Elsa Demo: Kinemaja jonë nuk po e kapërcen nivelin e shoqërisë që jemi, jo më të jetë avantgarde - Business Magazine Albania

Elsa Demo: Kinemaja jonë nuk po e kapërcen nivelin e shoqërisë që jemi, jo më të jetë avantgarde

Elsa Demo

Elsa Demo është gazetare e kulturës. Prej vitesh ajo ka ndjekur zhvillimet kulturore në vend. Ajo është zëri i pastër, i qartë i asaj që ndodh në fushën e kulturës, falë njohurive të thella në këtë fushë dhe qëndrimit të saj pa kompromis për të lexuar dhe transmetuar të vërtetën. 

Sipas Demos, kinematografia shqiptare ka bërë pak hapa përpara, duke mbetur edhe pas kinemasë së vendeve fqinje. Cilësia e prodhimit dhe menaxhimi i financave duken sfidat kryesore në këtë industri. Një industri në fakt, që mund të jetë ambasadorja më e mirë për të promovuar kulturën, pse jo edhe turizmin shqiptar. 

Cili është potenciali human për prodhim filmi nga shqiptarë brenda dhe jashtë vendit?

Kinematografia shqiptare qëkurse u shkëput nga forma shtetërore e prodhimit filmik – Kinostudio, funksionon si një industri në bashkëprodhim me ndërkombëtarët – Francë, Greqi, Itali, Kosovë, Rumani, Gjermani, Maqedoni e Veriut etj. Për vite me radhë, shërbimi teknik (në kamera, montazh, ndriçim, audio) është importuar dhe financuar nga jashtë. Edhe në aspektin krijues, të huajt kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë (në skenar, muzikë) aq edhe të tërthortë, me pritshmëritë që kanë krijuar për historitë që publiku i huaj do duhet të dëgjojë dhe të shohë nga Shqipëria.

Nuk janë bërë dy dekada nga hapja e dy shkollave për edukimin profesionist kinematografik, “Marubi” si subjekt privat dhe Dega e Regjisë së Filmit dhe Televizionit në Universitetin e Arteve. Edukimi në këto shkolla, krahas përvojës praktike në terren, ka përgatitur një brez teknikësh të kinemasë, që mund të përballojnë prodhimin e një filmi “me forcat e veta”, gjithmonë në aspektin e burimeve njerëzore. Thuhet se mosha mesatare e krijuesëve që mbështet QKK-ja është 40 vjeç, një moshë e mirë për të pasur një art kinematografik të ri, që i flet kohës.

Niveli më i lartë i fondit publik që shteti shqiptar ka dhënë e që administrohet nga Qendra Kombëtare Kinematografike, ka qenë 1.5 milionë euro (vlerë më e ulët se e Kosovës dhe disa herë më e ulët se e Maqedonisë së Veriut).  

Ky buxhet shpërndahet gjatë një viti për prodhime në zhanret e filmit të gjatë e të shkurtër artistik, dokumentar, e ndonjëherë edhe të animuar. Në Shqipëri njihen zyrtarisht të regjistruara rreth 77 shtëpi filmike, por më pak se gjysma e tyre janë aktive në treg. Ka midis tyre “shtëpi filmike familjare”, që do të thotë se producentët janë burrë e grua, se producenti është njëherësh autor i filmit, regjisor dhe skenarist. Dikur kjo justifikohej me industrinë ende foshnjore të prodhimit filmik në Shqipëri, ndaj së cilës asnjëherë nuk ka pasur një përgjegjësi nga QKK, apo organe të tjera të kontrollit financiar në Shqipëri, që të merret me analizën e përdorimit të parasë publike. 

Para disa kohësh QKK doli me një raport sipas së cilit “në vitet 2015-2018 janë financuar 134 filma. Nga këta 27 filma në katër vjet, njëri është i suksesshëm në aspektin cilësor”. Ky raport i referohej vetëm suksesit ose jo në festivale ndërkombëtare dhe nuk merrej me përdorimin e parasë publike dhe as me burimet njerëzore.

Nga përvoja ime si gazetare, kam vënë re se ankesat e komunitetit artistik për mundësitë e punësimit dhe për shpërblimin financiar, në vite mbeten po ato, ndërkohë që cilësia e prodhimit kinematografik, është në nivelet më të dobëta – mjafton të krahasohemi me arritjet që po njeh kinemaja nga Kosova. 

Ky prodhim nuk kalon nën kurrëfarë filtri kritik, sepse mungon kritika profesionale. 

Në fakt, filtrin e parë do duhej ta luanin Këshillat e Miratimit të Projekteve në QKK, të cilat rregullisht janë përbërë nga përfaqësues të shoqatave të kineastëve. Në Shqipëri ka 8 shoqata kineastësh, rekord ky që flet për një sistem të deformuar, jo i bazuar në vlerat dhe kontributet profesionale e artistike, por i bazuar te klani i miqve dhe interesat që klani duhet të mbrojë. 

