Energjia e rinovueshme dhe projektet green në fokus të BERZH. Guvernatori Sekjo pret drejtuesit e BERZH - Business Magazine Albania

Energjia e rinovueshme dhe projektet green në fokus të BERZH. Guvernatori Sekjo pret drejtuesit e BERZH

Energjia e rinovueshme

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, priti në një takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kryesuar nga z. Piotr Jacek Szpunar, Drejtor rajonal për Poloninë, Bullgarinë dhe Shqipërinë, si dhe zj. Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e BERZH-it në Shqipëri. Në takim merrnin pjesë dhe përfaqësues të tjerë të Bankës së Shqipërisë.

Fillimisht, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të vendit tonë me BERZH-in dhe i falënderoi përfaqësuesit e tij për kontributin e çmuar që ai ka dhënë për Shqipërinë, si një ndër investitorët më me peshë, falë të cilit janë realizuar projekte shumë të rëndësishme për sistemin bankar.

Ai shprehu në veçanti mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen që BERZH-i ofron në vazhdimësi për Bankën e Shqipërisë, së fundmi edhe në fushën e mbikëqyrjes bankare, nëpërmjet asistencës teknike lidhur me vetëvlerësimin e përputhshmërisë me standardet evropiane.

Më tej Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të zhvillimeve më kryesore ekonomike dhe financiare të vendit tonë gjatë viteve të fundit, duke theksuar se pavarësisht goditjeve të tërmetit dhe pandemisë, pasigurive të shtuara dhe sfidave të ndryshme si rritja e çmimeve, Shqipëria shënoi rimëkëmbje ekonomike mjaft të shpejtë.

Një rol të veçantë pati koordinimi midis autoriteteve kryesore dhe masat e ndryshme, të cilat ndihmuan në kapërcimin e kësaj situate me sa më pak efekte negative dhe mosndikimin afatgjatë në zhvillimin e vendit.

Guvernatori theksoi se inflacioni ka qenë në qendër të vëmendjes të Bankës së Shqipërisë dhe se politikat monetare dhe ato ekonomike të ndjekura kanë ndihmuar në ruajtjen e një niveli të ulët inflacioni krahasuar me vendet e rajonit dhe në uljen e pasigurisë. Këto politika të ndjekura nga Banka e Shqipërisë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në drejtim të forcimit të stabilitetit monetar e financiar të vendit.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e BERZH-it rikonfirmuan mbështetjen që ky institucion do të vijojë të japë për Shqipërinë, veçanërisht për zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe sektorëve të turizmit dhe bujqësisë në Shqipëri, së bashku me BE-në dhe partnerë të tjerë. Një shembull mjaft i mirë është lehtësimi i financimit të ekonomisë së gjelbër, përmes të cilit BERZH-i ka mbështetur kreditimin e bankave për sektorin rezidencial për investime në përmirësimin e eficiencës së energjisë.

Ata u ndalën gjithashtu në rolin që Banka e Shqipërisë ka në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, duke e cilësuar atë si një nga më të avancuarit në Ballkanin Perëndimor.

Ata gjithashtu u shprehën se trendi forcues i kursit të këmbimit është në linjë me rritjen e eksporteve dhe përmirësimet strukturore në balancat e jashtme të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, ata theksuan përfitimet që ka ekonomia shqiptare nga regjimi i lirë i kursit të këmbimit.

Përfaqësuesit e BERZH-it vlerësuan bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë, si një partner serioz që ka dhënë një vlerë të shtuar për zbatimin e suksesshëm të projekteve të tyre në fushën bankare dhe u shprehën të gatshëm të vijojnë bashkëpunimin në fusha si mbikëqyrja bankare, ndërhyrja e jashtëzakonshme dhe operacionet monetare.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0