Europa, superfuqia që po nënvlerësohet! - Business Magazine Albania

Europa, superfuqia që po nënvlerësohet!

Nëse ka një mesazh kyç nga Konferenca e Sigurisë në Mynih që sapo u mbyll, ai është mesazhi i besimit dhe vetëbesimit te Europa. Bashkimi Europian është një superfuqi në teknologji, tregti dhe industri.

Në të gjithë kontinentin shihen qartë shenjat e kësaj force: në brigjet veriore të Polonisë, përtej horizontit, 233 turbina gjigante, secila pothuajse sa Kulla Eiffel në lartësi, janë gati të ngrihen nga shtrati i detit. Me rotorë gjermanë, themele të projektuara në Danimarkë dhe kabllo nga Polonia dhe Greqia, ato do të jenë simbole madhështore të ekselencës prodhuese europiane dhe fuqisë industriale të kontinentit. Si pjesë e flotës tashmë të gjerë të Detit Baltik, këto turbina po krijojnë mijëra vende pune në të gjithë zinxhirin e furnizimit; dhe, sapo të vihen në funksion, do të furnizojnë me energji të pastër rreth 5.5 milionë familje.

Energjia e prodhuar në Europë, nga Europa, për Europën: fermat e erës në det të hapur të Polonisë janë po aq të rëndësishme strategjikisht sa edhe ekonomikisht. Ato i shtohen zgjerimit të madh të energjisë së pastër që po ndodh në të gjithë kontinentin, nga Italia në jug deri në Irlandë dhe Lituani në veri. Kabllo dhe lidhje ndërkufitare, mjaftueshëm sa për të rrethuar Tokën shumë herë, po vendosen për të lidhur detet e erës në veri me brigjet me diell të Mesdheut, duke krijuar një superautostradë për epokën e elektroneve.

Ndërkohë, sensorë optikë të teknologjisë së fundit, të zhvilluar nga inovatorë holandezë, do të monitorojnë shtratin e detit për të mbrojtur infrastrukturën kritike të Europës. Konstelacione të reja satelitësh, të zhvilluara në Belgjikë, do të ofrojnë aftësi të avancuara vëzhgimi nga hapësira, së bashku me sisteme moderne radari nga Franca dhe Spanja. Të gjitha këto sisteme do të lidhen përmes rrjeteve 6G të fuqizuara nga inteligjenca artificiale, të zhvilluara në Finlandë.

Këto janë vetëm disa nga afro 900 projektet e investimeve të financuara nga Grupi i Bankës Europiane të Investimeve vetëm gjatë vitit të kaluar. Duke shfrytëzuar garancitë e buxhetit të BE-së për të mobilizuar investime private, Grupi i BEI po fuqizon revolucionin energjetik dhe teknologjik që po zhvillohet në Europë. Kalimi drejt botës së së nesërmes ka nisur tashmë me ritëm të plotë, një zhvillim i madh që shpesh mbetet në hije mes ndryshimeve të shpejta gjeopolitike.

Në fakt, investimet totale në tranzicionin energjetik të BE-së arritën një rekord të ri në vitin 2025, duke iu afruar 400 miliardë eurove, nga hidrocentralet në Austri te linjat e reja hekurudhore në Çeki, dhe nga investimet në eficiencë energjetike nga bizneset e vogla në Kroaci te teknologjitë e pastra të përdorura nga industria e rëndë në Portugali. Vetëm gjatë vitit të kaluar, kapitalizimi i tregut i kompanive europiane të energjisë së rinovueshme është rritur me mbi 50%. Diçka që shumëkush e konsideronte të pamundur në një afat të shkurtër tashmë po ndodh: Europa po shkëputet në mënyrë të pakthyeshme nga gazi rus.

Investimet europiane në mbrojtje po rriten edhe më shpejt. Aksionet e kompanive europiane të mbrojtjes janë trefishuar në vlerë gjatë tre viteve të fundit. Kapaciteti industrial i Europës tani tejkalon edhe atë të Shteteve të Bashkuara në disa fusha kritike, përfshirë prodhimin e municioneve të artilerisë. Europa po hyn me hapa të mëdhenj në sektorë dhe teknologji strategjike si dronët. Brenda një kohe shumë të shkurtër është krijuar një ekosistem i ri kapitali sipërmarrës (venture capital), i orientuar drejt ndërmarrjeve inovative në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Lexo edhe:Tregu hyn në fazën: Ka punë, por nuk ka punonjës

Kemi parë një mobilizim të ngjashëm edhe më parë. Në vitin 2020, askush nuk e imagjinonte se një kompani bioteknologjike europiane do të zhvillonte një vaksinë kundër një virusi të panjohur brenda pak muajsh, duke ndihmuar botën të përballej me një pandemi një herë në shekull. Po ashtu, pak kush mendonte se liderët europianë do të ndërmerrnin një program masiv rimëkëmbjeje dhe rezistence të financuar me borxh të përbashkët – një shfaqje e paprecedentë solidariteti dhe uniteti. Kur pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia shkaktoi një rritje të madhe të çmimeve të energjisë, shumëkush parashikoi se ekonomia europiane do të tronditej rëndë. Por ndodhi e kundërta: PBB-ja e eurozonës u rrit më shpejt se ajo e Kinës dhe SHBA-së atë vit.

