Fatbardha Rino, bankierja që kombinon profesionin me pasionin e saj për të fuqizuar komunitetin - Business Magazine Albania

Fatbardha Rino, bankierja që kombinon profesionin me pasionin e saj për të fuqizuar komunitetin

Fatbardha Rino

Fatbardha Rino është një bankiere me vizion e mision të qartë në karrierën e saj prej gati 23 vjetesh që tejkalon profesonin, duke synuar ndikimin në shoqëri dhe më veçanti në komunitetin e grave. Mes të tjerash ajo është edhe anëtare bordi e Women on Boards Albania. Ne kemi zhvilluar një intervistë me znj. Rino, ku ajo thekson se, përtej misionit të saj për fuqizimin e ekonomisë dhe inovacionit përmes mbështetjes, drejtimit në systemin bankar në fushën e biznesit Retail, “ajo që dua më shumë është të krijoj një mjedis gjithëpërfshirës, inovativ dhe frymëzues, ku gratë shkëlqejnë dhe udhëheqin me guxim”.

Si e keni nisur karrierën tuaj. Cilët kanë qenë hapat e parë?

Karrierën time e kam nisur në sektorin bankar me një entuziazëm të madh për financat dhe ekonominë. Gjatë kohës së përfundimit të diplomës në Administrim Biznesi në Universitetin e Tiranës, pata fatin të kontaktoj një lider të shquar në sistemin bankar të asaj kohe për temën time të diplomës, i cili punonte në një nga bankat më të orientuara drejt shërbimit në vend, rreth 23 vite më parë. Ky lider më frymëzoi thellësisht dhe më ndihmoi të shoh potencialin e madh që sektori bankar kishte në atë kohë, kur ishte një nga sektorët me rritjen më të madhe.

Një nga këshillat e tij më të rëndësishme ishte:

“Në botën e bankave, nuk punojmë vetëm me shifra dhe para, por me ëndrrat dhe qëllimet e njerëzve. Çdo klient është një mundësi për të bërë një ndryshim pozitiv.”

Këto fjalë më kanë udhëhequr gjatë gjithë karrierës sime dhe më kanë ndihmuar të zhvilloj një qasje të orientuar drejt shërbimit ndaj klientit dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe empatie.

Hapat e parë në karrierën time i kam hedhur si specialist i marrëdhënieve me klientët. Ky pozicion fillestar më ofroi një pasqyrë të vlefshme mbi operacionet bankare dhe më ndihmoi të ndërtoja një bazë të fortë profesionale, ku klienti ishte në qendër të vëmendjes. Ky fillim më dha besimin dhe aftësitë e nevojshme për të marrë përsipër sfida më të mëdha dhe për të avancuar në karrierë. Më pas, pata mundësinë të zhvillohesha në një bankë të madhe ndërkombëtare, ku pashë potencialin tim duke qenë pjesë e një transformimi rrënjësor të bankës. Në këtë fazë, pata mbështetjen e mentorëve të shkëlqyer dhe pata mundësinë të trajnohesha, të ekspozohej në projekte të rëndësishme dhe të isha pjesë e një ekipi shumë ambicioz, ku u përballa me shumë situata që më ndihmuan.

Gjatë karrierës sime, gjithmonë kam pasur parasysh qëllimin për të bërë një ndryshim pozitiv dhe për të ndihmuar të tjerët të arrijnë potencialin e tyre. “Suksesi është një udhëtim, jo një destinacion,” është një tjetër moto që më ka frymëzuar gjatë kësaj kohe. Ky udhëtim ka qenë plot me sfida dhe mundësi, dhe çdo hap ka qenë një rast për të mësuar dhe për të rritur.

Cilat janë sfidat që keni hasur në fillimet tuaja apo edhe në momentet e rritjes në karriere?

Në fillimet e karrierës sime, një nga sfidat më të mëdha ishte të isha shumë e re dhe plot dëshirë për të ndryshuar gjërat. Duke qenë shumë e re dhe energjike, kisha një entuziazëm të pamasë për të sjellë ndryshimin dhe për të përmirësuar proceset, por përballja me rezistencën ndaj ndryshimeve ishte një sfidë e madhe. Ishte e nevojshme të krijoja rezilience për të përballuar këto sfida dhe për të qëndruar e vendosur në synimet e mia.

