Elite Travel Group, partner strategjik në panairin Tourism Fair Albania: Konventa “E ardhmja e sektorit të mikpritjes” - Business Magazine Albania

Elite Travel Group, partner strategjik në panairin Tourism Fair Albania: Konventa “E ardhmja e sektorit të mikpritjes”

Elite Travel Group, partner strategjik në panairin Tourism Fair Albania: Konventa “E ardhmja e sektorit të mikpritjes”

Panairi Tourism Fair Albania vjen në çdo edicion si një hapësirë strategjike debati dhe orientimi për të ardhmen e turizmit shqiptar. Një ndër partnerët kryesorë të panairit, Elite Travel Group pozicionohet si një nga zërat më të rëndësishëm orientues të industrisë, duke sjellë në qendër të vëmendjes konventën “E Ardhmja e Sektorit të Mikpritjes”, e cila do të zhvillohet më 12 shkurt, në skenën kryesore të panairit.

Konventa do të zgjasë katër orë dhe do të jetë e strukturuar në katër panele tematike, të konceptuara si një platformë reflektimi profesional mbi zhvillimin afatgjatë të turizmit, duke kaluar nga rritja spontane drejt menaxhimit të qëndrueshëm, cilësisë së ofertës dhe konkurrueshmërisë ndërkombëtare.

Elite Travel Group, lider në industrine e turizmit 

Si një nga grupet më të konsoliduara në industrinë e turizmit, Elite Travel Group synon që përmes partneritetit me TFA26 të ndikojë aktivisht në formësimin e politikave, modeleve dhe praktikave të reja të sektorit, duke u pozicionuar jo vetëm si aktor operativ, por si lider mendimi (opinion leader) në turizëm.

Objektivi kryesor i këtij angazhimi është të nxisë një qasje holistike ndaj zhvillimit të destinacionit Shqipëri, ku të gjithë hallkat e zinxhirit, nga operatorët turistikë, te hotelet, teknologjia, kapitali njerëzor dhe investimet, të funksionojnë në mënyrë të koordinuar dhe strategjike.

Operatorët Turistikë dhe ndërtimi i një turizmi gjithëvjetor

Paneli i parë i konventës fokusohet në rolin transformues të operatorëve turistikë në zgjatjen e sezonit turistik. Diskutimi synon të analizojë mënyrën se si segmentet e ndryshme të tregut, pushimet klasike, turizmi i aventurës, MICE dhe përvojat tematike, mund të ndërthuren për të krijuar rritje të qëndrueshme të volumit dhe cilësisë.

Në qendër të vëmendjes do të jenë edhe produktet plotësuese të destinacionit, si gastronomia, kultura, natyra dhe përfshirja e komuniteteve lokale, të cilat përbëjnë bazën e një turizmi autentik dhe gjithëvjetor.

Lexo edhe:Tourism Fair Albania 2026 rikthehet në Tiranë, duke bërë bashkë profesionistët e turizmit nga e gjithë bota

Udhëtimet korporative dhe kapitali njerëzor

Paneli i dytë adreson udhëtimet korporative si një segment me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e sektorit dhe në menaxhimin e kapitalit njerëzor, një fushë që pritet të formatohet dhe të rritet ndjeshëm në të ardhmen e afërt në Shqipëri. Diskutimi do të trajtojë sfidat e punësimit në sektorin e mikpritjes dhe shërbimit, konkurrencën për staf të kualifikuar dhe nevojën për ndërtimin e modeleve moderne të incentivimit, mirëqenies dhe angazhimit të punonjësve.

Në këtë kontekst, Elite Travel Group synon të kontribuojë aktivisht në identifikimin e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe në ngritjen e standardeve profesionale të sektorit, duke e parë udhëtimin korporativ jo vetëm si shërbim logjistik, por si një instrument strategjik zhvillimi për industrinë e turizmit dhe mikpritjes në vend.

Teknologjia si levë zhvillimi në sektorin e turizmit dhe mikpritjes

Paneli i tretë vendos theksin tek digjitalizimi i sektorit të mikpritjes dhe shërbimit, duke analizuar rolin e teknologjisë në menaxhimin e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, si një faktor kyç për rritjen e eficiencës, përmirësimin e përvojës së klientit dhe konkurrueshmërinë ndërkombëtare të bizneseve shqiptare. Diskutimi synon të tregojë se si zgjidhjet digjitale ndihmojnë në optimizimin e operacioneve, standardizimin e shërbimit dhe marrjen e vendimeve të bazuara në të dhëna.

Në këtë kontekst, Elite Travel Group sjell përvojën e vet përmes zhvillimit të një sistemi modern PMS (Property Management System), të ndërtuar për nevojat reale të tregut vendas dhe rajonal. Ky sistem synon të centralizojë menaxhimin e rezervimeve, operacioneve dhe raporteve financiare, duke ndihmuar hotelet dhe strukturat e mikpritjes të kalojnë drejt modeleve më profesionale dhe të qëndrueshme operimi. Për Elite Travel Group, teknologjia përfaqëson një instrument strategjik modernizimi të industrisë duke hapur rrugën për një zhvillim më të strukturuar dhe afatgjatë të sektorit në Shqipëri.

Investimet në hoteleri dhe e ardhmja e tregut shqiptar

Paneli i katërt dhe i fundit trajton menaxhimin e aseteve hoteliere, rolin e markave ndërkombëtare dhe perspektivën e investimeve në Shqipëri. Diskutimi synon të analizojë ndikimin e integrimit europian, hyrjen dhe integrimin e markave globale dhe sfidat me të cilat përballen investitorët vendas.

Në këtë panel, fokusi do të jetë te vizioni afatgjatë i zhvillimit të sektorit të mikpritjes dhe hotelerisë në Shqipëri, duke nxitur modele investimi të qëndrueshme dhe profesionale. Me konventën “E Ardhmja e Sektorit të Mikpritjes”, Elite Travel Group synon të shndërrojë panairin Tourism Fair Albania në një platformë orientuese për sektorin, ku diskutimi profesional, analiza strategjike dhe vizioni i përbashkët të shërbejnë si bazë për zhvillimin e turizmit shqiptar në vitet që vijnë.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0