E veshur zakonisht me termin e përgjithshëm PPP (Partneritet Publik Privat) Shqipëria është e mbushur me koncesione. Sipas një publikimi të BIRN, në periudhën 2004-2020 ka patur 219 kontrata koncesionare me një vlerë të jashtëzakonshme: 4.27 miliardë Euro!
Përdorimi i PPP si instrument në vetvete, nuk është i gabuar. Por përdorimi pa kritere ka krijuar problematika me kosto afatgjatë për Shqipërinë:
QËLLIMI AFATGJATË I PAPËRMBUSHUR. Një nga objektivat publik të koncesioneve është ndërtimi i shërbimeve publike moderne për qytetarët. Në 16 vite, ekonomia duhet të njihte rritje, të tërhiqte investime të tjera madhore, të kryesonte garën rajonale dhe të rriste ndjeshëm cilësinë e shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Por asnjë nga këto nuk ka ndodhur, ritmi përballë pritshmërive është i ngadaltë, në disa raste frenues, dhe suksesi afatgjatë i koncesioneve i papërmbushur.
PROCEDURAT PPP NUK PËRMBUSHIN STANDARDET NDËRKOMBËTARE. FMN dhe Banka Botërore i ka tërhequr publikisht vëmendjen Shqipërisë për mungesën e procedurave të nevojshme. Vendet që kanë përdorur me sukses PPP kanë aplikuar instrumentet ndërkombetare pa përjashtim. Këto mekanizma janë komplekse dhe kërkojnë ekspertizë të lartë, por garantojnë rezultate. Është e paqartë pse Shqipëria ka refuzuar asistencën e organizatave ndërkombëtare si IFC, EBRD në përgatitjen e kornizave legjislative për rregullimin e koncesioneve.
MUNGESA E TRANSPARENCËS. Përfituesit e koncesioneve shpesh rezultojnë me kompani të sapo krijuara, dhe aktivitet të dyshimtë. Rasti më i fundit ai i koncesionit të mbetjeve shkaktoi debat të madh publik, dyshime të forta dhe hetime nga organet anti-korrupsion. Mos respektimi i standardeve dhe mungesa e transparences ka kosto të rëndë që përfundon direkt në financat publike dhe xhepin e qytetarëve.
SHMANGIA NGA GARA E KOMPANIVE NDËRKOMBËTARE ME PËRVOJË. Nëse synimi afatgjatë është të injektohet ekspertiza e avancuar e sektorit privat në shërbimet publike, atëherë zbatuesit kryesor duhet të ishin kompanitë ndërkombëtare me eksperiencë. Kjo rrallë herë ka ndodhur. Shpesh koncesionet i janë besuar bizneseve të vogla, lokale ose off-shore pa pervojë, të krijuara vetëm disa muaj para tenderimit.
KAMUFLIMI I BORXHIT PUBLIK. IMF ka ngritur shpeshherë shqetësimin, të mbështetur dhe nga Dhoma Amerikane, se borxhi publik i Shqipërisë nuk është saktësisht i raportuar, kosto e koncesioneve është shmangur. Raportimi i pasaktë i borxhit publik krijon kosto shtesë për financat publike shqiptare dhe ka pasoja aftagjata për koston e huamarrjes dhe vlerësimin nga institucionet globale.
Lexo: Qeveria gati 7 koncensione të reja në 2022, nga aeroporti Sarandës deri tek kolaudimi
Ngjarjet e fundit por dhe debati i vazhdueshëm mbi PPP duhet të japë disa mësime të forta – të reflektohet me ndryshime konkrete dhe të shtyjë parlamentarët të mendojnë seriozisht për përgatitjen e një legjislacioni serioz mbi PPP. Por më e rëndësishmja, zbatimin e kritereve të pakundërshtueshme që PPP do garantojnë rezultate reale dhe t’i shërbejnë qëllimit publik!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto