Erblin Ribari: Zëri nga diaspora që ndërton mundësi për ata që punojnë shumë, por mbeten në hije! - Business Magazine Albania

Erblin Ribari: Zëri nga diaspora që ndërton mundësi për ata që punojnë shumë, por mbeten në hije!

Erblin Ribari: Zëri nga diaspora që ndërton mundësi për ata që punojnë shumë, por mbeten në hije!

Nga Eni Muça- Ka histori që nuk nisin me mundësi, por me mungesën e tyre. Historia e Erblin Ribarit është një prej tyre. Si shumë shqiptarë nga Kosova, ai e kuptoi shumë herët çfarë do të thotë të humbasësh gjithçka për një natë. Ishte vetëm gjashtë vjeç kur familja e tij u detyrua të largohej nga lufta dhe të kërkonte strehë në Holandë. Aty, në një kamp refugjatësh, ai mësoi çfarë është pasiguria dhe ndjenja e të qenit i harruar. Por pikërisht ato momente e formësuan,  jo vetëm si njeri, por edhe si profesionist që sot punon për t’u dhënë zë dhe mundësi atyre që ndihen të padukshëm.

Nga ekranet e televizionit në Kosovë si adoleshent që fliste për të drejtat e fëmijëve, e deri te takimet me liderë botërorë si Presidentët Clinton e Bush, Ribari ka ndërtuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm, gjithmonë me një qëllim në mendje: të krijojë zgjidhje që vlejnë për njerëzit. Sot, përmes punës së tij te Manaxo dhe përfshirjes në organizata si Stanford Seed dhe BERZH, ai ndihmon biznese të vogla në vende të ndryshme të botës të rriten e të ecin përpara.

Në këtë intervistë për BusinessMag.al, Erblini ndan përvojat që e kanë formuar, motivimin që e shtyn çdo ditë, sfidat që ka kaluar dhe bindjen e tij të thellë se diaspora mund të bëjë shumë më tepër sesa të dërgojë para, ajo mund të sjellë dije, akses, dhe një mënyrë të re të të menduarit. Ai flet me sinqeritet për nevojën për t’u dhënë të rinjve hapësira reale dhe për rëndësinë e fillimit, edhe kur kushtet nuk janë ideale. Sepse, siç thotë ai vetë, suksesi nuk matet me tituj apo gradë, por me ndikimin pozitiv që lë pas.

Rrugëtimi i Erblin Ribarit nuk nisi në një zyrë apo universitet prestigjioz, por në një kamp refugjatësh. Aty ku shpresat ishin të zbehta dhe e ardhmja e pasigurt. Por që atëherë, ai mësoi diçka të çmuar: të shihte njerëzit përtej statistikave. Që në fëmijëri, ai kuptoi se shumë njerëz rriten me ndjenjën se janë të padukshëm  dhe kjo ishte diçka që ai vendosi të mos e pranonte si normale. Kur u kthye në Kosovë pas luftës, vendi ishte i lirë, por mundësitë ishin ende larg. Në vend që të dorëzohej, ai nisi të vepronte. Si adoleshent, doli në televizion për të folur për të drejtat e fëmijëve, për diskriminimin, për mungesën e shpresës. Më vonë, ndihmoi në themelimin e kapitullit të Parlamentit Evropian të të Rinjve në Kosovë , një përpjekje për t’u dhënë të rinjve zë dhe ndjesinë e përkatësisë që ai vetë kishte kërkuar për vite me radhë.

