Ersi Druga, nxënësja e ekselencës që punoi kamariere në verë - Business Magazine Albania

Ersi Druga, nxënësja e ekselencës që punoi kamariere në verë


Ersi Druga është një nxënëse ekselente në Tiranë. Ajo punoi gjatë verës si kamariere në një prej lokaleve të njohura në qytet, ndërsa priste nisjen e studimeve në Turqi për mjekësi ushtarake. Për shkak të rezultateve shumë të mira dhe një konkursi “ushtarak”, Ersi do të mbështetet për studimet nga Qeveria Shqiptare.

Ersi është 18 vjeç dhe ka lindur në qytetin e Kuçovës. Aty jetoi deri në moshën 6-vjeçare për t’u shpërngulur më pas në Berat për shkak të punës së prindërve.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 36 të numrit 18 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 18 të saj.

Në fund të vitit 2010 Ersi u zhvendos në Tiranë, duke nisur klasën e V-të në shkollën “Vasil Shanto”. Kjo u bë shkolla e tretë që ndërronte.

“Deri në përfundim të shkollës 9 vjeçare kam patur rezulatate maksimale, kështu që zgjodha të vazhdoj të mesmen në gjimnazin më të mirë të Tiranës, gjimnazi “Sami Frashëri”. Rezulatet në shkollë pothuaj nuk ndryshuan që nga 9-vjeçarja dhe dëshira ime gjithnjë ka qenë të vazhdoj mjekësinë e përgjithshme”, thotë Ersi.

Pasi kishte vendosur të konkurronte në shtet, rastësisht lexon në website-n e ministrisë së Mbrojtjes një lajmërim nga qendra e rekrutimit për bursa studimi në akademinë ushtarake mjekësore GATA në Ankara, Turqi. Kriteret paraprake për të marrë pjesë në garë ishin të shumëllojshme. Kërkohej gjatësia mbi 165 cm, asnjë shenjë e dukshme në trup (as nga operacionet), asnjë tatuazh etj. Pas verifikimit të këtyre kritereve dhe dokumentacionit të nevojshëm si diploma, certifikata e notave, çdo konkurrent duhej t’u nënshtrohej 4 testeve.

Ersi tregon në një intervistë për ne, ecurinë e aplikimit për të studiuar jashtë me fonde të qeverisë shqiptare. “Në ditën e parë zhvillohej testi fizik dhe psikologjik. Testi fizik ndahej në 5 disiplina: kërcim së gjati, palosje barku, qëndrim në hekur, hedhja e topit të basketbollit dhe vrapim 800 m. Normat ishin të përcaktuara dhe të ndryshme për vajzat dhe djemtë dhe në varësi të paraqitjes vlerësoheshim me pikë, nga 10-100. Unë u vlerësova me 270 pikë në total dhe u rendita e treta midis 40 konkurrentëve, ku dy të parët ishin djem”, thotë ajo.

Testi psikologjik ishte më tepër një intervistë me komisionin që përbëhej nga personeli i ministrisë së Mbrojtjes, qendrës së rekrutimit dhe atasheut turk.

Dita e dytë e konkurimit nisi me testin e inteligjencës, i cili bëhej elektronikisht. “Në përfundim të testit të shfaqeshin pikët nga të cilat duhej të merrje mbi 92/155 për të kaluar në fazën tjetër. Unë arrita të marr 136 pikë dhe përsëri u rendita e treta nga tashmë 24 konkurrentë”, thotë ajo.

Testimi i rradhës ishte në anglisht. “Gjithsej ishin 100 pyetje, nga të cilat 66 me dëgjim dhe 34 të tjerat me lexim. Në testin e anglishtes u vlerësova me 90 pikë dhe u rendita e dyta”. Nga rezultatet e tre testimeve ajo u rendit e para, edhe pse nuk kryesoi në ndonjë garë. Arsyeja ishte se në çdo garë ishte në 3 vendet e para, ndërsa konkurrentët e tjerë mund të ishin të parët në njerën garë, por shumë poshtë  në tjetrën.

Ditën e tretë, të gjithë konkurrentët e fazës së fundit iu nënshtruan analizave komplet në Spitalin Ushtarak sipas kërkesave të shtetit turk.

Shkolla e gjuhës ka nisur në fillim të tetorit, por studentët ndërkombëtarë janë atje një javë më parë për t’u përshtatur më mirë. Pas një viti mësim të gjuhës turke nis shkolla e mjekësisë, e cila zgjat 6 vjet pa specializim. Specializimi mund të variojë nga 2 deri në 4 vjet.

Ersi Druga

Ersi tregon se, “në përfundim të fakultetit do të kthehem në Shqipëri dhe me titullin mjeke ushtarake/oficere aktive do të shërbej për të paktën 6 vite. Dëshira ime është të vazhdoj të jetoj e të punoj në Shqipëri dhe të ndikoj sadopak për mirë në fushën e shëndetësisë”.

Për sa i përket punës së saj si kamariere, thotë se, vendosi të punojë sepse në vitet e mëparshme vera nuk ka qenë aspak productive për të. Si një 18 vjeçare ajo e di që cilësohet e rritur. “Nuk më duket normale të vazhdoj të financohem nga prinderit, kur kam çdo mundësi për të nisur një punë. Sa më parë të mësohem me disiplinën e punës, kërkesat, paraqitjen në orar, ankesat etj., aq më të thjeshtë do ta kem në të ardhmen. Një eksperiencë më shumë nuk të bën asnjë dëm”.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 36 të numrit 18 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 18 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0