjta me simptomat e meshkujve!
Gjithmonë është thënë dhe të gjithë e dimë se ataku kardiak karakterizohet nga dhimbja në kraharor dhe në krahun e majtë. Por, ajo që shkenca e mjekësisë nuk ka ditur deri më tani është se këto simptoma nuk janë të njëjta për femrat, ndaj shumë femra kanë kaluar atak kardiak pa e ditur që po e kalonin. Në fakt, vetëm 1 në 8 femra që kalon atak kardiak, shfaq simptoma të njëjta me meshkujt. Studimet e reja po tregojnë se ataku kardiak tek femrat karakterizohet nga marrja e frymës, të përzierat dhe ndjesia e lodhjes. Por profesionistët nuk janë të mirëinformuar se ataku kardiak mund të shfaqet në këtë formë tek femrat.
Duke neglizhuar studimin e organizmit a trupit të femrës, atyre u është rrezikuar jeta dhe kanë qenë e janë të predispozuara të mos marrin trajtimin e duhur, gjë e cila mund të ketë qenë fatale për to.
Po aksidentet me makinë, çfarë lidhje ka me gjininë?
Para se të hidhen në treg, makinat kalojnë teste të shumta, ndër to është edhe testimi në rast përplasje. Këto testime bëhen me një lloj manekini të gjinisë mashkull, i cili është përdorur për dekada të tëra e vazhdon të përdoret edhe sot.
Sigurisht kjo është problematike. Trupi i femrave është i ndryshëm; femra ka më pak muskuj qafe, më pak peshë në pjesën e sipërme të trupit, po ashtu dhe shtylla kurrizore nuk është e njëjtë me mashkullin. Për më tepër as rripi i sigurimit nuk është i përshtatur as për kraharorin e femrave dhe as për barkun në rast shtatzanie. Gjithashtu femrat në përgjithësi e shohin të domosdoshme afrimin e sediljes për të arritur pedalet, si pasojë ky afrim e largon femrën nga “standarti u uljes në makinë” dhe i vendos atë në një rrezik të madh në rast përplasjeje me automjetin përballë.
Të gjitha këto, që në pamje të parë mund të duken si detaje, në fakt duhen marrë në konsideratë në dizenjimin e makinës, por nuk janë konsideruar.
Si pasojë, sot që po flasim, dizenjimi i makinave nuk u përshtatet fizikisht femrave, përkthyer në shifra: femrat kanë 47% më shumë shans të dëmtohen rëndë gjatë aksidenteve dhe 17% më shumë mundësi se meshkujt, që të humbin jetën gjatë një aksidenti!
Edhe gjëra shumë më të vogla si tastiera e pianos, është dizenjuar duke pasur parasysh duart e një mashkulli, po ashtu dhe pajisjet e sigurisë apo programet e Voice Recognition.
Të gjithë këto shembuj ilustrojnë se si rezultat, eksperienca si mashkull ka thënë fjalën e parë dhe të fundit dhe sot kemi një botë të dizajnuar nga meshkujt për meshkujt por ku jetojnë edhe femrat. Është vërtet e çuditshme sepse si mund të kenë ndodhur këto kur preket 50% e popullsisë së botës.
A ka zgjidhje? Padyshim që po. Madje është shumë e lehtë.
Të përfshihen edhe femrat në shkencë e në vendimmarrje.
Patjetër që duhet të merret në konsideratë këndvështrimi i mashkullit, por duhet përfshirë edhe këndvështrimi i femrave, ashtu siç duhet edhe këndvështrimi i racave të tjera apo edhe individëve me aftësi të kufizuara. Sa më gjithëpërfshirës të jemi, aq më pak vuajtje do të ketë shoqëria, aq më të lumtur do të jetojmë, ndoshta edhe do të shpëtojmë jetë.
Në një 8 Mars të dukshëm me ngjyra, lule, festa në lokale, paketa turistike dhe mesazhe ndërgjegjësimi në TV, mos të harrojmë 364 ditët e tjera ku femra është e padukshme.
Ndaj, le të jetë 8 Marsi, jo vetëm dita ku tregojmë mirënjohje ndaj femrave në jetën tonë, por të jetë një ditë reflektimi ku tejkalohen kërkesat për kushte më të mira pune, për t’i ndaluar dhunën, për të mos i privuar vajzat nga arsimi. Sigurisht këto janë të domosdoshme. Por mos të harrojmë që femrat duhet të përfshihen në shkencë e vendimmarrje.
Është koha që femra mos të jetë shtesë e mashkullit, që Eva mos të jetë më vetëm “brinja e Adamit”, por të femra të heqë pëlhurën që e bën të padukshme në shkencë e vendimmarrje dhe t’i dëgjohet zëri në dizenjimin e një botë në të cilën do të jetojnë të dyja gjinitë.
Kur femra bëhet e dukshme (ashtu siç bëhet në 8 Mars) dhe fillon të kërkojë ndryshime, atëherë këto problematika vendosen në tavolinë dhe kërkohet zgjidhje.
Është koha që femra të bëhet e dukshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.