Një sfidë tjetër e rëndësishme ishte të menaxhoja ekipet e mëdha dhe të ndërtoja një kulturë pune efektive dhe të bashkuar. Gjatë kohës që drejtoja departamente të ndryshme, përballesha me nevojën për të koordinuar dhe motivuar ekipe me qëllime dhe funksione të ndryshme. Krijimi i një mjedisi ku të gjithë ndiheshin të vlerësuar dhe të përfshirë kërkonte aftësi të forta udhëheqëse dhe një qasje strategjike të cilat ishin shumë të vështira kur eksperienca në menaxhim ishte e shkurtër.

Në momentet e rritjes në karrierë, sfidat shpesh përfshinin menaxhimin e ndryshimeve të mëdha dhe transformimeve. Kur isha pjesë e ekipit drejtues për transformimin, ishte një proces kompleks që kërkonte përshtatje të shpejtë ndaj ndryshimeve dhe menaxhimin e shumë sfidave operative dhe strategjike. Ndërtimi i një ekipi të fortë dhe mbështetja e tyre në çdo hap ishte thelbësore për suksesin e transformimit.

A keni një mentor apo një model që e ndiqni dhe ju frymëzon?

Po, kam pasur fatin të kem mentorë dhe modele që më kanë frymëzuar dhe udhëhequr gjatë gjithë karrierës sime. Një nga mentorët e mi të parë ishte drejtuesi i parë në një bankë ndërkombëtare. Ai më mësoi rëndësinë e të qenit një lider i përgjegjshëm dhe empatik dhe gjithmonë më inkurajoi të kisha një qasje pozitive ndaj ndryshimit dhe të sillja inovacione në punën time.

Kam besuar gjithmonë se një lider i mirë nuk është ai që ndjek rrugën e të tjerëve, por ai që krijon një rrugë të veten dhe udhëheq të tjerët drejt suksesit me autenticitet. Kjo më ka ndihmuar të krijoj një qasje proaktive dhe të ndjek pasionin tim për përmirësimin e vazhdueshëm.

Gjithashtu, kam pasur mundësinë të punoj me disa udhëheqës të shquar dhe të ndryshëm në personalitetet e tyre, të cilët më kanë udhëhequr dhe mbështetur në zhvillimin tim profesional, por dhe më kanë mësuar rëndësinë e diversitetit. Ata më kanë mësuar rëndësinë e punës në ekip të diversifikuar, të menaxhimit efektiv dhe të krijimit të një kulture pune pozitive dhe inkurajuese.

Një tjetër figurë frymëzuese për mua ka qenë një nga drejtueset e suksesshme të sektorit bankar ndërkombëtar, e cila ka arritur të thyejë barrierat gjinore dhe të bëhet një shembull i fuqishëm i asaj që gratë mund të arrijnë në pozitat drejtuese më të larta. Ajo më ka frymëzuar të jem e guximshme dhe e vendosur në ndjekjen e qëllimeve të mia dhe të mos lejoj asnjë pengesë të më ndalojë.

Mentorët dhe modelet e mia kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e karrierës sime dhe më kanë ndihmuar të ndërtoj një bazë të fortë vlerash dhe aftësish. Ata më kanë mësuar se suksesi nuk është vetëm për arritje personale, por edhe për të ndihmuar të tjerët të arrijnë potencialin e tyre.

Shiko edhe:Intervista e Mërgim Cahanit për StartupYard

Në përfundim, jam shumë mirënjohëse për të gjithë ata që më kanë udhëhequr dhe më kanë frymëzuar gjatë rrugës sime. Mentorët janë ata që hapin dyer për ne, por ne jemi ata që duhet të kalojmë përmes tyre.

A mund të ndani me ne ndonjë moment sfide apo realizimi, që ka shënuar rrugetimin tuaj në karrierë, apo ju ka bërë të reflektojë?

Këtu mund të them me krenari se momentet e sfidave dhe realizimeve kanë qenë të shumta. E them me krenari sepse, në përfundim, çdo sfidë dhe arritje gjatë këtij rrugëtimi më ka bërë më të fortë dhe më të përkushtuar për të vazhduar të ndërtoj një mjedis pune ndryshe, ku të gjithë kanë mundësinë të arrijnë potencialin e tyre maksimal. “Suksesi nuk është fundi, dështimi nuk është fatal: është guximi për të vazhduar që ka rëndësi,” është një moto e rëndësishme gjatë gjithë karrierës sime.

Një nga momentet më sfiduese dhe njëkohësisht më realizuese në karrierën time ka qenë kalimi në një mjedis ndërkombëtar dhe përqendrimi që kërkohej ndërsa menaxhoja ekipe në disa vende të ndryshme, ndërkohë që jetoja në një qytet të huaj si Vjena. Ky ndryshim kërkonte një përshtatje të shpejtë ndaj kulturave dhe praktikave të ndryshme pune, si dhe një aftësi për të menaxhuar diversitetin e ekipit dhe për të ndërtuar një mjedis pune ku të gjithë ndiheshin të përfshirë dhe të motivuar, ndërsa personalisht kisha sfidën e integrimit në një qytet dhe shtet të ri.

Kur vendosa të lëvizja jashtë vendit për të ndjekur një mundësi të re profesionale, kjo përbënte një sfidë të madhe. Duhej të mësoja të përshtatesha me një kulturë të re, të ndërtoja marrëdhënie të reja dhe të krijoja një atmosferë inovative dhe produktive në një ambient të panjohur. Përmes kësaj përvoje, kuptova rëndësinë e të qenit fleksibël dhe e hapur ndaj ndryshimeve, dhe se si inovacioni dhe kreativiteti mund të sjellin përmirësime të mëdha në performancën e ekipit dhe organizatës.

Gjithashtu, një nga sfidat më të mëdha ishte ndryshimi i kulturës organizative. Isha pjesë e një mjedisi ku inovacioni dhe ndryshimet ishin të mirëpritura dhe inkurajuese. Kjo kërkonte një angazhim të madh dhe një qasje të qartë strategjike për të ndërtuar një kulturë që mbështeste zhvillimin e vazhdueshëm dhe përmirësimin.

Një periudhë tjetër sfiduese në karrierën time ishte kur ngadalësova ritmin e punës për shkak të mëmësisë. Duke qenë një nënë e angazhuar, duhej të gjeja një balancë që më lejonte të jem e suksesshme në të dyja rolet, ndërkohë që puna ime përfshinte shumë udhëtime jashtë vendit. Ky proces më mësoi rëndësinë e menaxhimit të kohës dhe vendosjes së prioriteteve, si dhe rëndësinë e mbështetjes nga familja. Nga kjo përvojë mësova se, edhe pse karriera ime mund të ketë pësuar një ngadalësim për shkak të mëmësisë, kjo nuk më pengoi të arrij qëllimet e mia afatgjata. Përkundrazi, më bëri të reflektoj dhe të kuptoj se sa e rëndësishme është të jem e duruar dhe e qëndrueshme në ndjekjen e qëllimeve të mia.

Gjatë rrugës, kam mësuar se sfidat janë pjesë e pashmangshme e çdo rritjeje dhe zhvillimi.

Nëse do të ktheheni pas në karrierën tuaj, cfarë do të donit të bënit ndryshe?

Nëse do të kthehesha pas në karrierën time, do të bëja disa gjëra ndryshe, duke mësuar nga përvojat dhe sfidat që kam kaluar.

Do të doja t’i kisha kushtuar më shumë kohë dhe përpjekje për të ndërtuar dhe përforcuar marrëdhëniet profesionale dhe personale me shumë njerëz që kam pasur mundësinë dhe oportunitetin të takoj gjatë përvojës sime.

Çdo reflektim mbi këto momente më ka ndihmuar të bëhem më e fortë dhe më e vendosur për të arritur qëllimet e mia. E vetmja mënyrë për të bërë punë të madhe është të duash atë që bën.

A e keni ndjere presionin e të qenurit grua në mjediset e punës? 

Po, kam ndjerë presionin e të qenit grua në mjediset e punës në disa momente të karrierës sime. Sidomos kur, pas një periudhe në drejtimin operacional, vendosa të kaloj në drejtimin e shitjeve retail, një sektor që shpesh ka qenë i dominuar nga burrat nga ana e biznesit. Është sfidë të dëshmosh vlerat dhe aftësitë e tua. Ky presion vjen në shumë forma, qoftë përmes pritshmërive të larta, qoftë përmes sfidave për të gjetur një balancë midis jetës profesionale dhe personale.

