Fafa Resort është ndër hotelet dhe ambientet akomoduese më të njohura në zonën e Golemit. Një zonë e cila ka pasur rritje e zhvillim edhe më të madh të turizmit në dekadën e fundit, sidomos pas përmirësimit të infrastrukturës lokale. Business Magazine zhvilloi një intervistë me Albulen Ndrepepaj, menaxher i përgjithshëm i FAFA Hotels & Resorts për të mësuar më shumë se cilat janë pritshmëritë e tendencat e turizmit për këtë vit.
Si ka evoluar turizmi në zonën e Golemit gjatë viteve të fundit dhe çfarë tendencash keni vërejtur në preferencat e turistëve që zgjedhin Fafa Resort?
Turizmi në zonën e Golemit ka njohur një rritje të ndjeshme gjatë 10 viteve të fundit, veçanërisht pas përmirësimeve të infrastrukturës hoteliere duke parë që hotelet po kthehen në resorte, ose investitorët janë të prirur për të ndërtuar jo thjesht hotel, por strukturë hoteliere.
Fafa Resort ka vënë re se turistët janë gjithnjë e më shumë të interesuar për shërbime të nivelit të lartë, por edhe për përvoja autentike dhe relaksuese, duke kërkuar një përzierje të luksit dhe traditës. Tendencat e fundit përfshijnë kërkesën për dhoma me pamje nga deti, shërbime të personalizuara dhe aktivitete që përfshijnë natyrën dhe shendetin (ushqime detox, aktivitete palestre, yoga…etj).
Duke parë rritjen e kërkesës për eksperienca më autentike në turizëm, si po përshtaten resortet shqiptare dhe ju specifikisht për të ofruar një produkt që i përgjigjet këtyre prirjeve?
Resortet shqiptare, përfshirë Fafa Resort, punojnë në nxjerrjen e ofertave sipas periudhës respektive ku ndërthurin kohën me facilitetet. Çka do të thotë se gjatë sezonit veror jemi të prirur për të promovuar plazhin bashkë me aktivitete kulturore të ndryshme ku duhet theksuar se aktivitetet tona jane të veçanta; 7 ditë të javës dhe gjatë sezonit tjetër të vitit jemi këtu për klientët që kërkojnë qetësi, relaks apo që zgjedhin Fafën për evente të tjera festive apo konferenca.
Duhet nënvizuar se një vlerë e shtuar në turizmin shqiptar, ashtu edhe në resortin tonë është kulinaria autentike lokale, prandaj ne jemi të prirur që lëndën e parë, por edhe produktin ta ofrojmë nën përgjegjësi të plotë “Made in Albania”.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për sezonin turistik përgjatë këtij viti? A vëreni ndonjë ndryshim në profilin e turistëve që pritet të vizitojnë Shqipërinë?
Pritshmëritë për sezonin 2025 janë tejet optimiste dhe ne jemi në dy faza në këtë drejtim:
- Kemi një qëndrueshmeri me klientët potencialë të deritanishëm nga vendet e Europës Juglindore (Polakët, Baltikët, Çekët, Sllovakët…etj).
- Hasim një interes të lartë të vendeve nordike dhe kërkesa të shumta nga vende si Spanja dhe Anglia si dhe një qasje të re nga disa vende aziatike ( Izrael, Kinë…etj).
Profili i turistëve pak a shumë mbetet i njëjtë, udhëtari kërkon gjithnjë të provojë eksperienca të reja dhe detyra jonë është t’i shërbejmë me përpikmëri.
Si e shihni konkurrencën në tregun e resorteve në Shqipëri dhe cilat janë avantazhet që Fafa Resort synon të kapitalizojë për të tërhequr më shumë vizitorë?
Në fakt nuk shohim një konkurrencë brenda vendit. Nëse do flasim për konkurencë atë e kemi me veten tonë për tu përmiresuar vit pas viti me qëllim për të përmbushur në çdo detaj nevojat e klientit për pritshmeritë e tyre. Tashmë Shqipëria është kthyer në destinacion dhe synimi ynë është i qartë. Të jemi destinacioni i parë në rang kombëtar!
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto