Endrit Smaili, i riu shqiptar , profesor në Universitetin "Sorbonne" në Paris - Business Magazine Albania

Endrit Smaili, i riu shqiptar , profesor në Universitetin “Sorbonne” në Paris

Të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të jenë shumë të suksesshëm në diasporë. Një ndër ta është edhe Endrit Smaili.

Së fundi, Endriti ka kaluar me sukses të gjitha provimet e doktoraturës në bashkëdrejtim me Sapienza Università di Roma, nën udhëheqjen e François Lerouxel, Jean-Marie Salamito dhe Gian Luca Gregori dhe plot një semestër ligjëroi si profesor në Universitetin ‘Sorbonne’ në Paris.

“Semestri i parë mbaroi. Ishte i veçantë sepse filloi përvoja ime si mësimdhënës. Së bashku me profesorët Jean-Marie Salamito dhe François-Xavier Romanacce, kemi bartur modulin Histori e krishterimit antik, për vitin e tretë të nivelit baçelor në Departamentin e Historisë. Tema e këtij semestri ishte ” Të krishterët dhe pushteti romak, nga Jezusi i Nazaretit tek legalizimi i krishterimit (313) “.

Lexo edhe: 17 vjeçari shqiptar fiton medaljen e artë në Olimpiadën botërore të shkencave

“Në trembëdhjetë seanca, kemi shpalosur trajektoret në të cilat kanë kaluar të krishterët, të cilët përbënin minoritet religjioz, përballë mospërfilljes e dënimeve sporadike të autoriteteve lokale romake, sikurse ajo e vitit 112-113 e guvernatorit Plini i Riu për krishterët e një qyteti të provincës së Bitinisë dhe Pontit; përballë persekutimeve nga 249 deri më 313 (kur u legalizua nga perandorët Konstandini dhe Licini). Nga pikëshikimi i historisë së ideve dhe të ngjarjeve, asaj intelektuale, politike e religjioze, kemi shpalosur, gjithashtu, tendencat e ndryshme të letrarëve të krishterë: që krishterimi të jetë moral tokësor me finalitet qiellor e jo politik (Gjoni 18:36; Letra anonime për Diognetin), që të ruhet komuniteti përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme (Tertulliani; Klementi i Aleksandrisë; Çipriani i Kartagjenës), kurse, më vonë, që shteti dhe pushteti romak të jenë të krishterë, sepse kështu do të sigurohej ‹ mbarësia › e perandorisë (Laktanti; Eusebi i Cezaresë). Megjithëkëtë, Konstandini, perandor i vetëm nga 324, insistoi në lirinë e të gjitha kulteve, duke privilegjuar gradualisht krishterimin dhe duke vazhduar përdorimin e kultit perandorak pagan si lubrifikant të sundimit perandorak (CIL XI, 5265, përgjigjja pozitive e perandorit dërguar, më 333/335, qytetit të Hispellumit, Itali, për të themeluar një tempull në nderë të familjes perandorake).  Falenderoj përzemërsisht dy profesorët për besimin, ndihmën dhe këshillat. Falënderoj, gjithashtu, 127 studentet dhe studentët që kanë ndjekur me shumë kureshtje dhe maturi këtë lëndë“, është shprehur ai.

Suksesi i Endrit Smailit është një shembull frymëzues i talentit dhe përkushtimit të të rinjve shqiptarë në diasporë. Ai jo vetëm që po kontribuon në avancimin e njohurive akademike, por edhe po ndihmon në ndërtimin e urave mes kulturës shqiptare dhe institucioneve më të larta akademike botërore.

ALBINFO

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0