Një nga momentet më sfiduese ka qenë kur kam qenë e re në karrierë dhe duhej të përballesha me paragjykimet. Ishte e vështirë të dëshmoja se meritoja vendin tim dhe se mund të sillja vlera të mëdha në organizatë. Megjithatë, përkushtimi, profesionalizmi dhe rezultatet që kam arritur më kanë ndihmuar të tejkaloj këto sfida dhe të fitoj respektin e kolegëve dhe drejtuesve.

Gjithashtu, duke qenë nënë e dy fëmijëve në kulmin e karrierës ndërkombëtare, kam ndjerë presionin e gjetjes së një balanci të shëndetshëm midis përgjegjësive familjare dhe karrierës. Ka pasur momente kur është dashur të bëj sakrifica personale për të përmbushur angazhimet profesionale, dhe anasjelltas. Kjo më ka mësuar rëndësinë e menaxhimit të kohës dhe prioritizimit, si dhe të kërkoj dhe pranoj mbështetje kur është e nevojshme.

Në anën tjetër, presioni që kam ndjerë ka shërbyer si një motivim shtesë për të arritur sukses dhe për të shërbyer si shembull për gratë e tjera në çdo industri.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen dhe me cfarë lidhen ato?

Planet e mia për të ardhmen janë të përqendruara në disa fusha kyçe që mendoj se do të kenë një ndikim të madh pozitiv, si për mua personalisht, ashtu edhe për organizatat dhe komunitetet me të cilat punoj.

Së pari, dëshiroj të vazhdoj të kontribuoj në zhvillimin dhe rritjen e grave në pozita drejtuese përmes punës time në Women On Boards Albania. Synimi im është të krijoj më shumë mundësi dhe mbështetje për gratë që synojnë të arrijnë role drejtues në organizata. Besoj se diversiteti në lidership është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të çdo organizate dhe shoqërie.

Së dyti, dua të përqendrohem në inovacion dhe digjitalizim brenda sektorit ku punoj. Kjo përfshin adoptimin e teknologjive të reja dhe metodologjive agile për të përmirësuar proceset dhe shërbimet që ofrojmë. Digjitalizimi dhe inovacioni janë faktorë kyç për të qëndruar konkurrues dhe për të përmbushur nevojat e klientëve në një treg që është gjithmonë në ndryshim.

Gjithashtu, planifikoj të investoj më shumë kohë dhe përpjekje në zhvillimin personal dhe profesional të ekipit tim. Besoj se liderët e suksesshëm janë ata që investojnë në zhvillimin e njerëzve të tyre dhe krijojnë një kulturë pune që inkurajon bashkëpunimin, kreativitetin dhe përkushtimin.

Një tjetër prioritet i imi është të vazhdoj të ndihmoj organizatat me të cilat bashkëpunoj të ndërtojnë një kulturë pune më gjithëpërfshirëse dhe të orientuar drejt diversitetit. Ky është një faktor kyç për të krijuar një mjedis ku të gjithë ndihen të vlerësuar dhe kanë mundësi të barabarta për të arritur sukses.

Së fundi, dua të përqendrohem edhe në balancimin e jetës profesionale dhe personale. Duke qenë se menaxhimi i kohës dhe prioritizimi janë thelbësore, synoj të gjej një ekuilibër që më lejon të jem e suksesshme në karrierë dhe të kem kohë cilësore për familjen dhe vetveten.

A keni disa këshillat për gratë dhe vajzat që janë në hapat e tyre të parë në karrierë?

Besoni në vetvete dhe në aftësitë tuaja:

Shumë shpesh, gratë kanë tendencën të dyshojnë në vetvete dhe të nënvlerësojnë aftësitë e tyre. Besimi në vetvete është çelësi për të arritur suksesin dhe për të kapërcyer sfidat. Mbajeni mend gjithmonë: ju keni potencialin për të arritur gjithçka që dëshironi.

Kërkoni dhe pranoni sfida:

Mos kini frikë të dilni nga zona juaj e rehatisë. Sfidat janë ato që na rrisin dhe na bëjnë më të forta. Pranoni çdo mundësi për të mësuar dhe për të zhvilluar aftësi të reja.

