Një prej ambasadorëve më të rëndësishëm të Shqipërisë në botë, ai përdori emrin, talentin, njohjet, financat dhe entuziazmin e tij për të prezantuar denjësisht Shqipërinë tek audienca ndërkombëtare. Vitin e ardhshëm pritet të shpërndahet nëpër botë një katalog, dedikuar Shqipërisë me fotografi të realizuara prej tij me modelen shqiptare Emina Cunmulaj.
Këtë vërë që kaloi, fotografin e personaliteteve ndërkombëtare mund ta keni parë përmes mediave sociale në skaje të ndryshme të Shqipërisë, duke fiksuar bukuri shqiptare, përmes objektivit të tij. Verën e kaluar, e shpenzoi pjesërisht në veri të vendit.
Pas mëngjesit në mjediset e hotel Adriatik, siç më kishte premtuar një ditë më parë, zhvendoset tek tavolina ime dhe hyjmë direkt në bisedë, duke komentuar fotot e fundit që kishte bërë, si dukeshin, projektet dhe natyrshëm kapërcyem në kohë e hapësirë, duke shkuar tek rrënjët e tij, traditat, që rastisin të jenë edhe të miat. Po flas për Fadil Berishën, i cili sapo kishte mbaruar një set fotografik me Maya Mysk në New York. Por, shpirtrat e lirë nuk kanë barriera dhe i tillë është Fadil Berisha.
- Berisha po vazhdon tashmë punën e tij vullnetare, të nisur që në vitin 1996, kur erdhi për herë të parë në Shqipëri, për të promovuar e mbështetur Shqipërinë. Në këtë nismë, puna e tij është ndërthurur me një grup të gjerë miqsh, që e ndajnë jetën mes Shqipërisë dhe Amerikës.
Gjatë kësaj vere në Shqipëri, ai punoi së bashku me Emina Cunmulajn, për të sjellë një katalog të Shqipërisë, duke prezantuar bukuritë natyrore, shpirtërore dhe kulturore të këtij vendi. Për këtë arsye, tregoi se, krahas fotove të bëra ndër vite, së bashku me modelen e njohur ndërkombëtare, me origjinë shqiptare (lindur dhe rritur në Tuz të Malit të Zi), po përmbyllin fotot në vendet e munguara, për të sjellë një katalog të plotësuar. “Besoj se do ta prezantojmë në rang ndërkombëtar vitin e ardhshëm”, tha ai.
Takimi i Fadil Berishës me Emina Cunmulajn vjen përmes modës, që kur ajo ishte rreth 16 vjeç.
“Si dy shqiptarë që jemi takuar nëpërmjet modës, kemi punuar bashkë në Malin e Zi edhe në Amerikë, jemi kthyer edhe në Shqipëri dhe kemi thënë: le të inspirojmë edhe shqiptarët e modelet shqiptare. Ndaj, thashë: OK, le ta bëjmë këtë libër. Kemi shumë foto bashkë në Shqipëri, le të bëjmë dhe ato që na mungojnë nga vendet e tjera. Kemi bërë Beratin, Krujën, Shqipërinë e Mesme. Më pas iu drejtuam veriut nga jemi dhe ne të dy”.
Si vizitor i rregullt i Shqipërisë, ai sot sheh ndryshim drastik. Ideja e librit erdhi pas dokumentartit “Dear Albania” me Eliza Dushkun, diku para 10 viteve, thotë Berisha. Sot, sipas tij, “gjithçka është bërë shumë bukur. Janë bërë investime të mëdha, ndaj, dua t’u tregoj të huajve, përmes fotove që kemi bërë tani: shikoni ku kemi qenë dhe ku jemi tani. Shikoni ndryshimin!”.
Një dhënës, në gjurmët e Nënë Terezës
Të njohësh Fadil Berishën, kupton se prej shpirtit të tij buron dashuri për vendin, rrënjët dhe njerëzit. Nëse mendoni se njerëzit bëhen nga ajo çfarë kanë, gaboheni! Është ajo çfarë na mungon dhe mënyra si i qasemi asaj, që na përkufizon. Dashuria dhe malli i tij për Shqipërinë ka buruar tërësisht nga prindërit. Ai lindi në Kosovë, ndërsa prindërit kishin ikur nga Shqipëria. Familja e tij largohet drejt Amerikës, me biletë pa kthim, kur ai ishte vetëm 5 vjeç.
“Ne jemi rritur jashtë. Gjithë kohën kemi parë prindërit tanë duke lotuar për Shqipërinë, për vendin që kanë lënë. Prindërit ikën në vitin 1953 në Kosovë, natën, nëpër male, duke e lënë Shqipërinë, jo me dashje, por për problemet që solli komunizmi në atë kohë”, thotë ai.
Ai kujton se ato vite, kur nuk kishin shumë shqiptarë rreth vetes, jeta e tyre u zhvillua në New Jersey e në New York. Gjithë familja flisnin rreth Shqipërisë, bukurive, ndodhive, humbjeve.