Me fjalë të tjera, them se kinemaja jonë nuk po e kapërcen nivelin e shoqërisë që jemi, e të elitave politike që kemi, e jo më të jetë avantgarde e tyre.  

Çfarë nuk shkon, ku shfaqen më së shumti pengesat?

Unë po ju përmend disa pika të atij mekanizmi që e ka çuar drejt suksesit kinemanë e Kosovës. Përfundimin nxirreni vetë. 

  1. Ka vetëm një shoqatë kineastësh në Kosovë, e cila bën marrëveshje me simotrat e saj në rajon e më gjerë.
  2. Qendra Kinematografike e Kosovës është e pranishme në tregjet ndëkombëtare të filmit në Los Angelos, Kanë, Berlinale, Tokio dhe është partnere me festivale të rëndësishëm të filmit si i Roterdamit, Triestes etj.
  3. Kjo qendër jep bursa për të rinjtë, prej gati 10 vitesh, si Bursa Famu (shkolla e filmit dhe televizionit e Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë, nga më të rëndësishmet në Evropë.)
  4. QKK e Kosovës është e anëtarësuar në Akademinë Europiane të Filmit (Shoqata Europiane e Filmit). EFA ka mbi 3,500 anëtarë nga mbarë Europa. Kosova ka 25 anëtarë në EFA. 
  5. Në Kosovë, kinematë kanë funksionin që duhet të ketë një kinema: të shfaqë filma premierë, të ketë një politikë ndaj filmit shqiptar, të organizohen punëtori profesionale, javë dhe festivale te filmit në bashkëpunim me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe organizohen aktivitete të shumta kinematografike.

Vijmë te Shqipëria dhe e nisim krahasimin me Kosovën nga kinematë.

Për të qenë anëtar i Euroimages-it (European Cinema Support Fund, ku Shqipëria aderon prej vitit 2009), vendi ynë, sipas standardeve që kërkon BE-ja, do duhej të kishte 1 kinema për çdo 40 mijë banorë, kusht që ka ardhur duke u bjerrë, sepse janë mbyllur kinema në Tiranë dhe në rrethe. Po edhe në ato kinema komerciale që ka kryeqyteti, producentët shqiptarë e shfaqin filmin për pak ditë, siç ka raste flagrante që e shfaqin për një natë, vetëm për një publik të kufizuar. Kjo përbën shkelje të ligjit “Për Kinematografinë”. QKK–ja nuk e ka idenë sa shikues ka një film shqiptar. 

Biletaritë nuk kontrollohen nga QKK. Po sipas ligjit në fjalë, kinematë do duhej të kishin biletari fiskale nga QKK-ja. Me pak fjalë, distribucioni i filmit nuk ndodh. 

Atëherë për kë bëhen këta filma që nuk kanë jetë në atdhe? 

Vijmë te çështja që është e lidhur me sa thamë më lart: çfarë identiteti ka një film shqiptar në nivel tematik dhe estetik? 

Cilësinë e filmit shqiptar sot unë e shoh kështu: Është një film me narracion të thjeshtuar dhe aspak kompleks, me një fabulë të përgjithshme dhe subjekt pa strukturë, ku forca dhe komenti i regjisorit shfaqen anemike; regjisorët shqiptarë janë kapur pas 2-3 emra shkrimtarësh dhe mbi to ndërtojnë skenarë. 

Kujtojmë: “Ndërkombëtarët” (Y.Aliçka, regjia Pluton Vasi), “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (D.Agolli, regjia Fatmir Koçi), “Bolero në vilën e pleqve” (F.Kongoli, regjia Spartak Pecani), “Koha e kometës” (I.Kadare, regjia Fatmir Koçi), “Slogans” (Y.Aliçka, regjia Gjergj Xhuvani), “Kronikë provinciale” (Y.Aliçka, regjia Artan Minarolli), “Mao Ce Dun” (B.Mustafaj, regjia Besnik Bisha), “Inane” (B.Mustafaj, regjia Besnik Bisha) etj. Kjo prirje ka treguar se ka qenë rruga më e shkurtër dhe dembele për të kërkuar dhe treguar histori. 

  • filmi shqiptar e ka të vështirë të trajtojë brenda realitetit shqiptar temat e moralit, politikës, fesë, seksualitetit, lumturisë, dashurisë, shpirtërores; 
  • filmi shqiptar vuan nga ndërtimi i cekët i marrëdhënieve mes personazheve, i mizanskenave, vendosja e karaktereve në vend; 
  • në masën 80%-90% filmat shqiptarë merren me të shkuarën. E vështirë të gjesh në këta filma trajtimin e një teme shqiptare me mesazhe universale. 

Për rrjedhojë, të duash të marrësh vesh se çfarë shoqërie është shoqëria e sotme shqiptare dhe këtë ta marrësh vesh nga kinemaja, është e pamundur. 

Artikulli u publikua më parë në faqen 27  të numrit 29 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të abonoheni Këtu për nr. 29 të saj.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0