Kërkoni një mentor:

Një mentor mund t’ju ofrojë udhëzime dhe mbështetje të vlefshme. Gjeni dikë që e admironi dhe kërkoni këshillat dhe përvojën e tyre. Një mentor i mirë mund t’ju ndihmojë të shmangni shumë gabime dhe të përshpejtoni zhvillimin tuaj profesional.

Bëhuni pjesë e rrjeteve profesionale:

Ndërtimi i një rrjeti të fortë profesional është shumë i rëndësishëm. Lidhuni me kolegë, profesionistë dhe organizata që ndajnë interesat dhe qëllimet tuaja. Këto lidhje mund të sjellin mundësi të reja dhe të jenë burim mbështetjeje.

Kushtoni rëndësi zhvillimit të vazhdueshëm:

Edukimi dhe zhvillimi profesional nuk përfundojnë me diplomimin. Ndërmerrni kurse të reja, merrni pjesë në trajnime dhe qëndroni të përditësuar me zhvillimet në fushën tuaj. Kjo do t’ju ndihmojë të qëndroni konkurrues dhe të avanconi në karrierë.

Bëhuni të qëndrueshme dhe të përkushtuara:

Suksesi nuk vjen brenda natës. Kërkon kohë, përpjekje dhe durim. Qëndroni të përkushtuara ndaj qëllimeve tuaja dhe mos u dorëzoni përballë vështirësive. Çdo sfidë është një mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur.

Kujdesuni për veten:

Balancimi i jetës profesionale dhe personale është shumë i rëndësishëm. Kushtoni kohë për veten, për shëndetin tuaj fizik dhe mendor. Një mendje dhe trup i shëndetshëm janë thelbësore për të arritur suksesin.

Mos harroni fuqinë e diversitetit:

Diversiteti është një forcë. Nëse ndiheni të ndryshme nga të tjerët në mjedisin tuaj të punës, shihenii këtë si një avantazh. Perspektivat e ndryshme sjellin ide të reja dhe krijojnë një mjedis më të pasur dhe më inovativ.

Jini të guximshme dhe të vendosura:

Mos kini frikë të shprehni mendimet tuaja dhe të merrni iniciativa. Guximi dhe vendosmëria janë cilësi që do t’ju ndihmojnë të dalloheni dhe të bëni një ndryshim të vërtetë.

Jepni mbështetje njëra-tjetrës:

Ndërsa ngjiteni në shkallët e karrierës suaj, mos harroni të ndihmoni dhe të mbështesni gratë e tjera. Krijimi i një rrjeti mbështetës është thelbësor për suksesin dhe fuqizimin e grave në çdo fushë.

Ju jeni anëtare Bordi e Women On Boards Albania. Cila është kauza juaj në këtë drejtim? Cfarë ju bashkoi me WOB-AL dhe cfarë synoni në këtë drejtim?

Kauza ime në drejtimin e Women on Board Albania (WOB-AL) është të promovoj dhe të mbështes barazinë gjinore në vendimmarrje dhe të siguroj që gratë të kenë akses dhe mundësi të barabarta në pozitat drejtuese. Besoj se diversiteti në lidership jo vetëm që përmirëson performancën dhe inovacionin e organizatave, por gjithashtu krijon një shoqëri më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse.

Ajo që më bashkoi me WOB-AL është pasioni dhe përkushtimi im për të bërë ndryshime pozitive dhe për të mbështetur gratë në rrugëtimin e tyre profesional. Kur u informova për misionin dhe vizionin e WOB-AL, e ndjeva menjëherë që kjo ishte një kauzë me të cilën dëshiroja të angazhohesha. Organizata ka një rol të rëndësishëm në fuqizimin e grave dhe në krijimin e një rrjeti mbështetjeje për to, dhe kjo është diçka që më frymëzoi dhe më motivoi të bëhem pjesë e saj.

