Ne e kuptojmë shumë mirë dëshirën për të marrë mikun tuaj me katër putra kudo, edhe në pushime. Por për shtetasit amerikanë, ky mund të jetë një proces i lodhshëm dhe stresues, me kërkesa të ndryshme për çdo vend që vizitojnë. Ndërsa për kafshët shtëpiake që jetojnë në Bashkimin Evropian, udhëtimi është shumë më i thjeshtë (dhe padyshim më i këndshëm) falë… pasaportave të kafshëve!
Lexo gjithashtu: Android shton funksion të ri sigurie: Pajisjet do të rinisen automatikisht çdo 3 ditë
Po, është e vërtetë, qytetarët e BE-së kanë mundësinë të pajisin qenin, macen tyre me një pasaportë të vërtetë, e cila jo vetëm që është e adhurueshme, por edhe e domosdoshme për të udhëtuar lehtësisht mes shteteve anëtare të BE-së.
Çfarë përmban një pasaportë për kafshët?
Këto pasaporta janë thuajse identike me ato njerëzore, një librezë e vogël blu me të dhëna personale dhe një foto opsionale. Ato përmbajnë informacion të domosdoshëm për udhëtimin ndërkombëtar të kafshëve shtëpiake, përfshirë:
-Kodin e mikroçipit ose tatuazhit identifikues
-Vaksinat kundër tërbimit
-Kontaktet e veterinerit që e ka lëshuar dokumentin
Pasi kafsha të pajiset me pasaportë nga një veteriner i autorizuar, kjo librezë mbetet e vlefshme për gjithë jetën, për sa kohë informacioni përditësohet në mënyrë të rregullt.
Udhëtimi pa stres në të gjithë BE-në
Qytetarët e BE-së nuk kanë nevojë të merren me dokumente të ndryshme për çdo udhëtim. Me një pasaportë të vetme, ata mund të udhëtojnë lirshëm me kafshët e tyre në të gjitha vendet anëtare të Unionit. Madje, edhe disa vende jashtë BE-së, si Islanda, Zvicra dhe Monako, njohin pasaportat e kafshëve sipas rregullave të Bashkimit Evropian.
Sipas Beth Schutte, drejtore e një qendre për menaxhimin e kafshëve në aeroportin JFK në SHBA:
“Bashkimi Evropian ishte pionieri i këtij sistemi, duke mundësuar që kafshët të lëvizin më lirshëm me pronarët e tyre në të gjithë kontinentin.”
Një arritje shëndetësore, jo vetëm logjistike
Përveç lehtësimit të udhëtimit, pasaportat për kafshët janë rezultat i një fitoreje të madhe shëndetësore. Komisioni Evropian e cilëson këtë hap si një pasojë e drejtpërdrejtë e progresit të jashtëzakonshëm në luftën kundër tërbimit.
Lexo gjithashtu: Çfarë tiparesh ndan me Elon Musk? Një vështrim psikologjik mbi personalitetin e njeriut më polarizues të epokës sonë
Megjithëse synimi i eliminimit të plotë të tërbimit në natyrë deri në vitin 2020 nuk u arrit plotësisht, përhapja e virusit është reduktuar ndjeshëm. Një studim i vitit 2021 tregoi se tërbimi ekziston vetëm në disa pjesë të Europës Lindore, ndërsa BE-ja vazhdon përpjekjet për ta çrrënjosur përfundimisht.
Kufizime? Po, por të arsyeshme
Edhe pse pasaportat e kafshëve janë një zgjidhje e shkëlqyer për udhëtarët me katër putra, ekzistojnë disa kufizime:
-Që nga viti 2021, kafshët nga Britania e Madhe nuk mund të përdorin më pasaportat e vjetra për të hyrë në BE.
-Nëse dëshironi të udhëtoni me më shumë se pesë kafshë (qen, mace), duhet të provoni se ato marrin pjesë në një event apo garë zyrtare.
Për kafshë të tjera si zogjtë apo kaviet, vlejnë rregullat specifike të çdo vendi dhe mund të jetë e nevojshëm një certifikatë shëndetësore evropiane.
Në fund të ditës, pasaportat për kafshët nuk janë vetëm një dokument zyrtar, ato janë një simbol i lidhjes që njerëzit kanë me kafshët e tyre dhe një dëshmi e përparimeve që bota ka bërë në shëndetin publik dhe sigurinë ndërkombëtare.
Kështu që, nëse jetoni në Evropë, thjesht paketoni valixhen…dhe mos harroni pasaportën e kafshës tuaj!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.