Nga organizatat ndërkombëtare tek teknologjia me qëllim

Pas një përvoje të hershme në organizata si OKB, Swisscontact dhe GIZ, ku ndihmoi biznese të vogla të ndërtonin kapacitete tregtare, Ribari kaloi në botën e teknologjisë. Te dua.com, ndihmoi në ndërtimin e një platforme që bashkonte shqiptarët në diasporë dhe krijonte ndjesinë e lidhjes me rrënjët. Ishte një projekt që tregoi se teknologjia, kur ndërtohet me ndjeshmëri dhe qëllim, mund të zgjidhë probleme reale njerëzore. Këtë filozofi e çon përpara edhe sot si bashkëthemelues i Manaxo, një platformë që ndihmon biznese të vogla të menaxhojnë operacionet e tyre me mjete të thjeshta dhe efikase. Për Erblinin, thelbi i çdo projekti që merr përsipër është ky: “Nëse nuk mund të shoh fytyrat e njerëzve pas problemit, nuk përfshihem.”

Sfida të mëdha, këmbëngulje edhe më e madhe

Një nga sfidat më të mëdha që ka përjetuar në karrierën e tij ishte ndërtimi i diçkaje pa pasur sistemet apo burimet që të tjerët i marrin si të mirëqena. Ai rrëfen se shumë shpesh ka punuar për ide që nuk përputheshin me modelet tradicionale të suksesit, që nuk kuptoheshin menjëherë. Por ajo që e ka mbajtur gjithmonë përpara ka qenë besimi në mision dhe qëndrimi pranë njerëzve për të cilët ndërton.

Lexo edhe:Turizmi në Shqipëri 2025 – “Boom” pa jehonë, flet ekspertja Gladiola Dona

Roli i diasporës: Më shumë se para, është përfshirje

Sipas Ribarit, diaspora nuk duhet parë si një grup i jashtëm që ndihmon vetëm me remitanca. Ajo mund të jetë partner strategjik në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë dhe Kosovës. Qoftë përmes mentorimit, ndarjes së dijes, krijimit të partneriteteve apo hapjes së tregjeve të reja, diaspora mund të ndihmojë vendet tona të ecin përpara dhe të krijojnë kushte që ndalojnë largimin e trurit.

Të rinjtë si e tashmja, jo si e ardhmja

“Shumë të rinj në Shqipëri dhe Kosovë nuk ikin sepse duan,  ikin sepse nuk shohin rrugë tjetër,” thotë ai me bindje. Çfarë u duhet nuk është më shumë këshilla, por më shumë akses. Më shumë mundësi për të mësuar, për të punuar, për të ndjerë se zëri i tyre vlen. “Duhet t’i trajtojmë si të tashmen, jo si të ardhmen.”

Të jetosh mes dy botëve dhe të mësosh nga të dyja

Erblini thotë se jeta mes jetës jashtë dhe jetës në vend të mëson diçka thelbësore: të mos gjykosh lehtë. Jeta jashtë të mëson se si funksionon një sistem që mbështet individin, por kthimi në vend të kujton se ndryshimi duhet të vijë me respekt për realitetin lokal. Nuk ka zgjidhje universale , ka vetëm dëshirë për të dëgjuar dhe për të ndërtuar diçka që funksionon për njerëzit që jetojnë me të çdo ditë.

Balanca mes jetës personale dhe punës – një mësim i vazhdueshëm

“Nuk e arrij gjithmonë balancën,” thotë sinqerisht. Por ajo që e ndihmon më shumë është koha me familjen dhe miqtë. Janë këto momente që e rikthejnë tek vetja dhe tek gjërat që kanë më shumë rëndësi.

Mesazhi për gjeneratën e re të profesionistëve shqiptarë

Mos prisni që gjithçka të jetë perfekte për të filluar. Filloni me çfarë keni. Mësoni në rrugë. Dhe mos harroni, askush nuk e ndërton suksesin vetëm. Rrethojeni veten me njerëz që ju sfidojnë dhe që ju mbështesin. Ajo është pasuria më e madhe.

Lexo edhe:Shqiptarët Dean Çelaj dhe Erblin Ribari në listën e Forbes “30 under 30”

Në fund, çfarë është suksesi për të?

“Suksesi është të krijosh ndikim pozitiv për të tjerët, duke mbetur i vërtetë me veten.”

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Mos ndiq pararatë, ndiq pasionin.”
— Tony Hsieh
Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0