Edukimi Financiar – Një çështje përtej sistemit bankar - Business Magazine Albania

Edukimi Financiar – Një çështje përtej sistemit bankar


Në një analizë të fundit vrojtuese të ndërmarrë nga Sallie Mae në SHBA në Janar 2016 me studentët e kolegjeve të ndryshme të biznesit, arriti në përfundimin që ata, në një pjesë të madhe nuk kishin një kuptim të plotë dhe të qartë mbi mekanizmin e funksionimit të produkteve financiare. Konkretisht, vetëm 31% e tyre iu përgjigjën korrekt tri pyetjeve të bëra nga Sallie Mae, lidhur me huatë, pagesën e interesave dhe vlerën në kohë të parasë.

Mjafton një gjetje e tillë për të kuptuar jo vetëm rëndësinë që paraqet edukimi financiar, por dhe përpjekjen e vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse që duhet bërë, për të siguruar një investim të përhershëm në drejtim të dijes në fushën e financës dhe përdorimit të parasë.

Sot ka një vëmendje më të madhe dhe diskutim tejet energjik, në rang global, lidhur me edukimin financiar, ndikimin që ai ka në mirëqenien e njerëzve dhe rrugëve që duhen ndjekur, apo mekanizmave që duhen përdorur, për të siguruar një nivel optimal të kësaj dijeje. Veçanërisht, kjo vëmendje u bë më e theksuar pas krizës së viteve 2007 – 2008, ku bota dhe ne shqiptarët mësuam edhe më shumë mbi një fakt të thjeshtë: Se nuk mund të jetojmë për një kohë të gjatë përtej mundësive dhe burimeve tona financiare.

Por pse është me kaq vlerë edukimi financiar dhe pse kjo dije mbi paranë dhe financat nuk duhet të mbetet pronë e një pjese të qytetarëve dhe publikut? Përgjigja është tepër e thjeshtë: Edukimi dhe dija financiare nuk mund të jetë një e mirë private, apo e një grupi të caktuar, por duhet të jetë një e mirë për të gjithë, pra një e mirë publike! Nëse nuk trajtohet si e tillë, atëherë çdo lloj përpjekjeje do të japë vetëm rezultate të pjesshme dhe historia do të rifillojë gjithnjë nga viti zero. Vetëm duke u trajtuar si e tillë ajo do ketë mundësi të jetë e arritshme nga shumica apo pjesa dërrmuese e popullatës dhe më e rëndësishmja, do të jetë një kontribuese e drejtpërdrejtë dhe afatgjatë në mirëqenien e njerëzve.

Gjithsesi, gjykoj se për ta shndërruar edukimin financiar në një të mirë publike duhet të kemi parasysh se, asnjë grup i vetëm dhe i veçuar interesi nuk do të mund të ishte mjaftueshëm i fuqishëm apo ndikues, për të bërë ndryshimin rrënjësor në këtë drejtim. Nëse flasim për edukimin financiar në Shqipëri e kemi shumë të lehtë të sjellim në kujtesë dhe nuk mund të mos përshëndeten përpjekjet e shumta të aktorëve dhe grupeve të ndryshme të interesit, që nga bankat, me përpjekjet e tyre në këtë drejtim, si pjesë e përgjegjshmërisë sociale, Bankës së Shqipërisë lidhur me investimin e vazhdueshëm, jo vetëm monetar, në drejtim të edukimit financiar masiv, sipërmarrjet e OJF-ve të ndryshme dhe partneritetet me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, për ndërfutjen e elementëve të veçantë të edukimit financiar në kurrikulat shkollore etj. Ajo që vërehet sot në Shqipëri është një dëshirë dhe interes i theksuar, veçanërisht i sektorit bankar, por jo vetëm, për të kaluar në një nivel të ri, për sa i përket çështjes madhore të edukimit financiar dhe kjo është lehtësisht e kuptueshme. Një qytetar i miredukuar nga pikëpamja financiare rrit shanset për të pasur nesër dhe gjithë kohës nëpër sportele më pak klientë të këqij dhe lehtësi më të madhe për të kuptuar dhe ofruar shërbimet e produktet e tyre. Përpos këtyre përfitimeve, shoqëria do të përjetojë më pak probleme sociale, pasi qytetarët e saj do të jenë në gjendje të marrin vendime më të përgjegjshme dhe më të menduara financiarisht. Gjithsesi, këto përfitime që sjell edukimi financiar dhe sukseset e rezultateve të tij, për fat të keq nuk janë të garantuara, por kërkojnë shumë kohë, investime dhe mjaft përkushtim, jo vetëm nga bankat. Thënë ndryshe, edukimi financiar nuk mund të jetë thjesht një çështje e bankave, e në kushte të tilla bankat nuk mund të jenë as aktorët e vetëm, sikundër dhe as përfituesit e vetëm të tij. Duhet të jetë e qartë se jo çdo gjë ‘arrihet me para’ apo ‘bëhet për para’, e për më tepër, të gjitha grupet e interesit duhet të jenë të gatshme të marrin përsipër kostot respektive, që jo gjithnjë janë të një natyre monetare.

Përtej përpjekjeve të lavdërueshme të sipërpërmendura, ende vihet re një lidhje jo e fortë harmonike dhe sinkron e tyre, e në këtë mënyrë bëhet thuajse e pamundur të prodhohen rezultate mbresëlënëse dhe afatgjata, nëse ato vijojnë jetësohen si nisma të veçuara apo të vendosen në sekuencë të njëra-tjetrës, e jo të modelohen si një projekt i vetëm, menaxhimi i të cilit është më i lehtë, prodhon sinergji, e për rrjedhojë, jep më shumë rezultat e më pak kosto. Në terma marketingu, shoqërisë shqiptare i nevojitet strategjia “penetruese” dhe jo “skimming”, lidhur me edukimin financiar. Në këto kushte, lind natyrshëm nevoja për të hartuar dhe jetësuar një strategji kombëtare për edukimin financiar edhe në Shqipëri, me synimin për të formësuar pikërisht këtë projekt. Por cili mund të jetë modeli më i mirë për një strategji të tillë? Përgjigjen e saktë e ka dhënë OECD në vitin 2012: “Nuk ka një model apo një proces të tipit ‘një masë, një kut’ për zhvillimin e strategjisë kombëtare për edukimin financiar”. Natyrisht, Shqipëria ka “luksin” të shfrytëzojë të gjithë eksperiencën europiane në këtë drejtim, nisur dhe nga fakti i qenies së AAB-së si anëtare e asociuar e Federatës Bankare Europiane, EBF-FBE. Në këtë drejtim, shpresoj dhe besoj se Shqipërisë nuk do t’i mungoja asnjëherë ndihmesa dhe mbështetja.

Së fundi, të gjithë jemi të interesuar për të vjelë gjithë kohës sa më shumë rezultate pozitive nga edukimi financiar, por për të arritur këto duhet rikujtuar çdo ditë dhe në çdo hap aksioma: “Ç’të mbjellësh do të korrësh!”

*Elvin Meka është Zëvendës/rektor për Procesin Akademik në Universitetin Europian të Tiranës dhe Kryeredaktor i Revistës “Bankieri”/ Mapo/

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0