Synimi im brenda WOB-AL është të ndihmoj në krijimin e një mjedisi ku gratë ndihen të fuqizuara profesionalisht, financiarisht dhe personalisht, dhe të mbështetura për të arritur potencialin e tyre maksimal.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i punës sime në WOB-AL është të rris ndërgjegjësimin për rëndësinë e diversitetit dhe përfitimet që sjell për organizatat dhe shoqërinë në tërësi. Duke ndarë historitë e suksesit dhe duke treguar shembuj të rolit të grave në lidership, synoj të inkurajoj dhe të inspiroj gratë e reja të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos heqin dorë përballë sfidave.

Në fushën tuaj të veprimit, ku keni një ekspertizë të dalluar në retail, cilat mendoni se janë instrumentat e zhvillimit të sektorit edhe në shërbim të grave profesioniste. Cilat janë ndërhyrjet, investimi që duhet të  bëhet në mënyrë që gratë të arrijnë potencialin e tyre edhe në nivele drejtuese? 

Retail-i ka pësuar një transformim thelbësor vitet e fundit dhe me eksperiencën time ndërkombëtare dhe lokale, dëshiroj të ofroj mbështetjen e grave profesioniste për të arritur potencialin e tyre në nivele drejtuese. Instrumentat e zhvillimit të sektorit dhe ndërhyrjet dhe investimet profesionale që duhet të bëhen janë:

Teknologjia dhe digjitalizimi: Investimi në teknologji moderne dhe platformat digjitale është thelbësor për përmirësimin e operacioneve dhe ofrimin e një përvoje më të mirë për klientët. Teknologjitë si analitika e të dhënave, inteligjenca artificiale dhe platformat e-commerce ndihmojnë në optimizimin e proceseve dhe marrjen e vendimeve të informuara. Këto teknologji krijojnë mundësi për gratë profesioniste të specializohen dhe të marrin role drejtuese në inovacion dhe transformim digjital.

Kultura e përfshirjes dhe diversitetit: Krijimi i një kulture pune që promovon përfshirjen dhe diversitetin është jetësor për mbështetjen e grave në arritjen e potencialit të tyre. Organizatat duhet të angazhohen për ndërtimin e një mjedisi ku të gjithë ndihen të vlerësuar dhe të respektuar, duke përfshirë politika dhe praktika që mbështesin barazinë gjinore në përzgjedhje, promovim dhe kompensim.

Rrjetet dhe komunitetet mbështetëse: Ndërtimi i rrjeteve profesionale dhe komuniteteve mbështetëse është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e grave në karrierë. Organizatat duhet të krijojnë dhe mbështesin rrjete të grave që ofrojnë mundësi për ndarje përvojash, këshilla dhe mbështetje, duke ndihmuar në krijimin e lidhjeve të vlefshme dhe në gjetjen e mundësive të reja profesionale.

Promovimi i modeleve të suksesshme: Identifikimi dhe promovimi i grave që kanë arritur sukses në pozita drejtuese është një faktor kyç për frymëzimin dhe motivimin e grave të tjera. Këto modele shërbejnë si burim frymëzimi dhe tregojnë që gratë mund të arrijnë nivelet më të larta të suksesit.

Edukimi dhe trajnimi: Investimi në programe edukimi dhe trajnimi për zhvillimin e aftësive të nevojshme për përparim në karrierë është thelbësor. Programet e trajnimit në lidership, menaxhim projektesh, inovacion, digitalizim, ESG, financa dhe marketing janë veçanërisht të rëndësishme për gratë që dëshirojnë të marrin pozita drejtuese. Për më tepër, mundësitë për mentorim dhe zhvillim profesional janë investime të vlefshme për mbështetjen e grave.

Mbështetja për inovacionin dhe kreativitetin: Nxitja e një kulture që promovon inovacionin dhe kreativitetin është e rëndësishme për zhvillimin e sektorit të retail-it dhe për mbështetjen e grave që të marrin role udhëheqëse. Kjo përfshin krijimin e hapësirave për eksperimentim dhe inkurajimin e ideve të reja që mund të sjellin përmirësim e në produktet dhe shërbimet e ofruara.

Zhvillimi i sektorit të retail-it dhe mbështetja e grave profesioniste kërkon një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin teknologjinë, edukimin, kulturën e punës dhe politikat mbështetëse. Investimi në këto fusha do të ndihmojë gratë të arrijnë potencialin e tyre dhe të marrin role drejtuese, duke kontribuar në një sektor më inovativ dhe të suksesshëm.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024
Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0