Dy studime të ndryshme të pandemisë COVID-19 japin një analizë të zymtë - Business Magazine Albania

Dy studime të ndryshme të pandemisë COVID-19 japin një analizë të zymtë

analizë të zymtë

Dy studime të ndryshme të pandemisë COVID-19 japin një analizë të zymtë.

Njëri studim thotë se: numri i viktimave i pranuar gjerësisht në 5 milionë është ndoshta më i lartë dhe se kjo shifër është arritur që në 1 Nëntor, kur u njoftuan shifrat nga Qendra për Koronavirusin e Universitetit Johns Hopkins. Studimi tjetër jep një analizë të hidhur statistikore të pandemisë, ndër të tjera edhe faktin se 50 milionë njerëz po infektohen me virusin çdo 90 ditë.

Agjencia e lajmeve Reuters e shtrin analizën e saj në perspektivë, duke rikujtuar se u desh rreth një vit për të regjistruar 50 milionë rastet e para me COVID-19. Niveli i lartë i tanishëm është për shkak të variantit Delta që ka transmetueshmëri të lartë, thotë Reuters.

Numri i rasteve të të infektuarve në Rusi, Ukrainë dhe Greqi është “pothuajse në nivelin rekord të rasteve të raportuara që kur filloi pandemia dy vite më parë”, thotë Reuters. Infektimet e reja vazhdojnë të rriten në 55 vende nga 240 vende të botës.

Në fillim të javës, Gjermania raportoi numrin më të madh ditor që nga fillimi i pandemisë. Instituti Robert Koch raportoi 201 raste të reja për 100 mijë njerëz gjatë shtatë ditëve të fundit, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 197.6 për 100 mijë. Agjencia franceze e lajmeve AFP raporton se shkalla e COVID-it në shtetin gjerman lindor Saksoni është më shumë se dyfishi i normës kombëtare, në 491.3.

Hetimi i agjencisë së lajmeve Reuters përpiloi gjithashtu statistikat për pabarazinë e vaksinimit, ku ndër të tjera duket se më shumë se gjysma e popullsisë së botës nuk ka marrë asnjë vaksinë të vetme ndaj COVID-19-ës dhe më pak se 5% e popullsisë në vendet me të ardhura të ulëta ka marrë vetëm një dozë të vaksinës.

Lexoni: Komiteti i Vaksinimit rekomandon dozën e tretë, qeveria e gatshme të garantojë vaksinat ndaj Covid19

Numri i të vdekurve në disa vende mund të jetë shumë herë më i lartë se raportet zyrtare të qeverisë, sipas revistës “The Economist”. Revista thotë se ka disa arsye për shifrat më të vogla të raportuara. Disa vende nuk përfshijnë në numrin e vdekjeve nga COVID-19 personat që nuk rezultuan pozitivë për COVID-19-ën para se të vdisnin. Gjithashtu, spitalet dhe qeverisja vendore jo gjithmonë i përpunojnë menjëherë çertifikatat e vdekjes. Përveç kësaj, njerëzit që vdesin në shtëpi mund të mos përfshihen në numrin e viktimave nga COVID-19.

Këshilli i një qyteti në veri të Kalifornisë e ka deklaruar veten “republikë kushtetuese”, si një mënyrë për të shprehur pakënaqësinë e tij me atë që e konsideron tejkalim të autoritetit shtetëror dhe federal në lëshimin e urdhëresave, si p.sh. për mbajtjen e maskave për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Megjithatë, ekspertët ligjorë thonë se vendimi i këshillit të qytetit Oroville nuk i lejon këtij qyteti të shmangë urdhëresat.

Të vaksinuarit plotësisht në shtetin e Uellsit të Ri Jugor, në Australi, po shijojnë heqjen e një numri kufizimesh për koronavirusin të hënën, përfshirë eliminimin e kufizimeve ndaj numrit të vizitorëve në shtëpi.

Punonjësit e shëndetësisë në Indi po përgatiten për një rritje të rasteve të koronavirusit pas Diwalit, festivali vjetor i dritave, që filloi të enjten.

Dr. Prakash Singh, një virolog, i tha gazetës “The New York Times” se, “për këtë Diwali, njerëzit pothuajse harruan se virusi është ende këtu dhe po vret njerëz”.

/voa

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0