Paqartësia lidhur me këtë proces ka nxitur një valë pasigurie ekonomike, politike dhe institucionale. Në një skenar pozitiv, marrëveshjet e reja midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian do të shmangin ngritjen e barrierave ekonomike midis dy rajoneve, duke minimizuar pasojat e këtij tranzicioni.
Banka e Shqipërisë raporton se, në rastin e materializimit të një skenari më negativ, pasojat makroekonomike në vendet e zhvilluara të Europës, mund të jenë të konsiderueshme, ndërkohë që jashtë Europës ndikimi pritet të jetë i kufizuar.
Nga ana tjetër, ngadalësimi i mundshëm ekonomik i rajoneve në zhvillim, veçanërisht pasiguria lidhur me tranzicionin ekonomik të Kinës, përshkallëzimi i konflikteve gjeopolitike dhe efekti negativ i çmimeve të ulëta të naftës në balancat fiskale dhe financiare të disa prej vendeve prodhuese, vazhdojnë të përbëjnë rrezik për perspektivën afatmesme të ekonomisë globale.
Rezultati i referendumit për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian në datën 23 qershor, u shoqërua me luhatshmëri të theksuar në tregjet e kapitalit dhe të këmbimit valutor. Kjo tronditje rezultoi jetëshkurtër dhe një pjesë e mirë e çmimeve u rikuperuan gjatë muajve në vazhdim. Gjithsesi, vendimi për Brexit dhe paqartësia mbi nisjen dhe kohëzgjatjen e procesit (i cili ndodh për herë të parë), ka ndikuar negativisht në pritshmëritë e investitorëve dhe mund të sjellë pasoja për perspektivën ekonomike të Europës dhe atë globale në përgjithësi.
Rreziqet më të drejtpërdrejta dhe më afatshkurtra për aktivet e sistemit financiar, lidhen kryesisht me mundësinë e rënies së vlerës së këtyre aktiveve të investuara në GBP, si rezultat i nënçmimit të monedhës britanike.
Rreziqet më afatgjata dhe më të vështira për t’u përcaktuar lidhen me ndikimin që Brexit mund të ketë në ekonominë e Europës Kontinentale dhe të Mbretërisë së Bashkuar, dhe se si kjo mund të përcillet në marrëdhëniet tregtare me vende të tjera.
Burimi: monitor.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.