Përballë luftërave tregtare, paqëndrueshmërisë së tregjeve dhe ndryshimeve në partneritetet tradicionale, kompanitë europiane kanë treguar qëndrueshmëri, duke diversifikuar rrjedhat e tregtisë dhe duke ruajtur rritje të fortë dhe investime. Tregjet e aksioneve në Europë e tejkaluan performancën e bursave amerikane në vitin 2025, duke shpërblyer investitorët që besuan te ekonomia jonë. Papunësia është pranë niveleve më të ulëta historike dhe rritja ekonomike po përshpejtohet – falë vendeve me performancë të lartë si Spanja dhe Polonia. Europa është shndërruar në një pikë referimi stabiliteti në një botë të pasigurt.

Herë pas here, BE-ja është përshtatur dhe është rishpikur përballë krizave, duke u përgatitur më mirë për të përballuar një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më të trazuar. Si një superfuqi eksporti, BE-ja është shtëpia e universiteteve dhe qendrave kërkimore të nivelit botëror, si dhe e një ekosistemi dinamik start-up-esh. Sondazhet e opinionit tregojnë nivele rekord të mbështetjes publike për BE-në dhe euron, ndërsa anketimet globale tregojnë se shumica e njerëzve në mbarë botën e shohin BE-në si një fuqi të madhe, në të njëjtin nivel me SHBA-në dhe Kinën.

Dhe me të drejtë. Me një ekonomi prej 22 trilionë dollarësh, një treg të vetëm prej gati gjysmë miliardi banorësh dhe plane për një valë të re zgjerimi, pesha e Europës në botë është e pamohueshme. Mund të jetë një lloj tjetër superfuqie – një superfuqi që vlerëson parimet, rregullat dhe multilateralizmin më shumë se forcën e zhveshur – por fuqia e saj qëndron te përkushtimi ndaj vlerave dhe te gatishmëria për të mbështetur partnerët dhe aleatët, siç dëshmohet nga fakti se Europa është burimi më i madh i ndihmës financiare dhe ushtarake për Ukrainën.

Europa vazhdon të ndërtojë ura në një botë plot mure. Ajo është fuqia kryesore tregtare globale, në qendër të një rrjeti gjithnjë në zgjerim marrëveshjesh të tregtisë së lirë. Është gjithashtu një superfuqi investimesh që promovon mirëqenie të përbashkët në mbarë botën. Si burimi më i madh i ndihmës humanitare dhe financimit për zhvillim, Europa financon gjithçka, nga fushatat globale të vaksinimit te projektet për përmirësimin e furnizimit me ujë në Aman dhe Karaçi.

Këtë e bëjmë sepse mbetemi të përkushtuar ndaj të njëjtave vlera që na sollën deri këtu. Bashkimi europian nisi pothuajse tetë dekada më parë nga hiri i dy luftërave botërore. Prindërit dhe gjyshërit tanë mësuan nga tragjeditë dhe gabimet e asaj periudhe të errët, dhe ne mund të frymëzohemi nga shembulli i tyre për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe për të tjerët në mbarë botën. Shoqëria jonë bazohet në përfshirje, barazi mundësish, liri intelektuale, paqe dhe sundim të ligjit.

Ne e dimë çfarë duhet bërë për ta ruajtur këtë mënyrë jetese. Na duhet integrim edhe më i thellë, përfshirë tregjet e kapitalit. Na duhen investime edhe më të mëdha në infrastrukturë kritike dhe kapacitete strategjike. Na duhet thjeshtim i proceseve për ta bërë BE-në më të shkathtë dhe më efikase. Dhe na duhen më shumë partneritete dhe aleanca fituese për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit dhe për të hapur tregje të reja për produktet tona.

Momentum po rritet në të gjitha këto drejtime. Mendjet e liderëve europianë janë të fokusuara dhe ne jemi të vendosur të shfrytëzojmë pikat e forta të Europës si superfuqia e nënvlerësuar e botës.

Nadia Calviño është presidente e Bankës Europiane të Investimeve.

Copyright: Project Syndicate, 2026.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Është e kotë të merresh me mundësitë që ke humbur. Asnjëherë nuk mund ta dish nëse i ke shpëtuar vdekjes apo ke humbur një jetë të tërë.”
— Margaret Mazzantini
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0