“Prej mallit, për 50 vite, prindërit qajtën për vendin. E gjithë kjo dhimbje, u përthith edhe nga fëmijët. Është dhimbja për prindin. Por, kur rritesh përpiqesh t’i gëzosh, të gjesh forma ta kompensosh atë dhimbje e ta kthesh në dashuri”, thotë Fadil Berisha. Me hapjen e Shqipërisë ai do të shuante kuriozitetin, duke parë vendin dhe se si dukeshin shqiptarët. “Kisha një mall të madh dhe dashuri të madhe për popullin tim”, thotë ai.
Ndaj erdhi për Miss Europën. “Erdha me një ekip amerikan, me emocionet e para të një emigranti që lexon në aeroport tabelën: Mirë se vini!
Doja të përqafoja çdo njeri në rrugë. Gjithë ky mall e gjithë kjo dashuri vinte nga prindërit që na kishin treguar gjërat më të bukura që kish vendi ynë”. Në atë kohë takon persona si Donika Bardha, përmes të cilëve e njeh dhe afrohet edhe më shumë me Shqipërinë.
Fadil Berisha kishte bërë emër në Amerikë edhe menjëherë nisi të mendojë si mund ta ndihmojë Shqipërinë.
“Isha fotografi kryesor i 96 shteteve për Miss Univers, ndaj formuam Miss Shqipërinë e parë. Anisa Kospiri ishte e para që erdhi në Amerikë, duke e prezantuar Shqipërinë në botë për herë të parë. Ajo ishte basketbolliste, e bukur, me sy blu. Pata mundësi të merrnim një vajzë nga Shqipëria edhe ta prezantojmë në skenat e mëdha. E prezantuam si princeshë, që bota ta shihte bukurinë shqiptare, jo si e kishte menduar deri atëherë, në një formë negative.” – thotë ai.
Ai donte që e gjithë bota ta dinte që Nënë Tereza është shqiptare, ndaj i kërkon prezantueses që Anisën ta prezantojë: “Anisa Kospiri, from the Country of Mother Tereza, Albania”. Fadili tregon se, “vajza jonë ishte shumë e bukur dhe e zonja. Ajo e kaloi kompeticionin dhe doli në Top 10. Ishte periudha 2000-2001, në Porto Riko. Prania e një shqiptareje në konkurse ndërkombëtare dhe promovimi i saj, rriti entuziazmin edhe mes diasporës, mbi të cilën rëndonte imazhi dhe gjykimi negativ që bota ndërkombëtare kishte për Shqipërinë.
“Shumë shqiptarë që ishin jashtë e shihnin me një admirim Anisa Kospirin. Aq e gëzuar ishte diaspora shqiptare sa, në një event ku ishte edhe Hillari Klinton, rreshti që kërkonin foto me Miss Shqipërinë ishte më i gjatë se sa rreshti i personave që do të takonin Hilari Klinton. Ata ndiheshin krenarë dhe të përmbushur”.
Misioni i tij me fotografinë që fëmijë, nuk ishte të bëhej një fotograf i madh, por t’i tregonte botës përmes fotografisë, se shqiptarët janë të bukur. Kur u bë fotografi i Miss Universe, 96 shtete, (ku futi edhe Shqipërinë ), mendimi i tij ishte: po zbukuroj krejt botën, 96 shtete dhe nuk e kam Shqipërinë aty?! “Më qante zemra. Ndaj krijuam bashkë me Vera Grabockën Miss Europën, për të vazhduar pastaj edhe me Kosovën”.
Kur Kosova mori pavarësinë, ëndrrat e Fadil Berishës u bënë më të realizueshme. Shqiptarët po fitonin nëpër konkurse. Në mjediset e modës dhe artit, Berisha shihej jo pa xhelozi për faktin se vajzat shqiptare po fitonin nëpër kompeticione të ndryshme, duke vënë në rrezik karrierën e tij. Por, shpëtimi i tij ishte e drejta. Ai tregon se kurrë nuk ishte racist dhe gjithmonë mbështeste të bukurën, pavarësisht nga vinte.
Një tjetër mundësi për promovimin e bukurisë shqiptare ishte kontrata e tij me Rolex.
“Paratë e asaj kontrate nuk do të ishin vetëm për mua”.
Ai vendos sërish të përfshijë një modele shqipare, e cila do të shfaqej përmes Rolex në Vogue dhe në border-at në gjithë Europën dhe Amerikën. Mund të mos e njihnin nga vinte, e dinin si modelja më e bukur, por shqiptarët e dinin që ishte shqiptare”.
Ai është kujdesur gjithmonë të fusë elementin shqiptar në fotografitë që ka bërë me modele shqiptare. “Kur bëra foto në Krujë e në shumë vende shqiptare me Zana Kraniqin, Eralda Hitaj, motrën e saj, krijova tri figura Angelina Jolie. Por me sy, dukeshin të huaja. Nuk doja të më ikte kjo pjesë nga foto. Duhej të vërtetoja bukurinë shqiptare, ndaj futem më shumë të gjej elementë shqiptarë, veshje”. Të huajt mbeten të surprizuar nga bukuria shqiptare dhe nga vendet e ndryshme të Shqipërisë.
Të tilla bukuri, të vendit, traditës dhe kulturës sonë, do të keni mundësi t’i zbuloni edhe në botimin e katalogut të fotografive me modelen Emina Cunmulaj.
Albana Mucaj
Ky artikull është publikuar në numrin 36 të revistës Businessmag
Abonohu për të lexuar artikujt e BM!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.